
Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan, IPK-ja nis hetimet ndaj policisë
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është njoftuar të hënën në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .
Sipas një postimi në rrjetin social në “Facebook” është bërë me dije se zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur.
“Njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka njoftuar IPK-ja.
Sipas njoftimit, IPK-ja në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident”, ka njoftuar IPK-ja.
Ndërsa nga Policia e Kosovës kanë bërë me dije se ka ndodhur rreth mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku një person i cili dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar me automjet dhe kalimtarët. Ai më pas ka ndërruar jetë.