Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan, përfundon seanca dëgjimore ndaj 5 policëve

09 korrik 2025 | 14:17

Ka përfunduar seanca dëgjimore në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Lipjan, ndaj policëve të dyshuar për rastin e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu.

Gjyqtari i procedurës paraprake pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorit të Shtetit, nëse do t’i çojë në paraburgim zyrtarët policorë, apo do të caktojë një masë alternative.

Në seancë, nuk është lejuar të merrte pjesë avokati i familjes e as mediat.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan, i cili humbi jetën pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë.

Sipas njoftimit zyrtar, më 7 korrik rreth orës 00:12, policia kishte pranuar gjashtë telefonata nga qytetarë të ndryshëm, që raportuan për një person me sjellje agresive në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

Sipas tyre, personi në fjalë paraqiste rrezik të përgjithshëm për kalimtarët, pasi po i sulmonte ata, ndiqte automjete dhe tentonte të futej në to.

“Njësitë policore reaguan menjëherë dhe, sipas policisë, edhe në prani të tyre personi vazhdoi me sjellje të pakontrollueshme dhe të rrezikshme”, ka njoftuar policia.

Policia ka njoftuar se, për shkak të rezistencës aktive dhe tentimit për sulm ndaj zyrtarëve, ishte përdorur sprej mbrojtës për ta neutralizuar atë.

Sipas policisë, para arrestimit, zyrtarët policorë kishin tentuar për rreth pesë deri në gjashtë minuta të komunikonin dhe negocionin me të riun për ta bindur që të shoqërohej në stacionin policor.

“Mbikëqyrësi i ndërrimit kishte thirrur edhe ndihmën e shpejtë, duke vërejtur gjendjen e tij psikologjike dhe shëndetësore. Megjithë tentativën për t’iu larguar policisë, i riu ishte arrestuar. Ambulanca kishte mbërritur pas tre minutash në vendin e ngjarjes, por ekipi mjekësor kishte konstatuar vdekjen e tij”, ka njoftuar policia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person ka mbetur i vdekur dhe katër të tjerë…