Vdekja e dy turistëve kosovarë në Shëngjin, presidenti Begaj u shpreh ngushëllime familjeve
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet e tij pas tragjedisë së ndodhur në Shëngjin, ku dy të rinj nga Kosova humbën jetën.
Përmes një reagimi publik, Begaj tha se lajmi për ngjarjen e rëndë e ka prekur thellë, ndërsa shprehu solidaritet me familjet e viktimave dhe mbështetje për të rinjtë e tjerë të lënduar.
“Me hidhërim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve nga Kosova sot në Shëngjin”, tha Begaj në reagimin e tij, teksa u shprehu ngushëllime të sinqerta familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë ngjarje të rëndë.
Ai po ashtu uroi rikuperim të shpejtë për tre shokët e viktimave, të cilët u përfshinë në të njëjtën ngjarje.
Presidenti shqiptar nënvizoi rëndësinë e rritjes së masave të sigurisë në zonat bregdetare, duke theksuar se raste të tilla duhet të shërbejnë si alarm për institucionet dhe subjektet përgjegjëse, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
“Nisur nga ky rast i rëndë, ftoj institucionet qendrore dhe vendore, si edhe operatorët turistikë, të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në plazhe gjatë gjithë sezonit veror.”



