Vdekja e Hulk Hogan ‘ndez’ tensione mbi trashëgiminë, 30% e pasurisë i shkon…

28 korrik 2025 | 13:03

Pas vdekjes së papritur të legjendës së mundjes dhe sipërmarrësit të njohur, Hulk Hogan, në moshën 71-vjeçare, vëmendja është përqendruar te ndarja e pasurisë së tij të konsiderueshme, e cila pritet të jetë objekt diskutimi ligjor dhe ndoshta edhe përplasjesh familjare.

Skye Daily, bashkëshortja e tij e tretë, me të cilën ishte martuar vetëm dy vite më parë, sipas ligjit të shtetit të Floridës, ka të drejtë ligjore të trashëgojë deri në 30% të pasurisë së tij, edhe nëse testamentet nuk janë përditësuar zyrtarisht.

Sipas “The US Sun”, Hogan posedonte një pasuri të konsiderueshme, përfshirë një pronë prej 11.5 milionë dollarësh në Clearwater, biznese aktive dhe të ardhura nga karriera e tij në mundje dhe industrinë e argëtimit.

Ekspertja e trashëgimisë, June Frederiksen, sqaroi se pavarësisht planifikimeve të mundshme të detajuara përmes një trusti të revokueshëm, Skye Daly ka të drejtë për “pjesën zgjedhore bashkëshortore” sipas ligjit. Kjo nënkupton që, nëse nuk është përjashtuar në mënyrë eksplicite nga trusti, ajo përfiton automatikisht një të tretën e pasurisë.

“Edhe nëse nuk është përmendur në testament apo trust, ligji i jep asaj të drejtën të kërkojë pjesën e saj”, u shpreh Frederiksen, duke theksuar se çdo pasuri e mbetur jashtë trustit është e ekspozuar ndaj pretendimeve ligjore dhe kreditorëve.

Situata mund të komplikohen më tej nëse testamenti rezulton i papërditësuar ose nëse dikush nga familja vendos të kontestojë dispozitat e tij. Një nga personat që përmendet si e mundshme të ndërmarrë hapa ligjorë është vajza e tij, Brooke Hogan, me të cilën marrëdhëniet kanë qenë të tensionuara për vite me radhë. Thuhet se Hogan nuk kishte kontaktuar me të për një kohë të gjatë dhe nuk kishte takuar kurrë nipërit binjakë të saj, të lindur në janar.

“Nëse Brooke përjashtohet nga trashëgimia, ajo ka të drejtë të sfidojë testamentin në gjykatë”,  theksoi Frederiksen.

Pasuria neto e Hogan vlerësohet në rreth 25 milionë dollarë, ndërsa aktivitetet e tij përfshijnë biznese si Hogan’s Beach Shop, restorantin Hogan’s Hangout dhe markën Real American Beer. Ai gjithashtu ka qenë aktiv në projekte filmike dhe shfaqje televizive për dekada.

Hogan u shua më 24 korrik pas një arresti kardiak në shtëpinë e tij në Clearwater. Ai kishte kaluar muaj të vështirë shëndetësor, përfshirë një operacion të rëndë në qafë dhe qëndrime të përsëritura në spital. Mjekët u përpoqën ta reanimonin për 30 minuta, por ai u shpall i vdekur në spital.

Në historinë e tij personale, Hulk Hogan ishte martuar më parë me Linda Claridge, me të cilën kishte dy fëmijë, Brooke dhe Nick. Martesa e tyre përfundoi në vitin 2009 pas 26 vitesh. Më pas ai u martua me Jennifer McDaniel, një martesë që përfundoi në 2021.

Tashmë, ndarja e pasurisë së tij do të kalojë në një fazë të ndjeshme ligjore, që pritet të përfshijë debat mes trashëgimtarëve, ish-partnerëve dhe, potencialisht, sistemit gjyqësor të Floridës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i ri i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të…