
Vdes 40-vjeçari pas incidentit me traktor në Bresanë të Dragashit
Një person me inicialet D.A i moshës 40 vjeç ka ndërruar jetë në Spitalin e Prizrenit, pas lëndime të marra në një incident me traktor në fshatin Bresanë të Dragashit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas Bytyqit, 40-vjeçari fillimisht ishte dërguar nga vëllai i tij në qendër të mjekësisë familjare në Dragash, e më pas për shkak të lëndimeve të rënda ishte dërguar në Spitalin e Prizrenit.
“Sot, më 18 korrik 2025, rreth orës 09:50, Policia është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Bresanë, Dragashë se një person mashkull, D.A. (40 vjeç), është sjellë në qendër nga vëllai i tij me lëndime të rënda trupore. Pas ofrimit të ndihmës së parë, ai është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më pas, për shkak të lëndimeve të marra, ka vdekur.
Sipas informatave fillestare, viktima ishte duke punuar me traktor në zonën malore të fshatit Bresanë, Dragashë në momentin e incidentit. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta”, ka thënë Bytyqi.
Tutje Bytyqi tha se policia ka reaguar menjëherë, ka dalë në vendin e ngjarjes, ka siguruar zonën dhe ka njoftuar njësitet përkatëse hetimore.
“Në vendngjarje është angazhuar edhe prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit rasti është iniciuar si ‘Vdekje e dyshimtë’, ndërsa trupi pa jetë është dërguar në Institutinë e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka thënë ndër të tjera Bytyqi.