Vdes ish-kongresisti Eliot Engel, zëri i fuqishëm për Kosovën në SHBA
Ka vdekur në moshën 79-vjeçare, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës.
Ai ishte larguar nga Kongresi amerikan në janar të vitit 2021, pas më shumë se tre dekadash në detyrë.
Pas lajmit për vdekjen e Engel, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se vendi humbi një mik të dëshmuar dhe përkrahës të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.
“Për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ai qëndroi në anën e drejtë të historisë. Nga thirrjet për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviq, te mbështetja për pavarësinë në vitin 2008 dhe konsolidimin e shtetit tonë, Engel ishte një aleat i vendosur i Kosovës në çdo etapë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Engel, demokrat, kishte përfaqësuar pjesë të Bronksit – një lagje e qytetit të Nju Jorkut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare – që nga viti 1989.
Ai ka qenë mbledhësi kryesor i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në vitin 2008.
Mbështetja e palëkundur për Kosovën, gjatë dekadave të tëra, e bëri atë të famshëm në Kosovë.
Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë për nder të Engelit dhe, madje, ka lëshuar një pullë postare me fotografinë e tij.
Kjo e bëri atë një figurë të diskutueshme në Serbi, vendin që vazhdon ta refuzojë ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe lobon kundër njohjes së saj nga komuniteti ndërkombëtar.
Më 8 dhjetor 2020, në një seancë dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve, Engel kishte folur për Ballkanin Perëndimor, dhe veçmas për Kosovën.
“Nuk e dija pasionin që do të zhvilloja për një cep të vogël të Evropës, të quajtur Ballkan”, kishte thënë ai.
“Kam udhëtuar në çdo vend të Ballkanit Perëndimor disa herë, jam takuar me aq shumë udhëheqës nga aq shumë parti dhe kam dashuruar larminë e pasur të kulturave, etnive dhe feve. Por, asnjë vend nuk më ka prekur zemrën më shumë se Kosova”.



