Vdes një 58-vjeçar në Ferizaj, dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit nga kati i katërt
Një 58-vjeçar ka vdekur sot në Ferizaj, pasi dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit nga kati i katërt i një ndërtese kolektive.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Rreth orës 09:20 kemi pranuar një informatë se në rrugën ‘Sadik Bega’ – Ferizaj, një person dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit. Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje, ku kanë arritur gjithashtu ekipi i Emergjencës dhe ai i Zjarrfikësve. Mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Personi i vdekur është një mashkull kosovar, 58 vjeç”.
Në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë e hetimeve të stacionit policor të Ferizajt dhe ato të Sektorit Rajonal.
Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.



