Vela: S’pres që Kosova të ketë prezencë të madhe në Gaza
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Vlera, nuk pret që të ketë shumë trupa të FSK-së në Gaza, pjesëmarrjen e të cilëve në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, e ka konfirmuar së fundmi kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
“Kosova e ka interes jetik të jetë e rreshtuar përkrahë SHBA-ve. Pjesëmarrja e Kosovës besoj se do të jetë simbolike. Nuk pres prezencë jashtëzakonisht të madhe në terren. Ka diskutime të ndryshme për numrin e pjesëtarëve që do të jenë por gjithsesi varet se çfarë roli do të kenë ata”, ka thënë Vela në “Interaktiv” në KTV.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të hënën ka thënë se FSK-ja do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare për Gazën. Kurti theksoi se FSK-ja shquhet ndërkombëtarisht sa i përket kërkim-shpëtimit e de-minimit, dhe jo vetëm, prandaj kanë qenë të gatshëm të marrin pjesë.
Jasper Jeffers, komandanti i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë, ka bërë të ditur më 18 shkurt, në takimin e parë të Bordit të Paqes, se Kosova është zotuar për të çuar trupa me qëllim të ofrimit të sigurisë në Gazë.
Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria, janë pesë shtetet e para që kanë dhënë zotimin sipas tij.
Ai ka thënë se qëllimi i fazës së parë është për dislokim në nisjen e ofrimit të sigurisë dhe për trajnimin e policisë, deri në arritjen e qëllimit të sigurisë së plotë.
Kjo forcë ndërkombëtare do t’i ketë deri 25 mijë ushtarë e 12 mijë policë amerikanë në fazën finale, në zonën e prekur nga lufta.



