
Veliu: Kthimi në punë i serbëve është diskutuar në Bruksel kur u arrit marrëveshja për targat
Ish-ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Agim Veliu, që aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dyshon se në Bruksel është diskutuar edhe çështja e kthimit në punë të serbëve, përfshirë këtu policët, gjyqtarët, prokurorët dhe disa të tjerë.
Veliu ka thënë se kjo çështje është diskutuar në momentin kur është arritur marrëveshja për targat.
“Edhe pse nuk ka informacion nga qeveria për marrëveshje për targat, unë besoj se edhe ky element është diskutuar mes palëve! Unë së paku kështu mendoj!”, ka thënë ai për gazeta “Blic”.
Policë, gjyqtarë e prokurorë dhe stafi administrativ është tërhequr nga vendet e tyre të punës në institucionet e Kosovës pasi u ka “mbetur hatri” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale “KM”, “PR”, “PZ” e të tjera , vendim ky që ka “rënë në ujë” pas një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.