
Vëllezërit Latifi me mërzi të madhe i thonë lamtumirë vëllait që vdiq nga Covidi
Sot i është dhënë lamtumira e fundit vëllait të kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifit, veprimtarit Adem (Malush) Latifi, i cili disa ditë më parë ishte infektuar me virusin Korona dhe gjendja e tij ishte është përkeqësuar ditët e fundit saqë edhe solli vdekjen e tij. Pas kumtit të dhënë për vdekjen e Adem Latifit nga struktura të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, atë e kanë përkujtuar edhe dy vëllezërit e tij, Smajli dhe Tahiri. Më poshtë, tekstet përkujtimore të dy vëllezërve të Ademit, Smajlit dhe Tahirit. Ky i fundit është profesor në Universitetin e Prishtinës:
E rëndë, shumë e rëndë ndarja nga ti, baca Adem!
Më ishe më shumë se vëlla. I gatshëm të përqafoje idetë përparimtare dhe gjithmonë i preokupuar për të mirën e përgjithshme. Ishe shtyllë e fortë ku mbështetej familja jonë. I thjeshtë, parimor dhe i përmbajtur si rrallë të tjerë, i kreve pa u ndjerë obligimet familjare e shoqërore me përkushtim. Dallgët e jetës të goditën, por nuk u theve dot. Të mposhti sëmundja që po bën kërdi në mbarë botën, por tani e kuptuam edhe më mirë sa shumë të kemi dashur. Mungesën tënde do ta ndjejmë, jo vetëm ne familjarët, por edhe shoqëria e ngushtë dhe e gjerë.
Shembull i punës e i përkushtimit për të mirën e përgjithshme dhe punëtor i pafjalë e shembullor.
Varrimi bëhet sot me datë 1 gusht 2020 në ora: 18:00, në varrezat e fshatit Ratkoc.
Prehu në paqe, baca im Adem!
Të pikëlluar familja Latifi!
Smajl Latifi
Shumë i shtrenjti vëlla,
Po më dridhen duart, më janë mbyllur sytë nga lotët. Na këpute në shpirt, o baca Dem!
Pse bre kaq herët!
Prehu në paqe o Vëlla!
Tahir Latifi
(Epoka e re)