Vendbanimi më i vjetër liqenor në Evropë zbulohet në Shqipëri

18 korrik 2025 | 10:37

Një ekip arkeologësh nga Zvicra dhe Shqipëria kanë zbuluar një nga vendbanimet më të vjetra të njohura ndonjëherë në Evropë – dhe jo kudo, por në brigjet e Liqenit të Ohrit, në fshatin Lin.

Sipas agjencisë Reuters, bëhet fjalë për vendbanimin më të hershëm të ndërtuar ndonjëherë mbi ujë në një liqen evropian, që daton deri në 8,000 vjet më parë.

Zbulimet përfshijnë shtylla druri të përdorura për ndërtimin e shtëpive, eshtra kafshësh të egra dhe shtëpiake, si dhe objekte bakri e qeramike të punuara me mjeshtëri të rrallë.

Profesori Albert Hafner nga Universiteti i Bernës në Zvicër tha se vendbanimi i Linit është rreth 500 vjet më i vjetër se të tjerët të zbuluar në Alpe dhe rajonin mesdhetar.

“Meqenëse është nën ujë, materiali organik është i ruajtur mirë dhe kjo na lejon të zbulojmë se çfarë kanë ngrënë këta njerëz, çfarë kanë mbjellë,” tha Hafner.

Ekipi ka mbledhur mbi 1,000 mostra druri, që do të analizohen përmes metodës së dendrokronologjisë dhe radiokarbonit, për të përcaktuar saktë kohën dhe stilin e jetës së komunitetit të lashtë.

Sipas studimeve të deritanishme, zona mund të ketë strehuar qindra banorë dhe shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 6 hektarësh, edhe pse deri më tani është eksploruar vetëm 1% e territorit, pas gjashtë vitesh gërmimesh.

Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi thotë se për të zbuluar plotësisht këtë vendbanim mund të nevojiten dekada të tëra.

“(Nga) mënyra se si kishin jetuar, ngrënë, gjuajtur, peshkuar dhe nga mënyra se si arkitektura ishte përdorur për të ndërtuar vendbanimin e tyre, mund të themi se ishin shumë të zgjuar për atë kohë”, tha ai.

Zbulimi shihet si një dëshmi e rëndësishme që tregon për rolin e Ballkanit në përhapjen e bujqësisë dhe blegtorisë në Evropën e hershme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një zhvillim të pazakontë, autoritetet gjermane kanë hartuar një…