Vendi në zgjedhje, Gërvalla njofton se po kërkojnë t’i punësojnë 50 zyrtarë korrektues
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka njoftuar se është hapur konkurs për rekrutimin e 50 zyrtarëve korrektues, ndërsa vendi do të mbajë zgjedhje të reja parlamentare më 7 qershor.
“Hapet konkursi për rekrutimin e 50 zyrtarëve korrektues në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës”.
“Ftohen të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale të aplikojnë për t’u bërë pjesë e një prej institucioneve kyçe të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Ajo ka njoftuar se në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan konkursi është i hapur për 15 pozita, në Qendrën Korrektuese në Dubravë për 15 pozita, ndërsa në Burgun e Sigurisë së Lartë 20 pozita.
Afati i aplikimit, siç ka njoftuar Gërvalla- Schwarz është prej 20 majit deri më 19 qershor.



