Vendimi i Speciales, Gucati: Ngjan me hakmarrje politike, padrejtësi e rëndë

16 korrik 2025 | 12:54

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar pasi Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar mocionin e përbashkët të avokatëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’i hequr nga aktakuza disa pjesë, përfshirë incidente që sipas mbrojtjes binin jashtë periudhës së konfliktit të armatosur, duke e cilësuar të njëjtin vendim si të padrejtë dhe arbitrar.

Gucati ka deklaruar vendimi se është padrejtësi dhe  i ngjan  një hakmarrje  politike. “Sot, çlirimtarët e Kosovës, burrat që i prinë luftës për çlirim, duhej të liroheshin dhe të ktheheshin në atdhe, pranë familjeve të tyre dhe popullit që i do dhe i respekton. Ata nuk meritojnë të mbahen pas grilave, ata meritojnë nderim dhe përkrahje”, ka shkruar Gucati në “Facebook”.

Postimi i plotë i Gucatit:

Sot, bashkë me miq dhe bashkatdhetarë, ishim të pranishëm në seancën e Gjykatës Speciale, ku me një vendim të padrejtë dhe arbitrar, u hodh poshtë mocioni i mbrojtjes për lirimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në fuqi të gjitha akuzat.

Kjo nuk është drejtësi. Kjo është një padrejtësi e rëndë që po i bëhet luftës sonë të drejtë për liri. Është një vendim që më shumë ngjan me hakmarrje politike sesa me një proces të drejtë gjyqësor.

Sot, çlirimtarët e Kosovës, burrat që i prinë luftës për çlirim, duhej të liroheshin dhe të ktheheshin në atdhe, pranë familjeve të tyre dhe popullit që i do dhe i respekton. Ata nuk meritojnë të mbahen pas grilave, ata meritojnë nderim dhe përkrahje.

U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, nga Presidentja, Kryeministri e deri te Kuvendi, që të reagojnë me forcën dhe dinjitetin që kërkon kjo situatë. Nuk mjafton vetëm heshtja apo deklaratat formale  kërkohet që Kosova zyrtare të dalë hapur në mbështetje të bijve të saj që u flijuan për lirinë që sot ne e gëzojmë.

Liria nuk është krim. Lufta jonë nuk ishte luftë pushtuese, por një betejë për jetë, dinjitet dhe të drejtë. Është koha të jemi të bashkuar dhe të vendosur për të mbrojtur vlerat tona, historinë tonë dhe ata që e shkruan me gjak lirinë tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), Zyra e Kryeprokurorit të…