“Vendimi për 100 euro është për blerje vote, keqpërdorim i parasë publike
Praktikën për hapjen e kuletës së shtetit në prag të një procesi zgjedhor, qeveria në detyrë e vazhdoi edhe me vendimin e fundit për ndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët. Ky vendim në kulm të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që mbahen të dielën, ka ngjallur valë reagimesh.
Ish-ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, thotë se vendimi për 100 euro për këto kategori ka qëllim elektoral dhe se qeveria në detyrë është duke abuzuar me buxhetin e shtetit.
“Me dhurata tri ditë para zgjedhjeve nuk ndërtohet një shtet ku sundon rendi dhe ligji aty ku tentohet te blihet vota. Këto kategori duhet të mbështeten çdo herë brenda viti e jo në prag të zgjedhjeve shihet shume qartë se vendimi s’ka pasur qëllim social por elektoral. Ky vendim nëse analizohet nga prizmi i vendimit të gjykatës është në kundërshtim dhe çdo vendim i tillë është abuzim, keqpërdorim i parasë publike”, tha ai për rtv21.
Se vendimi i qeverisë në detyrë për ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët është keqpërdorim i parasë publike për fushatë zgjedhore e thotë edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
“Ndarja e një buxheti të ri është një dëshmi që buxheti i republikës është duke u keqpërdorur për kampanjë zgjedhore. Duhet ta kuptojnë politikanët se vota nuk blihet por fitohet. Çka e karakterizon këtë anarki që e ka kapluar Kosovën është fakti që ka ndryshuar vetëm forma e korrupsionit derisa në të kallurën janë dhënë tender dhe janë ble vota në mënyrë të drejtpërdrejt tanimë në mënyrë zyrtare e institucionale po tentohet të blihet vota qoftë nga pensionistët e studentët….”, u shpreh Gërxhaliu.
Për ndarjen e 100 eurove kryeministri në detyrë Kurti, është arsyetuar se është praktikë e qeverisjes së tij.
“A kanë qenë ato shtesa edhe vitin e kaluar, a kanë qenë edhe para vitit të kaluar çdo herë para vitit të ri kur kemi dimër dhe kemi festa ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët nuk ka asgjë të re në këtë aspekt”.
Por, vendimi i qeverisë në detyrë për ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët është edhe i kundërligjshëm, thotë avokati Ardian Bajraktari.
“Këto mjete s’kanë qenë të parapara në ligjet respektive që e bën vendimin për nga përmbajtja ligjore të cenueshëm dhe në kundërshtim me ligjin, për me tepër edhe koha kur është marrë vendimi natyrisht që s’do mend që është për çështje të aspekteve elektorale pavarësisht që për bindjen time kategoritë e tilla kanë nevojë për mbështetje në mënyrë ta vazhdueshme jo vetëm për fundit por mënyra e marrjes së këtij vendimin dhe koha e aq më tepër nga një qeveri e cila siç dihet ka vendime gjyqësore që konsideron se vendimet e tilla janë në shpërputhje me parametrat kushtetues dhe ligjorë natyrisht që nuk do duhej të ndodhte”.
Një vendim të ngjashëm qeveria në detyrë e kishte marrë edhe në prag të zgjedhjeve lokale duke ndarë 100 euro për studentët, vendimi i cili po ashtu ishte cilësuar si tentativë për blerje vote.



