Vendimi për kufizimin e lëvizjes në ditët e dhënies së ndihmave sociale rrezikoi 28 mijë familje!

13 prill 2020 | 19:19

“Për shkak të kufizimit të lëvizjes nga qeveria, që për pasojë pati grumbullimin e njerëzve para sporteleve ku shpërndaheshin ndihmat sociale, mund të ketë pasoja të paparashikueshme!” / Bilall Sherifi

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka kritikuar qeverinë në detyrë për masat e kufizimit të lëvizjes.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se pasojë e këtij vendimi ishte grumbullimi i njerëzve para sporteleve ku shpërndaheshin ndihmat sociale.

Sherifi ka bërë me dije se një veprim i tillë mund të ketë pasoja të paparashikueshme për këtë kategori të njerëzve.

Ai ka deklaruar se institucionet shoqërore përgjegjëse për pandeminë e kanë për obligim të nxjerrin si prioritet testimin e kësaj kategorie shtetërore, për të shmangur rreziqet e mundshme.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për situatën politike në vend dhe mundësinë e krijimit të një qeveri të re.

Sherifi ka deklaruar se është në dorën e deputetëve të vendosin nëse duan qeveri të re apo zgjedhje të reja.

“Deputetët kanë mandat nga sovrani dhe brenda mandatit të tyre kushtetues katërvjeçar mund të formojnë qeveri sa herë që 61 deputetë arrijnë të krijojnë një shumicë parlamentare, ose ta shpërndajnë Kuvendin, sa herë që për shpërndarje votojnë 80 deputetë”, ka thënë ai.

Muhamet Koci /’Epoka e re’

“Epoka e re”: Z. Sherifi, si po e menaxhon pandeminë qeveria në detyrë?
Bilall Sherifi: Në fillim duhet të tërheq vëmendjen në një aspekt të mobilizimit ndërkombëtar përballë rrezikut që i kanoset njerëzimit nga pandemia e COVID-19.
Në periudhat e kaluara historike, njerëzimi është ballafaquar me epidemi të ndryshme, disa prej të cilave kanë marrë jetën e gjysmës së popullsisë së vendeve të goditura nga viruset të ndryshme. Organizata Botërore e Shëndetësisë jep të dhëna të shumta lidhur me pasojat e këtyre sëmundjeve. Vetëm në shekullin e kaluar kemi me dhjetëra milionë të vdekur anekënd botës. Në rastin e pandemisë COVID-19 kemi një ndryshim rrënjësor: për herë të parë në historinë e njerëzimit, jeta e njeriut vihet përpara interesave ekonomike. Mjafton t’i hedhim një sy zhvillimeve në botë dhe të shohim vendimet specifike të çdo shteti dhe masat e ndërmarra për të mbrojtur popullsitë e tyre. Në këtë kontekst global, ku çdo shoqëri ngërthen në vete edhe dallimet politike, ekonomike, fetare etj. tërë energjitë janë të përqendruara në atë si të kalohet kjo gjendje me pasoja sa më të vogla. Përveç atyre që janë të verbuar nga ideologjia partiake ose interesat e ngushta ekonomike, askush nuk është i interesuar të dështojnë masat e vendosura të qeverive të shteteve të tyre.
Në mungesë të një terapie adekuate që të luftohet ky virus vdekjeprurës, të gjitha masat parandaluese do të vlerësohen në përputhje me rezultatet përfundimtare që do të japin. Megjithatë, nuk duhet të harrohet se në rezultatet përfundimtare ndikim të madh do të ketë tërësia e vendimeve dhe masave të ndërmarra për zbatimin e tyre. Përplasjet në këtë situatë, për çfarëdo motivi qofshin, mund të vënë në rrezik jetën e qytetarëve të pafajshëm. Prandaj politika partiake duhet t’i lërë vendin udhëheqës ekspertëve mjekësorë dhe ky është kushti paraprak që të luftohet me sukses rreziku nga pandemia e COVID-19. Si qytetar i Kosovës jam duke respektuar tërësisht të gjitha masat në fuqi. A është vepruar mirë apo jo, do të na tregojë e ardhmja e afërt. Duhet të shpresojmë që, së paku, nuk kemi vepruar keq.
Sa i përket masave të ndërmarra nga qeveria në detyrë, do ta bëja vetëm një vërejtje dhe këtë vërejtje e bëj në cilësi të qytetarit të Kosovës. Më datë 31 mars, në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Kosovës solli vendim që 28 mijë familjeve që janë me asistencë sociale, t’i jap paradhënie edhe për muajin prill, për shkak se duhet të përballen me shpenzime në këtë kohë. Të mos harrojmë se që nga data 24 mars kishte hyrë në fuqi vendimi i qeverise me të cilin ndalohej qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00.
Kam frikë se tollovitë që u shkaktuan nëpër sportele ku shpërndaheshin këto ndihma mund të ketë pasoja të paparashikueshme në këtë kontekst pandemie, dhe mund t’i godasë pikërisht kategoritë shoqërore që janë më pak të mbrojtura.
Në cilësinë e qytetarit kam dëshirë të shpresoj që rreziku me të cilin ky vendim qeveritar i ka ballafaquar 28 mijë familje skamnorësh të mbetet vetëm në suaza të brengës dhe të mos shprehet me pasoja konkrete. Mirëpo, institucionet shoqërore përgjegjëse për pandeminë e kanë për obligim të nxjerrin si prioritet testimin e kësaj kategorie shtetërore, për të shmangur rreziqet e mundshme.

“Epoka e re”: Megjithëse vendimi i qeverisë për kufizim të lëvizjes doli jokushtetues, qeveria ende nuk ka vepruar në këtë drejtim?
Bilall Sherifi: Sa i përket kufizimit të lirive të qarkullimit në orë të caktuara, vërejtjet e mia thelbësore i thashë më lart. Ndërkaq, siç e kam theksuar në një qëndrim timin të publikuar në faqen time në “Facebook”, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nxori në dritë faktin e pakontestueshëm se fatkeqësisht përkujdesja për pushtet të qeveritarëve e zhvendosi në rend të dytë brengën për shëndetin e qytetarëve. Me një fjalë, qeveria shkeli Kushtetutën e Kosovës për të ruajtur pushtetin e vet, dhe jo për të ruajtur distancën shoqërore ndërmjet qytetarëve. Tani, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria në detyrë është e detyruar të veprojë në përputhje me këtë aktgjykim!

“Epoka e re”: Pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, presidenti disa herë ka kërkuar nga LV-ja emrin e ri të kandidatit për kryeministër. Kjo parti ende nuk i është përgjigjur presidentit, duke kërkuar zgjedhje të reja. Cila është alternativa për të dalë nga kjo situatë?
Bilall Sherifi: Kuvendi i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 ka mandat katërvjeçar. Është në dorën e deputetëve të vendosin nëse duan qeveri të re apo zgjedhje të reja. Deputetët kanë mandat nga sovrani dhe brenda mandatit të tyre kushtetues katërvjeçar mund të formojnë qeveri sa herë që 61 deputetë arrijnë të krijojnë një shumicë parlamentare, ose ta shpërndajnë Kuvendin, sa herë që për shpërndarje votojnë 80 deputetë.

“Epoka e re”: Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka kërkuar aprovim nga Këshilli i Përgjithshëm për një koalicion të mundshëm me AAK-në dhe Nismën. A është e gatshme Nisma për këtë koalicion?
Bilall Sherifi: Deputetët e Nismës kanë mbështetur mocionin e LDK-së! Duke pasur parasysh këtë fakt, kryetari i Nismës Fatmir Limaj është i autorizuar që në emër të Nismës të bisedojë me mandatarin e ardhshëm!

“Epoka e re”: Nëse bëhet ky koalicion, sa kohë duhet të zgjasë dhe cilat duhet të jenë objektivat e qeverisë së re?
Bilall Sherifi: Parimisht mandatet e qeverive zgjasin për aq kohë sa do të ketë mbështetjen e shumicës në Kuvend apo nuk shkarkohet nëpërmjet një mocioni mosbesimi! Cilat do të jenë detyrat e koalicionit të ri qeveritar dhe nëse do të kufizohet mandati i ardhshëm për një kohë më të shkurtër se ajo që e ka me kushtetutë, do të varet nga bisedimet që do të zhvillojë mandatari me partnerët e mundshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas personit të parë të infektuar me koronavirus në Han…