Vendoset gurthemeli i ndërtesës së re të Entit Special në Shtime

02 qershor 2025 | 16:00

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi, kanë qëndruar të hënën në komunën e Shtimes, me rastin e vendosjes së gurthemelit të ndërtesës së re të Entit Special në këtë qytet. Me ta bashkë ishte edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu.

Me një vlerë të investimit prej 6.3 milionë euro, ndërtesa e re e Entit Special do të përfshijë një sipërfaqe të gjithmbarshme prej 6800 metra katrorë. Kohëzgjatja e punimeve pritet të jetë dy vjet.

Duke e cilësuar si një ditë të rëndësishme për pacientët të cilët do t’i shfrytëzojnë këto hapësira të kësaj ndërtese të re, Kurti ka thënë se punimet për ndërtimin e Entit Special kanë qenë nevojë e kahershme për Komunën e Shtimes. Ai ka thënë se funksionalizmi dhe ndërtimi i këtij objekti të ri dhe zhvendosja nga ndërtesa e vjetër përbën një lajm të mirë për shëndetësinë në Republikën e Kosovës, e në veçanti për pacientët dhe për Komunën e Shtimes.

Në ceremoninë e vendosjes së këtij gurthemeli, Kurti, ka shprehur falënderimet e tij për kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ministrin Arben Vitia, si dhe drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi.

Ndërsa ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se objekti i vjetër i Entit Special në Shtime përkundër investimeve që janë bërë, kurrë nuk i ka plotësuar kriteret sa duhet për pacientët rezidencialë të cilëve u ofrohet mbështetje 24-orëshe.

Për realizimin e projektit, ai ka falënderuar kryetarin Aliu, i cili siç është shprehur ministri Vitia, me empatinë e një mjeku dhe me menaxhimin e jashtëzakonshëm si një kryetar komune ka insistuar që sa më parë të nisin punimet dhe kështu Enti Special të mund të ofrojë shërbime që plotësojnë nevojat e pacientëve nga i gjithë vendi.

Në anën tjetër, kryetari Aliu është shprehur shumë i lumtur për projektin për të cilin, ka thënë se janë zotuar para qytetarëve të Shtimes. Ai theksuar se ky ka qenë një obligim shoqëror dhe moral për të gjithë shtetin dhe shoqërinë tonë që këtyre pacientëve t’ju krijojmë kushte më të mirë dhe kjo po arrihet falë edhe mbështetjes së qeverisë, Kurtit dhe Vitisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas raportimeve nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, raundi i dytë…