Venezuela dëbon ambasadoren e Bashkimit Evropian

25 shkurt 2021 | 16:36

Venezuela ka urdhëruar ambasadoren e Bashkimit Evropian të lërë vendin pas sanksioneve të miratuara nga Brukseli.

Ambasadorja Isabel Brilante Pedrosa u shpall të mërkurën persona non grata pak orë pas vendimit të BE-së për të ndëshkuar me masa financiare dhe ndalim-udhëtimi 19 zyrtarë venezulianë, të konsideruar si rrezik për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut në Venezuelë.

Ministri i Jashtëm i vendit, Horhe Areaza, tha se diplomates evropiane iu lanë 72 orë kohë për t’u larguar nga territori.

“Shpresojmë të ketë reflektim nga ana e Bashkimit Evropian, që të mësojë t’i respektojë shtetet sovrane, të lira dhe të pavarura si Venezuela. Sot i thamë vetëm mirupafshim njëri-tjetrit, sepse lamtumira nuk do të na pëlqente,” tha ministri i jashtëm Jorge Arreaza.

Me sanksionet e fundit të Brukselit, shkon në 55 numri i personave me pushtet politik apo ushtarak që kanë lidhje të afërta me presidentin e Venezuelës, Nikola Maduro.

Partia e Maduros ka rritur pushtetin e saj pas zgjedhjeve të dhjetorit të cilat u bojkotuan nga grupimet e mëdha opozitare.

“Ose do e korrigjoni gabimin, ose me ju nuk do të ketë më raporte e dialog, zotërinj të Bashkimit Europian. Që ta dini, Venezuela ka dinjitet dhe di se si do i përgjigjet çdolloj agresioni, ngado që të vijë,” deklaroi Maduro.

Zëdhënësja e BE-së deklaroi se përjashtimi i ambasadores së tyre do e izolojë më tepër shtetin amerikanojugor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një gjykatë në Bosnje e Hercegovinë dënoi të enjten një…