Venezuela, superarma e naftës që Trumpi ka kundër Kinës
Ndërsa shumë liderë botërorë reaguan me tronditje dhe hutim ndaj marrjes së kontrollit të Venezuelës nga Donald Trumpi, mesazhi i Kinës ishte i qartë: lironi Nicolás Maduron.
“Kina u bën thirrje Shteteve të Bashkuara të garantojnë sigurinë personale të presidentit Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, t’i lirojnë menjëherë dhe të ndalojnë përmbysjen e qeverisë së Venezuelës,” deklaroi të dielën Ministria e Jashtme e Kinës.
Kjo thirrje, që duket e kotë, nënvizon një të vërtetë të qartë mbi ndërhyrjen amerikane: ajo përbën një goditje të rëndë për Kinën. “Çfarëdo që të thotë Trumpi, ky aksion ushtarak nuk ka pasur pothuajse aspak lidhje me trafikun e drogës dhe ka pasur shumë të bëjë me Kinën,” thotë Ashley Kelty, drejtore kërkimesh në bankën e investimeve Panmure Liberum. “Në fakt, Kina është humbësja më e madhe nga e gjithë kjo.”
Kina ka derdhur miliarda dollarë në industrinë e naftës së Venezuelës, e cila është nën sanksione të rënda, duke përfituar në këmbim karburant me çmime të ulëta. Tregtarët raportojnë se nafta e destinuar për Kinën është shitur deri në 14 dollarë për fuçi më lirë se çmimi Brent, një zbritje e konsiderueshme kur çmimi referencë është rreth 60 dollarë për fuçi.
Veprimi i Trumpit jo vetëm që rrezikon t’i presë Kinës këtë burim të lirë furnizimi, por i ofron edhe SHBA-së një rrugë drejt dominimit energjetik që mund ta ndihmojë të rivalizojë Kinën në teknologjitë e së ardhmes, si inteligjenca artificiale (IA).
Gjatë 20 viteve të fundit, Kina ka ushqyer forcën e vet industriale, rritjen ekonomike dhe ngritjen në skenën globale pjesërisht përmes zgjerimit të shpejtë të kapaciteteve të prodhimit të energjisë.
Në vitin 2024, Kina investoi 4,4% të PBB-së së saj në energji, krahasuar me 2% në SHBA. Sot, Kina konsumon ndjeshëm më shumë energji se SHBA-ja dhe ka kapacitet më të lartë prodhimi.
Eleminimi i diferencës është bërë thelbësor, ndërsa SHBA-ja përpiqet të ruajë epërsinë në garën për IA. Kjo teknologji mbështetet në qendra të dhënash që konsumojnë sasi të mëdha energjie dhe në Silicon Valley ka shqetësime se mungesa e investimeve do t’i lërë kompanitë amerikane prapa në vitet që vijnë. OpenAI, zhvilluesi i ChatGPT, e ka përdorur drejtpërdrejt kërcënimin kinez për t’i bërë thirrje Uashingtonit të vendosë një objektiv kombëtar për energjinë.
“Në vitin 2024, Republika Popullore e Kinës shtoi 429 gigavat kapacitet të ri energjetik, më shumë se një e treta e gjithë rrjetit amerikan dhe mbi gjysmën e rritjes globale të energjisë elektrike,” shkroi kompania në një letër të hapur vitin e kaluar. “SHBA-ja shtoi vetëm 51 gigavat, ose 12%.”
OpenAI i bëri thirrje qeverisë amerikane të vendosë një objektiv për ndërtimin e 100 gigavatëve kapacitet të ri në vit. Përveç kapacitetit, Kina ka disa prej kostove më të ulëta të energjisë në botë, pas investimeve masive në sektorin energjetik. Vetëm në vitin 2022, Pekini ofroi 2,2 trilionë dollarë subvencione për industrinë e karburanteve fosile, sipas FMN-së.
Tani Kina po përdor subvencione për të mbështetur industrinë e saj në zhvillim të IA. Qeveritë lokale po subvencionojnë faturat e energjisë për qendrat e të dhënave deri në 50%, raportoi Financial Times. Venezuela i jep SHBA-së një burim të gatshëm të naftës së rëndë, nga e cila varen rafineritë amerikane.
Vendi ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë, me rreth 303 miliardë fuçi nën tokë në vitin 2023, sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë. Kjo përbën rreth 17% të rezervave globale.
Shumica e këtyre rezervave ndodhen në brezin e Orinokos, një zonë prej rreth 54 mijë kilometrash katrorë përgjatë lumit Orinoko, ndërsa rezerva të konsiderueshme gjenden edhe nën Liqenin Marakaibo.
Megjithatë, pavarësisht pasurisë së madhe të naftës, prodhimi aktual i Venezuelës është i parëndësishëm në nivel global dhe popullsia jeton në varfëri. Prodhimi ra nga mbi 3 milionë fuçi në ditë në fillim të viteve 2000, në rreth 1 milion fuçi në ditë gjatë vitit të fundit.
Rënia e fortë ndodhi pasi ish-presidenti Hugo Chávez forcoi kontrollin mbi kompaninë shtetërore të naftës, PDVSA. “Sot Venezuela është në të njëjtin nivel me Libinë, Angolën dhe Kolumbinë, vende që përmenden rrallë në diskutimet mbi tregjet globale të naftës,” thotë Jeff Krimmel nga Krimmel Strategy Group. “Por ajo mund të ishte një nga lojtarët kryesorë.”
Trumpi shpreson ta përmbysë këtë rënie, duke i dhënë shtysë kompanive të mëdha amerikane të naftës dhe gazit. “Do të dërgojmë kompanitë tona gjigante të naftës, më të mëdhatë në botë, të investojnë miliarda dollarë, të rregullojnë infrastrukturën e shkatërruar dhe të fillojnë të krijojnë të ardhura për vendin,” tha ai të shtunën.
Venezuela shtetëzoi industrinë e naftës në vitin 1975, duke lënë kompanitë amerikane, përfshirë ato që sot janë ExxonMobil dhe Chevron, me humbje të mëdha. Chevron është e vetmja kompani amerikane që operon ende në vend, por në shkallë shumë më të vogël dhe nën mbikëqyrje të fortë shtetërore.
Tani, shumë nga kompanitë që humbën në vitet ’70 mund të përfitojnë nga rihapja e vendburimeve gjigante të naftës.
Në Wall Street, disa po shqyrtojnë tashmë mundësi investimi. Rreth 20 drejtues biznesi, përfshirë përfaqësues të fondeve kryesore spekulative, po përgatiten për një vizitë në Karakas në mars, për të vlerësuar investime në energji dhe infrastrukturë, sipas Wall Street Journal.
Ndërkohë, janë neutralizuar edhe kërcënime të tjera. Venezuela ka pretendime territoriale ndaj Guajanës, e cila kohët e fundit ka zbuluar rezerva të mëdha nafte. Një rritje e shpejtë e prodhimit, e udhëhequr nga Chevron dhe ExxonMobil, çoi në një rritje të PBB-së së Guajanës me 43,6% në vitin 2024.
Tani, me Trumpin në kontroll, kompanitë amerikane nuk kanë më arsye të shqetësohen. “Kina humbet akses në naftë të rëndë dhe ndikim në Amerikën Latine,” përfundon Kelty. “Dhe për SHBA-në, kjo është një fitore strategjike.”
Në fund të fundit, siç thoshte miku i vjetër i Trumpit, Henry Kissinger: “Kush kontrollon naftën, kontrollon kombet.” / The Telegraph – Bota.al



