
Vengu falënderon Emiratet për ndihmën në luftën kundër zjarreve
Ai theksoi se solidariteti, profesionalizmi dhe bashkëpunimi i ngushtë i partnerëve ndërkombëtarë janë shembull i një partneriteti të vërtetë, që lejon Shqipërinë të përballojë sfida të mëdha emergjencash civile.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka shprehur sot mirënjohjen e `everisë shqiptare ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët gjatë tre javëve të fundit kontribuan në përballimin e zjarreve që kanë përfshirë vendin.
“Për tre javë rresht, 72 efektivë dhe dy helikopterë Black Hawk nga Emiratet u angazhuan në dhjetëra operacione nga ajri dhe toka, duke punuar krah për krah me trupat shqiptare. Ky bashkëpunim ka qenë vendimtar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe të pasurive natyrore”, ka deklaruar ministri Vengu.
Ai ka thënë se solidariteti, profesionalizmi dhe bashkëpunimi i ngushtë i partnerëve ndërkombëtarë janë shembull i një partneriteti të vërtetë, që lejon Shqipërinë të përballojë sfida të mëdha emergjencash civile.
“Ndihma e Emirateve të Bashkuara Arabe tregon se solidariteti ndërkombëtar është çelësi për të përballuar fatkeqësi natyrore. Efektivët dhe helikopterët e tyre, së bashku me trupat tona, kanë mbrojtur jetë dhe natyrë me përkushtim dhe sakrificë”, ka thënë ai.
Deklarata e tij vjen në një periudhë ku rreziku nga zjarret ka qenë i lartë, dhe ku bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë vendimtar për minimizimin e pasojave dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.