Vepër e një rëndësie të madhe historike

08 gusht 2022 | 16:01

(Bardhyl Mahmuti, «Eskadronët e vdekjes», botuar nga Qendra Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur, 2021)

Shkruan: Ismet Rashiti

Mund të them pa frikë se romani me titull «Eskadronët e vdekjes» i autorit, Bardhyl Mahmuti është ndër kronikat më të mira, ose thënë ndryshe kronika më e rëndësishme historike lidhur me gjenocidin shtetëror të Serbisë në Kosovë dhe ndaj intelektualëve serbë që përpiqeshin ta thonin të vërtetën lidhur me masakrat që po ndodhnin kundër shqiptarëve, pa përjashtim.

«Eskadronët e vdekjes» është roman historik, në formën e një kronike letrare me temë nga zhvillimet e fundit politike të ekzistencës së Jugosllavisë së Tretë, atëherë kurë doli sheshit politika anitshqiptare, e cila për nga forma e propagandës, mjeteve të dhunshme, ndjekjeve, torturave dhe vrasjeve të fshehta, ishte identike me metodat që praktikonte Rajhu i Tretë kundër çështjes hebraike. Zatën kjo është periudha më famëkeqe, kur terrori i organizuar shtetëror serb, nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit, kishte marrë përmasa të gjithanshme gjenocidale.

Jo rastësisht, Sadiku, një personazh shqiptar, i zënë rob dhe i mbajtur në kampet e tmerrit serb, i krahasonte eskadronët e vdekjes me «Einsatzgruppen» nazist që kryente krimet më të mëdha. Bie fjala si Vllajko Stojilkoviq që ishte një Hajnrih Himler që kontrollonte grupet e tmerrit, apo Radomir Markoviqi një Ernest Kaltenbruner që koordinonte aksionet raciste e çnjerëzore kundër shqiptarëve dhe të tjerëve joshqiptarë që përpiqeshin për liri kombëtare apo për liri të mendimit dhe shprehjes ndaj së vërtetës.

Thënë ndryshe, përmes formave të dhunës shtetërore kundër paqes dhe lirisë së tjetrit, ishte ngulfatur çdo argument publik , çdo mendim i lirë, apo lëvizje demokratike. Ata intelektualë serbë, siç ishte Mafi L. që kishin marrë guximin të shkruante të vërtetën, ndiqeshin, burgoseshin dhe likuidoheshin nga eskadronët e vdekjes të cilët frymëzoheshin, financoheshin dhe përgatiteshin nga shteti serb për zhdukjen e tyre me çdo kusht dhe pa zgjedhur asnjë formë të dhunës.

Romani historik, «Eskadronët e vdekjes», është i ndarë në nëtë pjesë, të cilat në tërësi dhe në mënyrë kronologjike paraqesin dramën e madhe kundër njerëzimit, duke filluar nga kurdisjet, përgjimet, maltretimet në hetuesi, burgosjet pa gjyq, deri tek likuidimet fizike dhe zhdukjen e kufomave për shkak publikimit të së vërtetës, siç ishte rasti i gazetarëve serbë, Sllavko Quruvija dhe Millan Pantiq. Të gjitha këto sipas skenarëve ogurzi të shtetit serb përmes vrastarëve të pashpirt dhe ushujzave që nuk ngopeshin me gjakun e njerëzve të pafajshëm.

Romani «Eskadronët e vdekjes», i autorit Bardhyl Mahmuti, është dëshmia më e mirë për periudhën më të rëndë që përjetuan shqiptarët nën regjimin e Sllobodan MIllosheviqit të ushtruar përmes eskadronëve të vdekjes të përgatitur nga kolonelët apo komandantët e policisë dhe ushtrisë serbe.

Flakës së gjenocidit nuk mund t’i shpëtonin as fëmijët e posalindur, gratë shtatëzana, pleqtë dhe të sëmuarit. Kjo dëshmohet përmes personazheve reale dhe imagjinarë të cilët janë dëshmi e një periudhe të rëndë nën regjimin totalitar që përpiqej të mbijetonte përmes metodave të frikës, dhunës, shfarosjes në masë të njeriut, deri te toka e djegur dhe humbja e gjurmëve.

Fati i personazheve të romanit «Eskadronët e vdekjes», si ai i Mifi L. në fakt është fati i njerëzve, apo popujve të robëruar nën sundimin e egër të një politike shoviniste dhe raciste që të vetmin fakt e kishte dhunën dhe vrasjet individuale dhe në masë, përmes grupeve të përgatitura shtetërore me emra të ndryshëm si «Beretat e kuqe» «Klani i Zemunit» e tjerë që përmes skenarëve të improvizuar si rasti «Panda» në Pejë, krijonin pretekste që të kryenin masakra ndaj civilëve shqiptarë dhe të humbnin gjurmët duke i hedhur trupat e tyre në Danub me kamionët frigorifer, ti djegnin furrat e shkitoreve apo ti hidhnin në humbënera të thella të Batajnicës.
Kjo dëshmohet edhe përmes shënimeve të sakta lidhur me masakrat e shumta në Kosovë si në Drenicë, Gjakovë, Rahovec, Therandë, Pejë e në shumë vende tjera anë e mbanë Kosovës, ku aksionet i udhëhiqnin eskadronët e vdekjes sipas programeve për zhdukjen e shqiptarëve, të «kësaj fare të keqe», siç propagandonin eskadronët, e «Beretave të kuqe», në krye me komandantin Millorad Ullemek-Llegija, apo Klani i Zemunit, i udhëhequr nga vrasësi, Dushan Spasojeviq që për ironi mbante nofkën «Shqiptari».

Faktet e shumta dhe të pakontestueshme që sjell romani historik «Eskadronët e vdekjes», nuk kanë si të mos e rrëqethin çdo njeri normal. Stili i të shkruarit dhe mënyra e të rrëfyerit për ngjarje të rënda, për dhunë të paparë nëpër qelitë e errëta e trishtuese, për mënyrën brutale të sjelljes së beretkuqëve dhe kolonelëve dhe inskenimet makabre të organeve të pushtetit serb, janë dëshmi të argumentuara që kanë emër, mbiemër, vend dhe kohë kur janë kryer, si janë planifikuar, kush dhe ku i ka kryer.

Romani historik sipas kronikës së një kohe të rëndë është shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, të pasur dhe tërheqëse që nuk të lëshon së lexuari.
Autori i kësaj vepre me vlerë dhe rëndësi të madhe, politikologu i njohur, Bardhyl Mahmuti, përmes romanit e tij, «Eskadronët e vdekjes», ka hedhur dritë mbi të vërtetën lidhur me luftën çlirimtare të popullit shqiptar që ishte përhapur me shpejtësi dhe përkrahej nga mbarë opinioni demokratik botëror, në njërën anë, dhe nga ana tjetër luftën e Serbisë që përpiqej ta ngufaste me dhunë çdo lëvizje demokratike brenda dhe jashtë saj.

Ndryshimet që kishin ndodhur në prill të vitit 2003, përmes gjendjes së jashtëzakonshme rezultuan se gjatë dyzet ditëve sa kishte zgjatur operacioni i policisë «Sablja» të paraburgosën 11665 pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme, të Shërbimit Sekret, të eskadronëve të vdekjes dhe grupeve tjera kriminale që kishin vepruar si një strukturë e përbashkët, por me role të ndryshme për ushtrimin e dhunës, gjenocidit dhe tokës së djegur në Kosovë dhe gjetiu.

Ky ndryshim i vogël zbuloi edhe vrasjen e Zoran Gjingjiqit, ku kishte qenë i përfshirë edhe Komandanti i beretave të kuqe, Ullemek-Legija dhe të vrasjes së Ivan Stambolliqit me dy plumba në Frushka Gora dhe të hedhur pastaj në gropë të gëlqeres.

Ndonëse, në Serbi, u dukën disa shkëndija demokratike, pas dërgimit të Millosheviqit në Hagë, sërish pjesa më e madhe e eskadoronëve të vdekjes mbetën të pandëshkuar dhe përbrenda strukturave shtetërore të Serbisë, nën udhjehqjen e Aleksandër Vuqiqit, zëdhënësit i politikës shtetërore shoviniste të Millosheviqit.

Romani historik, «Eskadronët e vdekjes», radhitet ndër veprat më të mira të botuara gjatë dy dekadave të fundit. Kjo se për shkak se Bardhyl Mahmuti si politikolog, si kronist i përkushtuar, si i përndjekur dhe i burgosur politik nën regjimin e ish Jugosllavisë, ka përjetuar mbi supe, sikurse mijëra të burgosur politikë shqiptarë, pothuaj të njëjta metoda të dhunës dhe represionit në burgjet serbe.

Kjo ka bërë që autori, përveç se ka përcjell me vëmendje të gjitha zhvillimet politike gjatë kësaj zezone, ka arritur ta njoh nga afër edhe anën psikologjike dhe metodat që përdorin eskadronët për realizimin e qëllimit dhe planeve të tyre shfarosëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Ponte Prizreni po vazhdon me përforcime për sezonin e…