
Veprimtari Nufri Lekaj, libër mirënjohës për rolin e të huajve në proceset e Kosovës
Veprimtari Nufri Lekaj sot ka dorëzuar në shtyp, te shtëpia botuese “Armagedoni”, librin “Norwegians and other foreigners who greatly helped make peace in Kosova”.
Botuesi Berat Dakaj, në llogarinë e vet në “Facebook”, ka njoftuar se: “Kontributin e madh të miqve ndërkombëtarë jo vetëm për pavarësinë e Kosovës, por edhe për shumë çështje me të cilat janë përballur shqiptarët ndër vite para pavarësisë e për të cilat kanë gjetur përkrahje te miqtë norvegjezë dhe te shumë të tjerë, veprimtari Nufri Lekaj e ka përmbledhur në këtë libër, në shenjë mirënjohjeje për të gjithë të huajt dhe për rolin e tyre në dhe për Kosovën.
Ky rrugëtim i përbashkët, i personaliteteve të ndryshme të Kosovës, i ndërtuar mbi besnikëri të ndërsjellë me aleatë, nuk solli vetëm një fitore ushtarake por, mbi të gjitha, një fitore njerëzore dhe dinjitoze, e cila parandaloi shndërrimin e konfliktit të Kosovës në një konflikt me përmasa rajonale dhe hapi horizonte të reja për një rajon më demokratik, më paqësor dhe më pranë familjes euroatlantike.
Librin e Nufriut, të cilin e faqosëm sot, do ta dorëzojmë në shtyp nesër.
Pas nja dhjetë ditësh, në bashkëpunim me të, do të fillojmë ta shpërndajmë falas nëpër institucione lokale dhe qendrore të Kosovës. Po ashtu, do t’u dhurohet kontribuuesve ndërkombëtarë të paqes në Kosovë në shenjë falënderimi.
I shpreh falënderim të përzemërt autorit për bashkëpunim, durim (për kohën) dhe besim. Gjithashtu, edhe vëllait të tij, politologut Fatmir Lekaj, me të cilin ka vite që bashkëpunojmë shumë korrektësisht”.
Në këtë libër autori Nufri Lekaj synon të shprehë mirënjohje, në mënyrë të përgjithshme, për të gjithë miqtë ndërkombëtarë që ndihmuan Kosovën në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Një vëmendje e posaçme i kushtohet kontributit norvegjez-skandinav. Duke u mbështetur në dokumentacion të pasur arkivor dhe faktologjik, si dhe në përvojën e tij personale si bashkëpunëtor dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i këtyre zhvillimeve, autori e analizon dhe e paraqet me qartësi dhe argumentim të plotë impaktin e ndihmës së ofruar.
Në këtë kuadër libri përfaqëson një përpjekje për ta ndërthurur dimensionin e mirënjohjes me një analizë të mbështetur në evidenca të dokumentuara mbi ndihmën dhe mbështetjen ndërkombëtare. Qëllimi është që falënderimi të mos mbetet në nivelin e një deklarimi formal, por të fitojë vlerë studimore përmes mbështetjes në burime empirike: dokumente arkivore, të dhëna të verifikuara dhe dëshmi të drejtpërdrejta.
Kësisoj, ky libër fiton një vlerë të shumëfishtë: nga njëra anë, si reflektim dhe shprehje mirënjohjeje për solidaritetin ndërkombëtar dhe, nga ana tjetër, si analizë e strukturuar mbi ndikimin e këtij solidariteti në konsolidimin e proceseve të çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës. Pozicioni i autorit – në cilësinë e bashkëpunëtorit dhe dëshmitarit të drejtpërdrejtë të një pjese të këtyre zhvillimeve – i jep veprës një dimension të shtuar autenticiteti dhe një vlerë të veçantë interpretative.
Motivimi i miqve ndërkombëtarë për ta ndihmuar Kosovën nuk konceptohet si një pozicionim pro-shqiptar apo anti-serb, por si një manifestim parimor i solidaritetit normativ me kërkesat legjitime të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi. Ky solidaritet dhe mbështetje interpretohen në mënyrë konkrete si reagime ndaj shkeljeve sistematike të të drejtave themelore të njeriut dhe ndaj praktikave represive të regjimit të Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Rrjedhimisht, autori na mundëson të kuptojmë se aleanca midis miqve ndërkombëtarë dhe shqiptarëve të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë – e cila nënkupton pajtimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari, pa dallim – mund të karakterizohet si një “aleancë e dinjitetit”. Njëherësh, autori thekson se ndihma ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nuk duhet parë si një rast krejtësisht i izoluar, ngaqë historia dëshmon se asnjë popull nuk është çliruar plotësisht vetë dhe asnjë shtet nuk është formuar krejtësisht në mënyrë të pavarur, pa ndihmën – më të madhe ose më të vogël – të të tjerëve.
Motivacionin e tij për ta shprehur publikisht mirënjohjen për miqtë ndërkombëtarë, përmes këtij libri, autori e mbështet si në traditën shqiptare – ku mirënjohja konsiderohet virtyt i çmuar – ashtu edhe në një prej postulateve të etikës universale kantiane, sipas së cilës, “mirënjohja është detyrë e shenjtë”. Për më tepër, edhe pse një përmbledhje e plotë e kontributeve të hollësishme të të gjithë të huajve për arritjen e paqes në Kosovë është e pamundur të përfshihet në një libër të vetëm, autori thekson se ky libër u dedikohet si shenjë mirënjohjeje të gjithë të huajve për rolin e tyre në këtë proces.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i librit është paraqitja e një kronologjie të ngjarjeve që lidhen me të vërtetën historike mbi Kosovën, e mbështetur kryesisht në burime të autorëve të huaj, të cilat konsiderohen më të besueshme në vlerësim. Njëkohësisht, kjo kronologji u shërben lexuesve – veçanërisht atyre ndërkombëtarë – për të pasur një pasqyrë të qartë dhe të strukturuar të kontekstit historik brenda të cilit ndihma ndërkombëtare mori formë dhe ndikim, duke treguar se kjo ndihmë nuk ishte vetëm e drejtë dhe e domosdoshme, por edhe e vonuar, sidomos në kuptimin që shqiptarët e Kosovës me vise si popullatë indigjene, jo vetëm u persekutuan vazhdimisht nga regjimet e Beogradit që prej vitit 1912, por edhe në fillim të viteve ’90, kur shumica e popujve të tjerë të Jugosllavisë zgjodhën rrugën e luftës, bënë gjithçka për ta shmangur atë. Me durim dhe dinjitet ata mbetën besnikë ndaj këshillave dhe bashkëpunimit me miqtë ndërkombëtarë, duke vlerësuar se rruga paqësore ishte mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të drejtë për çështjen e Kosovës. Edhe kur lufta u bë e pashmangshme – dhe për këtë arsye krejtësisht legjitime – shqiptarët e Kosovës nuk u shkëputën nga miqtë e tyre ndërkombëtarë, por ecën krah për krah me ta, në një aleancë dinjitoze për paqen. Ky rrugëtim i përbashkët, i ndërtuar mbi besnikëri të ndërsjellë, nuk solli vetëm një fitore ushtarake por, mbi të gjitha, një fitore njerëzore dhe dinjitoze, e cila parandaloi shndërrimin e konfliktit të Kosovës në një konflikt kronik me përmasa rajonale dhe hapi horizonte të reja për një rajon më demokratik, më paqësor dhe më pranë familjes euroatlantike.
Autori ka zgjedhur që ky libër të botohet nga një shtëpi botuese e Kosovës, me qëllim që, si shenjë mirënjohjeje, t’u dhurohet miqve ndërkombëtarë dhe institucioneve relevante ndërkombëtare jo vetëm në emër të tij personal, por edhe në emër të Kosovës në tërësi. Për këtë arsye, botimi është realizuar pa synim përfitimi komercial dhe në gjuhën angleze, me qëllim që të jetë i qasshëm falas në versionin e shtypur për një pjesë të gjerë dhe relevante të lexuesve ndërkombëtarë. Për më tepër, ai do të vihet në dispozicion edhe në formë elektronike online, duke u bërë kështu i arritshëm për të gjithë lexuesit e interesuar kudo që ndodhen.
Shkrimtari i shquar norvegjez, njëherësh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Norvegjezë të Letërsisë Jofiksionale (2021-2025), Aage Borchgrevink, e vlerëson këtë libër si një vepër të rëndësishme, e cila, njëkohësisht, ngjall emocione të fuqishme mbi ngjarjet në Kosovë. Ai e konsideron, gjithashtu, si një dëshmi të qartë se humanizmi ka qenë busulla morale e procesit të çlirimit dhe se pavarësia nuk u fitua vetëm me armë, por edhe me dinjitetin e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, si dhe me guximin e shoqërisë së Kosovës për të ecur në rrugën e pajtimit.
Shënime për autorin e librit
Nufri Lekaj rrjedh nga një familje e fshatit Koshutan të Rugovës, e vëllazërisë Muriqi, përkatësisht pasardhëse e Gjekë Prenit (i njohur edhe si Gjekë Stanishi – Rugovalia), i cili la pas vetes katër djem të vëllazërisë Muriqi (Dedën, Lekën, Lucën dhe Palin), me të cilët kishte organizuar edhe rezistencën e parë në Rugovë kundër Perandorisë Osmane, para rreth 400 vjetësh. Si pasardhës i Lekë Gjekës, Nufriu e mban me krenari mbiemrin Lekaj (Lekmuriqi). Babai i Nufriut, Rexhepi, ka qenë pjesëmarrës i Lëvizjes Kaçake të Rugovës kundër ripushtimit të Kosovës nga Serbia e, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për t’iu shmangur burgosjes, arratiset në krahinën e Plavë – Gucisë, ku i kishte dajallarët (pasardhësit e Alush Smajlit të Hotit) dhe, gjithashtu, nipat (në fshatin Hakaj të Plavë – Gucisë). Në këtë vazhdë, martohet me Hasnije Feratajn, të bijën e Ramë Feratajt, i cili, së bashku me disa nga bashkëfamiljarët e tij, An Ferataj, Medi Ferataj etj., u vranë, u plagosën dhe u persekutuan për shkak të angazhimit të tyre në kuadër të rezistencës vetëmbrojtëse të popullatës shqiptare të Plavë – Gucisë në vitet 1912-1913. Djali i dajës së nënës së Nufriut, Mustafë Shala, ishte redaktori i parë dhe më pas kryeredaktor i gazetës së parë në gjuhën shqipe në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore, të njohur si “Rilindja”. Pas lindjes së Nufriut, babai i tij vendosi të kthehej me familjen në Rugovë, pastaj u shpërngulën në Pejë.
Që nga viti 1978, kur ishte ende nxënës në shkollën e mesme në Pejë, Nufriu filloi të solidarizohej dhe ta mbështeste veprimtarinë e Lëvizjes klandestine revolucionare të Kosovës. Në këtë rrugëtim ai u burgos nga regjimi jugosllav në vitin 1983. Pas lirimit nga burgu në fillimvitin 1987, përveçse iu mohua e drejta për t’i vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës, ndaj tij u ngrit edhe një aktakuzë tjetër. Megjithatë, ai arriti të arratisej në Zvicër dhe, me sugjerimin e bashkëveprimtarëve të organizuar, u vendos në Norvegji, ku kishte nevojë për organizimin e emigracionit shqiptar në këtë shtet dhe në përgjithësi në Skandinavi. Rrjedhimisht, që nga viti 1987 ishte një ndër drejtuesit e LPK-së në emigracion, si dhe përgjegjës i Grupit për Kosovën pranë Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH) gjatë viteve 1988-1994. GKKNH luajti rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të “Procesit të Helsinkit”. Madje në kuadër të kësaj veprimtarie, dhe veçanërisht me ndihmën e koordinatorëve të GKKNH-së, Berit Backerit dhe Kristoffer Gjøtterud, u organizua edhe vizita e parë zyrtare e delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo më 14-18 shkurt 1990. Me sugjerimin e Backerit dhe Gjøtterudit – për ta pasqyruar pluralizmin politiko-demokratik të Kosovës – delegacioni përbëhej nga Ibrahim Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës; Shkëlzen Maliqi, kryetar i Partisë Social-Demokrate të Kosovës; dhe Nufri Lekaj, përfaqësues i LPK-së.
Pas sinjalizimit për mospërfshirje të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të Konferencës së Dejtonit, Nufriu e forcoi bashkëpunimin e tij si pjesë e bashkëpunëtorëve të afërt të Sektorit të Veçantë të LPK-së, që në vitin 1994 u transformua në Shtabin Qendror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në këtë kuadër, dhe me zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë, ai dha deklaratën e parë në diasporë për një medie shtetërore të huaj në mbështetje të UÇK-së, në një kohë kur ende vazhdohej të dyshohej për ekzistencën e UÇK-së. Kjo deklaratë, e dhënë më 9 dhjetor 1997 për Radiotelevizionin Shtetëror Norvegjez (NRK), u emitua në mediet skandinave dhe më gjerë, përfshirë edhe mediet shqiptare si gazetat “Bujku”, “Rilindja” etj. Qëllimi me këtë deklaratë ishte imponimi i mendimit në kuadër të diskursit mediatik ndërkombëtar, se UÇK-ja ekziston si mjet i fundit për kyçjen e çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare dhe, gjithashtu, për t’i inkurajuar bashkëkombësit shqiptarë në diasporë për rëndësinë e përkrahjes së UÇK-së. Në këtë vazhdë, konkretisht në periudhën 1997-1999, ai shërbeu si zëdhënës i Bashkësisë Shqiptare në Norvegji, përfaqësues politik i UÇK-së për Skandinavinë dhe anëtar i Grupit Diplomatik të UÇK-së. Pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, ai u emërua nga Qeveria e Kosovës përfaqësuesi i parë diplomatik i Kosovës në Norvegji. Nga viti 2001 deri në vitin 2008 – përkatësisht deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti norvegjez – shërbeu kryetar i Zyrës së Kosovës në Norvegji, duke e përmbyllur këtë mision si një veprimtar i drejtuar në funksion të njohjes së Republikës së Kosovës nga Norvegjia dhe vendet e tjera skandinave. Pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Norvegjia, për të mos iu shmangur asnjëherë përgjegjësisë ndaj Kosovës, i ka njoftuar institucionet përkatëse politike në Kosovë se, nëse do të kenë nevojë, është i gatshëm të kryejë çdo shërbim diplomatik për Kosovën edhe pa pagesë. Në këtë frymë nuk ka hezituar ta ofrojë ndihmën e tij në formë këshillimi, si edhe për çdo çështje tjetër për të cilën i është drejtuar dikush nga institucionet politike të Kosovës. Ky angazhim ka përfshirë edhe shërbimin e tij si këshilltar i ministrit të Mbrojtjes së Kosovës gjatë periudhës 2021-2023, pa pagesë.
Sa i përket arsimimit, Nufriu në Kosovë ka studiuar elektroteknikë, ndërsa në Norvegji ka ndjekur studimet në sociologji dhe gazetari. Ai është, gjithashtu, përkthyes i autorizuar nga shteti norvegjez. Paralelisht ka zhvilluar përvojë hulumtuese si bashkautor i raporteve hulumtuese gjatë punës në institucione norvegjeze, si Komiteti Norvegjez i Helsinkit dhe Drejtoria e Emigracionit, duke përfshirë edhe angazhimin në Amnesty International në Londër. Gjithashtu, ka qenë bashkautor i raportit hulumtues mbi ish-të burgosurit politikë gjatë regjimit totalitar në Shqipëri, i realizuar në kuadër të projektit shtesë të GKKNH-së, i njohur si “Aksioni Norvegji – Shqipëri (ANSh)”, i sponsorizuar nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë. Për veprimtarinë e tij në fushën e të drejtave të njeriut etj. është mirënjohur, përveç të tjerash: në shtator të vitit 1991, me propozim të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, është ftuar, së bashku me bashkëveprimtarin Ole Drolsum në darkën solemne (në Kështjellën e Oslos) të organizuar nga ish-kryeministrja e Norvegjisë, Gro Harlem Brundtland, ku ishin të ftuar (pjesëmarrës) edhe një numër i konsiderueshëm i ekspertëve ndërkombëtarë, si shenjë mirënjohje për të pranishmit për kontributin e tyre për të drejtat e njeriut në nivel botëror. Pas propozimit të Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë në Norvegji (me arsyetimin se ka pasur rol të rëndësishëm për krijimin e opinioneve për dhjetëvjeçarin e fundit) i është dhënë një mirënjohje nga Organizata Ndërkombëtare Who’s Who për Profesionalistët për vitin 2000. Në vitin 2015 është shpallur veteran i UÇK-së (njësitë vartëse të Shtabit të Përgjithshëm), ndërsa në vitin 2023 i është dhënë një mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës për kontributin e dhënë në mbrojtjen e vlerave kombëtare si dhe për mbështetjen e ofruar misionit të UÇK-së si qëndresë kundër okupatorit serb, për luftën për liri dhe demokraci.
Tri vendbanimet me adresat e regjistruara të Nufriut janë shtëpia në Koshutan në Rugovë (Kosovë), banesa në Tiranë (Shqipëri), dhe shtëpia në Oslo (Norvegji). Është i martuar me Eltona Cenon dhe së bashku kanë tre fëmijë tashmë të rritur, Gencin, Erën dhe Pirron. /Epoka e re/