Veprimtari Shqiptar Gubetini fton bashkatdhetarët në protestë më 17 shkurt në sheshin “Skënderbeu”
Veprimtari i çështjes kombëtare, Shqiptar Gubetini, i cili jeton në Regensburg të Gjermanisë, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të marrin pjesë në marshin e organizuar nga “Liria ka Emër”, më 17 shkurt në sheshin ”Skenderbeu”, në Prishtinë, me moton “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të krerëve të UÇK-së, që po mbahen në Hagë.
Në thirrjen e tij publike, Gubetini thekson se ky është një moment i rëndësishëm për kombin shqiptar, pasi ka nisur faza përfundimtare e procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
“Në këtë moment të rëndësishëm për kombin tonë, kur ka nisur faza përfundimtare e procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndjejmë për detyrë morale dhe kombëtare të ngremë zërin tonë fuqishëm në mbrojtje të së vërtetës historike”, ka shkruar ai.
Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet një luftë e drejtë dhe çlirimtare për liri, dinjitet dhe shtetësi. Ai shpreh bindjen se e vërteta do të triumfojë dhe se, siç thotë ai, “kjo padrejtësi do të marrë fund me lirimin e tyre”.
Gubetini u ka bërë thirrje burrave e grave, të rinjve e të moshuarve, që më 17 shkurt të bashkohen në protestë për të dëshmuar unitetin dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare.
“Le ta tregojmë edhe një herë se mërgata shqiptare është e gjallë, e ndërgjegjshme dhe gjithmonë në krah të së drejtës”, përfundon ai thirrjen e tij, duke e shoqëruar me motot: “Liri për çlirimtarët”, “Drejtësi për UÇK-në” dhe “Dinjitet për Kosovën”.



