
Verratti: Messi erdhi te PSG-ja, pas darkës në Ibiza me Neymarin
Marco Verratti, i cili tani luan te Al-Duhail në Katar, foli për mënyrën se si e përjetoi mbërritjen e papritur të Lionel Messit te Paris Saint Germain në vitin 2021.
Sipas mesfushorit italian, gjithçka filloi në një natë vere: “Ishim në Ibiza dhe Neymar më tha se do të shkonim për darkë me Messin. Di Maria dhe Leandro Paredes ishin gjithashtu atje. Folëm, qeshëm, folëm për klubin, por asgjë nuk tregonte se do të ndodhte diçka. Të nesërmen, lindën probleme me Barcelonën dhe, disa orë më vonë, Neymari më telefonoi për të më thënë se Messi do të vinte të luante me ne. Ishte magjike”, ka thënë italiani në një intervistë me “La Gazzetta dello Sport”.
Verratti, i cili kaloi 11 sezone në Paris, mohoi se u largua nga Luis Enrique, trajneri aktual i PSG-së: “Unë isha ai që kërkova të largohesha. I shpreha Nasser Al-Khelaifi, presidentit të PSG-së, dëshirën time për të ndërmarrë sfida të reja”. Lidhur me Kylian Mbappe, i cili tani është te Real Madrid, 32-vjeçari italian e bëri të qartë: “Herët a vonë, ai do ta fitojë ‘Topin e Artë’”.