Vërshimet në Drenas, Lladrovci: Janë vërshuar shtëpi, biznese dhe hapësira publike
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka dalë në terren pas vërshimeve në këtë komunë.
“Komuna jonë po përjeton vërshime për tu mbajtur mend. Nga mëngjesi, niveli i ujit është rritur vazhdimisht, me ç’rast, ka vërshuar dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike. Rrugët janë ndërprerë për qarkullim në drejtim të Komoranit, te Trafoja dhe te ura e Bucollëve, vështirësi po paraqiten edhe te ura e Shtrubullovës. Dalja në magjistrale po bëhet me rrugë alternative”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se qindra hektarë tokë janë të vërshuara, derisa rryma është ndërprerë për shkak se po rrezikohet Trafoja kryesore e komunës, duke theksuar se priten vështirësi edhe për furnizimin me ujë.
Lladrovci ka falënderuar presidenten Osmani-Sadriu për gatishmërinë e përkrahjes, ministrat në detyrë të linjës, Elbert Krasniqi dhe Hysen Durmishi, AME-në, qytetarët për solidaritetin për ndihmën me mjete personale, zyrtarët e komunës dhe institucionet tjera që janë të angazhuara për tejkalimin e gjendjes.
“Falënderoj të gjithë ata që më telefonuan dhe me mesazhe po shfaqin brengosje për qytetarët dhe pronën e vërshuar në komunën e Drenasit. Mbesim të angazhuar me të gjitha mundësitë për të qenë në nivel të detyrës. Ftoj qytetarët për kujdes të shtuar dhe të respektojnë ndalesat e organeve kompetente për qarkullim në disa rrugë”, ka thënë Lladrovci.



