Vërshimet, Ramosaj: Në Deçan është krijuar një situatë e cila paraqet rrezik në disa zona

06 janar 2026 | 14:21

Edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka shkruar në “Facebook” për vërshime në këtë komunë.

Ai ka thënë se për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut është krijuar një situatë e cila paraqet rrezik në disa zona, mirëpo, sipas tij, ekipet e emergjencës së Komunës së Deçanit kanë qenë pandërprerë në terren, veçanërisht në Carrabreg të Ulët, Prilep, Baballoq, Ratishë të Ulët, Dubovik dhe në qytet.

Ramosaj ka thënë se gjendja aktuale nuk është shqetësuese, por mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.

“Kompania ‘Lika Trade’, e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, ka intervenuar në pikat problematike, ndërsa NPL ‘Higjiena’, Njësia e Zjarrfikësve dhe kompania ‘Hidrodrini’ janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme. Sipas parashikimeve meteorologjike, pritet të ketë reshje të tjera shiu, të cilat mund ta vështirësojnë gjendjen, veçanërisht në zonat e ndjeshme ndaj vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dheut. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjen në zonat e rrezikuara dhe të raportojnë çdo problem apo rrezik të mundshëm tek autoritetet komunale. Komuna e Deçanit mbetet në shërbim dhe pranë qytetarëve në çdo moment”, ka shkruar Ramosaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…