Vërshimi i punishtes së urës mbi Ibër, reagon Mujka: Nuk është dorë njeriu që ka krijuar dëmin

01 nëntor 2025 | 12:18

Kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro- Ekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, ka mohuar se përmbytja e punishtes së urës së re që po ndërtohet mbi lumin Ibër është veprim që ka ardhur nga dora e njeriut.

Në një reagim publik, ai ka thënë se përmbytja ka ndodhur për shkak të reshjeve të shumta ditëve të fundit në rrjedhën e epërme të lumit si dhe të rrëshqitjes së kanalit te Zubin Potoku.

“Mbrëmë kemi pasur një rritje të papritur të nivelit të ujit në lumin Ibër e që ka shkaktuar dëme materiale në punishten e urës së re që po ndërtohet te tre rrokaqiejtë në Mitrovicë. Shkak i kësaj ngritjeje të nivelit është sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës për shkak të rreshjeve të shumta ditëve të fundit në rrjedhën e epërme të lumit si dhe të rrëshqitjes së kanalit te Zubin Potoku dhe nevojës emergjente që uji i tepërt nga kanali të bartet në lumë. Kemi ardhur në situatë të kalkulojmë dëmin më të vogël edhe pse edhe kjo e krijuar nuk është për tu nënçmuar”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”, duke shtuar se dëmet nuk janë shumë të mëdha.

“Me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar asnjëherë. Duhet të sqarohet se nuk është dorë njeriu që ka kriju dëmin por dora e njeriut e ka minimalizuar dëmin e mundshëm shumë më të madh e afatgjatë. Aty në punishte për shkak të punimeve është krijuar një fyt i ngushtë i cili nuk ka mundur ta përcjellë nivelin e ardhur. Niveli është stabilizuar brenda një ore dhe sot vazhdojmë me sanimin në kanalin kryesorë duke tentuar që niveli ujit të jetë sa më i kontrolluar. Mirëmbajtja e nivelit minimal të ujit në lumin Ibër gjatë verës dhe vjeshtës ndryshon maksimalisht dhe fatkeqësisht mund të ndodh edhe një situatë e tillë sikur ajo mbramë”, ka shkruar ai, duke kërkua që ky rast të mos përdoret për qëllime politike.

“Ky rast të mos përdoret as për qëllime poltike apo elektorale sepse nuk ka fare të bëj me to. Është thjeshtë çështje operacionale. Andaj edhe deklarimet të jenë të balancuara e posaçërisht nga operatori ekonomik për të cilin nga fillimi i Korrikut e kemi pregaditur planin e punës sonë pa marr parasysh nevojat reale dhe humbjet financiare të ndërmarrjes sonë. Me siguri se edhe ai ka pjesën e vetë të përgjegjlsisë për mënyrën e organizimit të punishtes. I falemnderojmë të gjithë për mirëkuptim me shpresë që të mos përsëritet më”, ka vlerësuar Mujka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka…