
Verstappen: McLaren përpara nesh, mund të fitoj vetëm gara ku nuk mund të parakalohet
Max Verstappen bëri gjithçka për t’u mbrojtur nga McLaren në garën e fundit të Formula 1 zhvilluar në Majemi. Pasi mori “pole position” ditën e shtunë, holandezi i Red Bull u përpoq të ruajë kreun duke dueluar me Lando Norris në start, por ai që përfitoi ishte Oscar Piastri Makinat McLaren rezultuan shumë të forta për një Red Bull që i mbinxeh gomat shumë më herët.
Për pasojë, 4 herë kampioni i botës u klasifikua në vendin e katërt, pa kapur dot as Mercedes të George Russell, që doli i treti.
“Vendi i tretë ose i katërt nuk bën shumë ndryshim. Ne synonym të fitonim në Majemi, por nuk iu afruam dot objektivit tonë. McLaren është kilometra përpara nesh. Gomat tona mbinxehen shumë herët në krahasim me ta. U përpoqa të mbrohesha, por nuk munda të bëja më shumë”, ka thënë Verstappen.
“Me makinën virtuale të sigurisë ishim pak të pafat, por në përgjithësi nuk kishim ritmin dhe ky është i vetmi aspekt që bën ndryshimin dhe në të cilin duhet të përqendrohemi”, ka shtuar piloti holandez. Ai foli edhe për sa i përket objektivave të tij sezonale.
“Mund të synoj fitore në pista ku do të jetë pak më e vështirë të parakalosh. Rivaliteti me Norris? Nga pikëpamja ime nuk ka asgjë të keqe, thjesht e mbrojta veten duke u përpjekur të bëja gjithçka që ishte e mundur për të qëndruar përpara pikërisht siç do të bënte kushdo”, ka deklaruar holandezi.