Verstappen: Qëllimi është ta mbyllim sezonin me dinjitet

25 gusht 2025 | 12:30

Rezultatet zhgënjyese të kohëve të fundit, me katër gara radhazi jashtë podiumit, i kanë shkatërruar përfundimisht ambiciet e Max Verstappen për titullin e pestë kampion bote për pilotë në Formula 1.

Kampioni i Red Bull, pas muajsh spekulimesh dhe flirtesh me Mercedes, ka vendosur të qëndrojë në Milton Keynes pavarësisht pasigurive. Këto nuk lidhen vetëm me situatën aktuale zhgënjyese teknike të makinës (RB21 është e treta ose edhe e katërta më e shpejtë në pistë), por edhe me dyshimet rreth njësisë së fuqisë Red Bull-Ford që do të debutojë sezonin e ardhshëm, e cila sigurisht nuk konsiderohet aktualisht ndër favoritët për epokën e re rregullatore. Megjithatë, është ende gjysma e dytë e sezonit për t’u zhvilluar, duhen rezultate për të mbajtur moralin lart dhe shmangur kështu një thatësirë të gjatë podiumesh dhe fitoresh.

“Qëllimi është gjithmonë të përfundojmë me dinjitet edhe pse të gjithë janë tashmë të përqendruar te viti 2026”, ka thënë Max Verstappen.

“Ajo që duam tani është të përpiqemi të arrijmë një makinë të ekuilibruar dhe në fund të fundit, rezultate më të qëndrueshme. Nuk e di nëse do të jetë e mundur të fitojmë përsëri dhe pas një fundjave si ajo në Hungari (ku ai përfundoi i nënti), është shumë e vështirë të thuhet. Por nuk i dihet kurrë, dhe mund të ketë ende surpriza”, ka deklaruar holandezi. “Unë thjesht qëndroj neutral për gjithçka dhe kështu nuk bëhem tepër optimist ose pesimist. Para vitit 2025, mendoja, ‘Epo, do ta shohim’. Sigurisht, shpresoj që ende të mund të fitojmë disa gara këtu e atje. Dhe ia dolëm, fituam dy, por është ende e vështirë. Nga ana tjetër, duhet ta pranosh që McLaren bëri një punë të shkëlqyer nga viti i kaluar deri në këtë vit”, ka deklaruar Verstappen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca ka thirrur në takim ambasadorin amerikan në Paris, Charles…