Veseli, Apostolovës: I kemi plotësuar kriteret për viza

18 prill 2018 | 18:07

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të mërkurën në takim shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, nga e cila ka pranuar raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.

Veseli e ka falënderuar Apostolovën për dorëzimin e raportit, duke theksuar se nëpërmjet këtij raporti, Bashkimi Evropian ka vlerësuar të arriturat e Kosovës në shumë fusha të rëndësishme dhe ka rikonfirmuar perspektivën e sigurt evropiane të shtetit tonë.

Ai ka thënë se qytetarët dhe institucionet e Kosovës besojnë në projektin e Bashkimit Evropian dhe janë duke punuar në vazhdimësi për të përmbushur kriteret e nevojshme që sa më parë edhe Kosova të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Më tutje, Veseli ka thënë se institucionet kosovare tashmë i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ai ka shprehur bindjen se gjatë këtij viti institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian do të marrin vendimet e duhura për të mundësuar lëvizjen e lirë e pa viza për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen.

Kryeparlamentari Veseli është zotuar se të gjitha të gjeturat e raportit do të adresohen me kohë dhe institucionet e vendit do të vazhdojnë rrugën e reformave të nevojshme.

“Institucionet e Kosovës do t’i adresojnë edhe sfidat që janë identifikuar në raportin e Komisionit Evropian, pasi vetëm kështu forcojmë dhe ndërtojmë të ardhmen evropiane për qytetarët tanë”, ka thënë Veseli.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Finalja e Kupës do të zhvillohet në mes dy rivalëve…