Veseli: Pensionistëve ua rrisim 80% pensionet, barna falas për ata me sëmundje kronike

27 shtator 2019 | 13:16

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, ka takuar përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës, të cilëve iu ka treguar se do ua rris pensionet për 80 për qind.

Si kryeministër, Veseli ka premtuar se do t’i mbulojë tërësisht edhe kostot e barnave specifike për të gjithë të sëmurit kronikë, që janë mbi moshën 65-vjeçare dhe do ta njoh e promovoj profesionin e “kujdestarit për të moshuar” në mandatin e tij qeverisës.

“Është përgjegjësi morale që të tregojmë mirënjohje ndaj të moshuarve për kontributin e dhënë dhe të kujdesemi që ata të kenë pleqëri sa më të rehatshme. Ne e kemi inkurajuar gjithmonë solidaritetin mes gjeneratave dhe shtetit do t’i japim rol shumë më aktiv për t’u kujdesur për të gjithë të moshuarit”.

“Para përfaqësuesve të pensionistëve, si kryeministër i ardhshëm u zotova se do t’i rris pensionet e tyre deri në 80 për qind. Po ashtu, të gjithë pensionistët kontributdhënës me përvojë pune nën 15-vjeçare, që aktualisht janë në skemën e pensioneve themelore, do të kalojnë në kategorinë e pensionistëve kontributdhënës. Ata do të marrin pensione me rritje, sipas përqindjes së përshkallëzuar, bazuar në kohëzgjatjen e viteve të punës dhe në kriteret e strukturës kualifikuese”.

“Për ta rritur kujdesin ndaj të moshuarve, unë do ta njoh dhe do ta promovoj edhe profesionin e “kujdestarit për të moshuar” dhe qeveria ime do t’i mbulojë tërësisht edhe kostot e barnave specifike për të gjithë të sëmurit kronikë, që janë mbi moshën 65-vjeçare. Të gjithë pensionistët i siguroj se nipat dhe mbesat e tyre më nuk do të largohen, por do të qëndrojnë në Kosovë”, ka shkruar Veseli.

/Epoka e re/

https://www.facebook.com/214842955357585/posts/1368455259996343/?sfnsn=mo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Simo Häyhä nga Finlanda është personi që ka kryer më…