Veseli shkon për ngushëllime në familjen Kelmendi: Qerimi ishte trim dhe kryengritës

03 mars 2020 | 11:43

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka shkruar për ngushëllime në familjen Kelmendi, me rastin e vrasjes misterioze të ushtarit të orëve të para të UÇK-së, Qerim Kelmendi.

Veseli ka thënë se Qerimin e ka njohur nga koha kur kanë qenë student. Veseli ka thënë se Qerimi ishte trim dhe kryengritës.

“Gjatë ndryshimeve kushtetuese, Qerimi iu nënshtrua një persekutimi çnjerëzor disamujor të UDB-së jugosllave. Ai nuk u ndal as pas lirimit. Në vitin 1992, qëndruam një kohë bashkë në Tiranë. Ishim djem të rinj, të ikur, për studime apo për ndonjë armë në Tiranë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Veselit:

Sot për ngushëllime tek familja e Qerim Kelmendit. Qerimin e njoha nga studimet. E njoha si student i Fakultetit të Bujqësisë, nga mesi i fundviteve ’80. Ishte i zhurmshëm, trim, kryengritës.

Gjatë ndryshimeve kushtetuese, Qerimi iu nënshtrua një persekutimi çnjerëzor disamujor të UDB-së jugosllave. Ai nuk u ndal as pas lirimit.

Në vitin 1992, qëndruam një kohë bashkë në Tiranë. Ishim djem të rinj, të ikur, për studime apo për ndonjë armë në Tiranë.

Më vonë, Qerimin, apo “Shpirtmadhin” siç e quanin shokët e Pejës, më rastisi ta shohë më pak personalisht në jetë, por ta takojë shkurt dhe të dëgjoj shumë për të se ishte gjithkund ku kishte nevojë për sakrificë ndaj atdheut!

Kalonte male e kufij për Kosovën. Sa herë e takoja përmendte se i kishte frikë arushat. Kurrë nuk e kam kuptuar a frikohej vërtet nga arushat në male, apo ishte lloj shakaje? I tillë ishte Qerimi, për ata që e njihnin!

Në luftë dhe UÇK, ishte me tërë qenien, paslufte u mundua të bëj jetën siç dinte vetëm ai.

Të përfundoj sot i djegur në liri, në tokën e Kosovës, një luftëtar i orëve të para të lirisë, pa adresë përgjegjësie, është turp për institucionet dhe guxim i madh kriminal në shoqëri, i vrasësve që vënë dorë mbi luftëtarët e lirisë!

Qerimit i qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Familjes dhe bashkëluftëtarëve, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë luftëtar të lirisë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër ndeshje të javës së 21-të në IPKO Superligën e…