Veseli: Vizat për Kosovën, peng i burokracisë në BE

30 mars 2019 | 13:12

Bashkimi Evropian duhet t’iu japë qytetarëve të Kosovës të drejtën e cila u takon për lëvizje të lirë, pasi shteti i Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara dhe kjo është konfirmuar nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli ka deklaruar se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kushtet, por konsideron se burokracia dhe zgjedhjet në Parlamentin Evropian, janë pengesa për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ne presim që Bashkimi Evropian definitivisht t’iu japë mundësinë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si gjithë qytetarëve të tjerë atë drejtë e cila iu takon. Fakti është se Kosova, tanimë për fat të mirë edhe BE-ja e pranon, se teknikisht ka përmbushur të gjitha kriteret. Nuk është mirë që Kosova të jetë pjesë e një bllokade për shkak të zgjedhjeve të cilat janë në BE. Ne presim shumë shpejt që kjo të ndodhë nga BE-ja. Por që të jem korrekt po flas për pozicionin të cilin e përfaqësoj unë, të qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të vendit tim, kemi të bëjmë pastaj edhe me palën tjetër, këtu duhet të jetë edhe mirëkuptimi i qytetarëve tanë”, u shpreh Veseli për “EO”.

Kreu i Kuvendit ka thënë se kosovarët janë qytetarë evropianë dhe se kriteret për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimi Evropian i kanë plotësuar më shumë se të gjitha vendet e tjera. Ai është i bindur që BE-ja do të ketë vendim pro lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.

“BE-ja është duke kaluar në disa faza të cilat nuk janë normale gjatë gjithë ekzistencës të cilën e ka pasur. Si do që të jetë, ata duhet ta bëjnë këtë, është edhe në interes të tyre edhe në interesin e kredibilitetit dhe të ardhmes së BE-së për ato vlera që i promovojnë. Ne jemi qytetarë evropianë, ne kemi përmbushur të gjitha kriteret më shumë se çdo vend tjetër. Po presim që BE në momentin më të volitshëm ta marrë këtë vendim. Sigurt do ta marrë”, ka deklaruar Veseli, duke shtuar se burokracia evropiane është duke ndryshuar në mënyrë rapide, por liberalizimi për qytetarët e Kosovës duhet të ndodhë.  “Jam shumë i sigurt se ka forca brenda BE-së të cilat mendojnë në mënyrë strategjike dhe humane, më mirë sesa forcat që janë destruktive”, u shpreh ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror për Bisedime…