Vështrim mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi (II)

04 gusht 2025 | 10:34

Fatmir Lekaj, politolog

Në 50-vjetorin e aktit final të Helsinkit (gusht 1975-gusht 2025): një vështrim retrospektiv mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi

Misioni i parë faktmbledhës në Kosovë (first fact – finding mission) para shembjes së Murit të Berlinit

Grupi për Kosovën si sektor në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), nga viti 1988, dhe nga viti 1990 si sektor me status zyrtar në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (njëherësh si veprimtari integrale në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit) ka dhënë një kontribut të çmuar për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Në fakt, informatat dhe sugjerimet në lidhje me çështjen e Kosovës, që GKKNH, i dërgonte në kuadrin e “Procesit Civil të Helsinkit” (Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit – FNH -së) dhe në kuadrin e “Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit” (Delegacioneve të shteteve perëndimore në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE), e kishin peshën e vet të padiskutueshme si në aspektin e besueshmërisë, si në aspektin e të kuptuarit më objektiv të situatës politike në Kosovë dhe si në aspektin e prishjes së imazhit të rrejshëm të serbo-Jugosllavisë. Sepse këto informata dhe sugjerime në lidhje me çështjen e Kosovës, dërgoheshin nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit si organizatë gjysmë shtetërore dhe këshilluese për Ministrinë e jashtme të shtetit norvegjez, si shtet shumë aktiv dhe me kredibilitet moral në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare. Një meritë të veçantë për këtë e kanë Berit Backer dhe Kristoffer Gjøtterud në cilësinë e kryekoordinatorëve të Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-së).

Backer dhe Gjøtterud, kanë qenë idealist dhe veprimtar të shquar në rrafshin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, përkatësisht në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit i njohur edhe si Lëvizja e Helsinkit. Gjatë veprimtarisë së tyre, kanë krijuar shumë miqësi dhe kontakte të rëndësishme ndërkombëtare. Për më tepër, Backer dhe Gjøtterud, meqë  ishin bashkëpunëtor të ngushtë, u pasuruan edhe anasjelltas me rrethet e tyre miqësore duke përfshirë kontaktet ndërkombëtare. Rrjedhimisht ata kishin arritur të kenë miq dhe kontakte ndërkombëtare me shumë ndikim jo vetëm në nivel skandinav por gjithandej në botë.

Gjøtterud ka qenë një shkencëtar i mirënjohur norvegjez në lëmin e fizikës bërthamore-nukleare, njëkohësisht i interesuar për epistemologjinë dhe metafizikën, në kuptimin e ndërlidhjes në mes të besimit, fesë dhe shkencës etj., së këndejmi ashtu veprimtar i mirënjohur ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut. Me fjalë të tjera, një personalitet shumë i nderuar dhe me ndikim, përveç të tjerash, kryetar i Komitetit për Hebrenjtë e Bashkimit Sovjetik, që nga viti 1982 (veçanërisht i përkushtuar për shkencëtarët hebrenj, të cilëve iu vështirësohej dhe ndalohej udhëtimi jashtë Bashkimit Sovjetik).  Gjithashtu, ka qenë bashkëpunëtor i Grupit të Helsinkit të Moskës (Moscow Helsinki Group) i themeluar në vitin 1976, përkatësisht mik dhe bashkëpunëtor i veprimtarëve të shquar të këtij grupi, si fizikani dhe nobelisti Andrej Sakharov etj.

Gjithashtu, Backer ka qenë një shkencëtare shumë kompetente në fushën socialantropologjisë,  në ndërlidhje me studimet e saja për shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri. E veçanërisht një idealiste dhe aktiviste shumë e shkathtë në përpjekjet e saja titanike për të ndihmuar Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Sidomos pasi lidhi bashkëpunim në vitin 1987, me disa ndër eksponentët  e LPK-së në emigracion (Nufri Lekën, Ibrahim Kelmendin, Xhavit Halitit etj.), u bë aktiviste e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke vënë tërë potencialin e vet në këtë drejtim. Në kuadër të kësaj përpjekje ajo vuri në funksion të gjitha miqësitë që kishte jo vetëm në nivel norvegjez dhe skandinav por edhe miqësitë dhe kontaktet që kishte në nivel ndërkombëtar. Disa ndër miqtë dhe kontaktet  e saja në nivel ndërkombëtar kanë qenë  përveç tjerëve: Karl von Schwarzenberg (kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, duke përfshirë miqtë e tij, Vaclav Havel, Lech Walesa etj.),  Jeri Laber (nënkryetare  e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, dhe njëherësh drejtore ekzekutive e Helsinki Watch Amerikan i njohur mëpastaj si Human Rights Watch), Warren Zimmermann (drejtues i delegacionit të SHBA-së në KSBE, në periudhën 1986 – 1989, dhe ambasador i ShBA-së në Jugosllavi në periudhën 1989 – 1994) etj. Me fjalë të tjera, Berit Backer ka pasur njohje me personalitete të rëndësishme të jetës shoqëroro-politike kudo në botë, veçanërisht në Angli, ku ka pasur edhe një lidhje të traditës familjare, ngaqë gjyshi i saj (babai i nënës së saj), Edvard Christian Danielsen, ishte (gjatë LDB-së) agjenti i parë norvegjez i shërbimit informativ britanik (Secret Intelligence Service – SIS, gjithashtu i njohur me emrin M16), i cili në mënyrë të suksesshme e udhëhoqi operacionin e rëndësishëm “oldell” të lidhëmbajtjes – informacionit në mes të Norvegjisë dhe Britanisë së Madhe. Më pastaj u emërua admiral i Marinës Norvegjeze dhe është një personalitet i mirënjohur për udhëheqjen e luftës kundër okupimit të vendit nga gjermanët. Gjithashtu, babai i saj, Ole Friele Backer (me profesion fotograf), u detyrua gjatë LDB-së të shpërngulet në Londër, pasi fotografitë e tij për gjendjen e luftës në Norvegji (si pasojë e sulmit gjerman) u publikuan jashtë Norvegjisë. Ai u punësua si fotograf në Zyrën e Informacionit të Qeverisë norvegjeze në Egzil në Londër. Kontributi i tij si fotograf (për familjen mbretërore norvegjeze, për aktivitetet e Qeverisë në Egzil, për personelin ushtarak norvegjez, kampet e luftës etj.) bëri që të fitojë publicitet të gjerë, duke iu publikuar fotografitë jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe në ShBA.

Njëherësh vlen të theksohet se sugjerimet dhe këshillat e Berit Backer-it lidhur me çështjen e Kosovës janë vlerësuar jo vetëm nga qarqe të caktuara politike dhe diplomatike në Perëndim, por edhe nga ekspertë të fushës, si përshembull Harry Hodgkinson,  i cili ka qenë oficer i zbulimit, dhe gjithashtu ekspert për Ballkanin. Hodgkinson e kishte vizituar Shqipërinë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe pas kthimit në Angli iu bashkua Shoqatës Anglo–Shqiptare dhe pati një korrespondencë të gjatë me Edith Durham. Shoqata Anglo–Shqiptare mbështeti çështjen shqiptare që nga viti 1912, por pas Luftës së Dytë Botërore, shqetësimi kryesor i saj ishte fati i emigrantëve nga Shqipëria. Në vitin 1985, Hodgkinson u emërua kryetar i Shoqatës Anglo–Shqiptare dhe ishte në korrespondencë me Berit Backer-in. Ai i vlerësoi këshillat e saj, përveç të tjerash edhe që shoqata të përqendrohej më shumë në situatën e shqiptarëve në Jugosllavi.

Për dallim të Kristoffer Gjøtterud, Berit Backer ka krijuar njohje dhe miqësi me shqiptarë shumë më herët. Ngase që nga vitet 70` në kuadër të punës kërkimore social-antropologjike në Kosovë, është njohur me Selim Kuklecin,  Ukshin Hotin, Idriz Ajetin, Fehmi Aganin, Mark Krasniqin etj. Në këtë vazhdë, më vonë përveç njohjes me Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin, gjatë udhëtimeve në Kosovë ka krijuar njohje dhe miqësi edhe me të tjerë si Gazmend Pula, Shkelzen Maliqi, Avni Spahiu, Zenun Çelaj, Rexhep Qosja, Masar Stavileci etj. Gjithashtu ka krijuar njohje dhe miqësi shumë herët edhe me veteran të emigracionit politik shqiptar, si  Ihsan Toptani, Anton Logoreci etj.

Grupi për Kosovën si sektor në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), veçanërisht me ndihmën e Berit Backerit dhe Kristoffer Gjøtterudit ka inkurajuar (para shembjes së murit të Berlinit), dhe ka arritur ta bindë Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit dhe Helsinki Watch Amerikan (Human Rights Watch), që një delegacion i përbashkët të udhëtojë me misionin për ta vëzhguar situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Duke insistuar se te shtetet perëndimore ishte një përshtypje e gabuar për Jugosllavinë, që e dallonin “si më e mira ndër më të këqijat” krahasuar me shtetet e tjera autoritare dhe totalitare në Evropën Lindore kur ishin në pyetje të drejtat e njeriut, në veçanti kur ishin në pyetje të drejtat e njeriut në Kosovë. Rrjedhimisht, një delegacion i përbërë nga kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, Karl von Schwarzenberg, nga përfaqësuesi i Helsinki Watch Amerikan, Kenneth Andersson, dhe nga përfaqësuesi i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Kristtoffer Gjøtterud, të drejtuar nga Berit Backer, kanë udhëtuar në të ashtuquajturin first fact – finding mission në Kosovë në shtator 1989 (para shembjes së murit të Berlinit), ndërsa në janar të 1990-s botohet raporti i parë për situatën në Kosovë nga ky delegacion i përbashkët, përkatësisht nga autori Kenneth Andersson, me titull “…Crisis in Kosovo”.

Kjo e kishte një rëndësi të veçantë duke e  marrë parasysh kontekstin politik të atëhershëm në Kosovë, dhe duke e marrë parasysh se ky raport ishte rezultat i ekspertëve ndërkombëtar të nivelit të lartë për të drejtat e njeriut, të cilët, nëpërmes këtij raporti i  ofruan sugjerime konkrete vendimmarrësve të politikës së jashtme të ShBA-së, Bashkësisë Evropiane dhe Këshillit të Evropës lidhur me situatën në Kosovë.  Madje Helsinki Watch – amerikan (Human Rights Watch), si pjesë e rëndësishme e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, e ka pasur në vazhdimësi që nga fundvitet 70` një rrol të rëndësishëm këshillues për politiken e jashtme të ShBA-së, sidomos për delegacionin e SHBA-së në kuadër të KSBE-së, i cili delegacion në periudhën 1986 – 1989 u udhëhoq nga Warren Zimmermann. Në këtë vazhdë, Zimmermann shërbeu si ambasador i ShBA-së në Jugosllavi, dhe në vitin  1994, dha dorëheqje në shenjë proteste ndaj hezitimit të Presidentit Bill Clinton për të ndërhyrë në Luftën e Bosnjës.

Në raportin “….Crisis in Kosovo”, me insistimin e Berit Backerit janë aprovuar dy gjëra të rëndësishme këshilluese  që të jenë pjesë e këtij raporti. Përkatësisht, vendimmarrësve të politikes së jashtme të SHBA-së, u është sugjeruar formalisht kërkesa e hapjes së konsullatës amerikane në Kosovë. Kërkesa për hapjen e konsullatës amerikane në Kosovë ishte edhe e mëhershme (siç është shembulli i iniciativës së Sami Repishtit), por tanimë arsyetohej formalisht si pjesë e një raporti të rëndësishëm të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, përfshirë Helsinki Watch – amerikan dhe Komitetin Norvegjez të Helsinkit. Njëkohësisht në këtë raport i bëhet thirrje Bashkësisë Evropiane dhe Këshillit të Evropës që ta kushtëzojnë çdo integrim të ardhshëm të Jugosllavisë në treg dhe qasje ekonomike me një rikthim të plotë të respektimit të drejtave të njeriut në Kosovë. Dhe potencohet se  Bashkësia Evropiane dhe  Këshilli i Evropës kanë detyrimin që t’i kërkojnë Jugosllavisë përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, standarde të cilat ajo është zotuar prej kohësh se do t’i respektojë.  Për më tepër në raport thuhet se Bashkësia Evropiane dhe Këshilli i Evropës, duhet të fillon me kërkesën për llogaridhënie se pse delegacioni i Parlamentit Evropian, i cili ishte dërguar në Kosovë për të hetuar zhvillimet në maj të vitit 1989, ishte i detyruar të largohej, sepse, siç deklaroi ai vetë, ishte e pamundur të përmbushej mandati i tij.   Gjatë kësaj periudhe, në Kosovë organizoheshin demonstrata. Madje pikërisht gjatë qëndrimit të delegacionit të sipërcekur të Parlamentit Evropian në Kosovë,  ra heroikisht gjatë demonstratës në Llap, veprimtari i shquar i LPK-së, Ali Ajeti më 30 maj 1989. Kërkesat kryesore në këtë demonstratë ishin “Kosova Republikë” dhe “Europe help!”.  Në këtë vazhdë ranë heroikisht edhe udhëheqësit emblematik të LPK-së në Kosovë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, më 2 nëntor të vitit 1989. Ndërsa bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë, Bardhyl Mahmuti, Ramadan Avdiu, Sabri Kiçmari, Jashar Salihu etj., përveçse dhanë një kontribut të rëndësishëm në Kosovë, gjithashtu dhanë një kontribut të rëndësishëm edhe në kuadër të emigracionit politik shqiptar, sidomos gjatë luftës së UÇK-së, së bashku edhe me të tjerë  –  si Grupit Diplomatik i UÇK-së.

Shih në vijim në lidhje me raportin (e sipërcekur/sipërcituar) të delegacionit të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit (përfshirë pjesëtarët e Helsinki Watch Amerikan dhe të Komitetit Norvegjez të Helsinkit): Është fotografia e kopertinës së këtij raporti, duke përfshirë një pjesë të falënderimit për Berit Backerin dhe Kristoffer Gjøtterudin etj., në hyrje të këtij raporti (acknowledgements). Gjithashtu nga një kopje e faqeve 43 dhe 44 (të këtij raporti) ku ofrohen sugjerime konkrete lidhur me situatën në Kosovë për vendimmarrësit e politikës së jashtme të SHBA-së, të Bashkësisë Evropiane dhe të Këshillit e Evropës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës se Kosovës…