
Vështrim mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi (III)
Fatmir Lekaj, politolog
Në 50-vjetorin e aktit final të Helsinkit (gusht 1975-gusht 2025): një vështrim retrospektiv mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi
Organizimi i vizitës së parë të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo më 14-18 shkurt 1990.
Në vazhdën e zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë pas shembjes së murit të Berlinit (dhe duke marrë parasysh se një ndër pikat kyçe të veprimtarisë në kuadër të “Procesit Civil të Helsinkit” ishte inkurajimi dhe promovimi i forcave opozitare nën regjimet shtypëse), rrjedhimisht koordinatorja e Grupit për Kosovën në Komitetin Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-së), Berit Backer me bashkëpunëtorë e organizoi (menjëherë pas themelimit të LDK-së), vizitën e parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo më 14-18 shkurt 1990. Me sugjerim të Berit Backerit dhe Kristoffer Gjøtterudit (që të pasqyrohet pluralizmi politiko-demokratik i Kosovës) ky delegacioni i Kosovës ishte në përbërje nga Ibrahim Rugova, kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Shkëlzen Maliqi, kryetar i partisë Social-Demokrate të Kosovës, dhe Nufri Lekaj në cilësinë e përfaqësuesit të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, të cilët u takuan me disa personalitete të rëndësishme shtetërore dhe kulturore norvegjeze. Në vazhdën e kësaj vizite të delegacionit të Kosovës në Oslo dhe me nisje nga Oslo, GBKNH, nëpërmes kontakteve që kishte Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud etj., ka lobuar që t’i hapen dyert misionarit të paqes Ibrahim Rugovës, nga politikanët perëndimorë, me qëllim të faktorizimit të Kosovës në bashkëveprimin ndërkombëtar.
Madje Berit Backer, paraprakisht më 12. 09. 1989, ishte e pranishme në cilësinë e inkurajueses dhe observatores, gjatë diskutimeve të para në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, që më pastaj rezultuan me themelimin e LDK-së. Kjo ndodhi konkretisht kur Backer drejtoi vizitën e delegacionit të përbashkët në Kosovë të përfaqësuesve të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, Helsinki Watch Amerikan dhe Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Ky rrol inkurajues dhe ndihmues i Berit Backerit ishte një katalizator i rëndësishëm për kyçjen e çështjes së Kosovës për diskutim jo vetëm në kuadër të “Procesit Civil të Helsinkit”, përkatësisht në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit e themeluar në vitin 1982, bazuar në apelin e Andrej Sakharovit. Por edhe në kuadër të “Procesit Ndërshtetëror të Helsinkit”, përkatësisht në kuadër të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE-së, si një arene të konferencave ndërkombëtare në mes të Lindjes dhe Perëndimit, e bazuar në Deklaratën e Helsinkit – 1975, që në ndërlidhje me shembjen e murrit të Berlinit rezultoi me fitoren e shteteve perëndimore ndaj shteteve totalitare dhe autoritare të lindjes.
Për një orientim më konkret, shih në aneks është një fragment nga shënimet e Berit Backerit më 12.09.1989, në cilësinë e inkurajueses dhe observatores, gjatë diskutimeve të para në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, që më pastaj rezultuan me themelimin e LDK-së. Faksimilja e dytë është dokumenti i agjendës që dëshmon se GKKNH, në kuadër të veprimtarisë së vet, përveç të tjerash, e organizoi edhe vizitën e parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, më 14-18 shkurt 1990, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo, dhe një foto e shkrepur gjatë kësaj vizite gjatë takimit të hapur me gazetarë dhe të tjerë të pranishëm më 17.02.1990 në Komitetin Norvegjez të Helsinkit. (në foto nga e majta: Kristoffer Gjøtterud, Berit Backer, Ibrahim Rugova dhe Shkelzen Maliqi). Dhe më tutje është një shkrim në Gazetën Ekskluzive nr. 7/2000, që përshkruan këtë vizitë të parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo.