Vështrim mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi (VII)

11 gusht 2025 | 08:36

Fatmir Lekaj, politolog

Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit mbështeti vizionin e politikës paqësore të Kosovës deri në Konferencën e Dejtonit, përmes shkrimeve, ashtu edhe nëpërmjet pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare për të drejtat e njeriut

GKKNH e ka mbështetur politiken paqësore të Kosovës dhe ka apeluar që të merret seriozisht politika paqësore e Kosovës në krye me misionarin vizionar të paqës, Ibrahim Rugovën, në kuptimin që bashkësia ndërkombëtare mos të neglizhoj Republikën e Kosovës në kuadër të vendimeve që merren për Jugosllavinë. Madje edhe duke potencuar se nëse vazhdohet të shpërfillen shqiptarët, ata do të detyrohen për atë që ne të gjithë duhet të përpiqemi ta parandalojmë, për një konflikt të armatosur me pushtetin kolonial serb. Si një ndër shembujt se GKKNH ka mbështetur politiken paqësore të Kosovës, në vijim një nga shkrimet e përgjegjësit të GKKNH-së, Nufri Lekës i përkthyer në gjuhën shqipe, i vitit 1991, i botuar në gazetën zyrtare APEL të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Më tutje në vijim është edhe faksimilja e këtij shkrimi në origjinal:

GAZETA ZYRTARE E KOMITETIT NORVEGJEZ TË HELSINKIT, APEL, NR. 2, 1991,

Publikuar nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit

Kosova dhe shqiptarët, të harruar nga Evropa

Kohët e fundit mediat e ndryshme kanë raportuar dhe sjell pamje të shumta nga zonat e konfliktit në Jugosllavi, duke fokusuar veçanërisht në Kroaci dhe Slloveni dhe duke vënë në dukje se ky konflikt është një kërcënim për sigurinë në zonën e Ballkanit dhe për sigurinë e Evropës në përgjithësi.

Sa i përket situatës në Kosovë, vazhdojnë të ndodhin ato që tashmë i kemi lexuar dhe dëgjuar: dhuna, terrori dhe vrasjet, dhe siç Profesori nga Beogradi, Vojin Dimitrievic, rishtazi në një mbledhje të hapur në Oslo, deklaroi: “Në Kosovë tani kemi një qëndrim të ashpër racist nga ana serbe kundër shqiptarëve”. Në media kemi shumë pak informacion rreth situatës në Kosovë, sepse Kosova është lënë nën hije për shkak të luftës në Kroaci. Perëndimi, sidomos BE-ja, janë të angazhuara për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Jugosllavi, por një zgjidhje e tillë nuk është e mundshme përderisa nuk merret seriozisht situata në Kosovë dhe përderisa nënvlerësohet dëshira e shqiptarëve për të qenë të pranishëm në negociata. Një zgjidhje paqësore e konfliktit në Jugosllavi nuk do të ketë sukses në qoftë se nuk merren parasysh kërkesat e shqiptarëve në Kosovë. Kërkesat e shqiptarëve të Kosovës janë të moderuara, sepse qëllimi i shqiptarëve nuk është shkatërrimi i Jugosllavisë, por barazia me popujt e tjerë në një union të lirë – jugosllav, i përbërë nga shtetet sovrane që janë të pavarura në politikat e tyre të brendshme dhe të jashtme.

Marrëveshja për unionin do t’i sigurojë kufijtë e unionit dhe do ta krijojë bazën për një treg të përbashkët ekonomik. Shqiptarët janë të vetëdijshëm se në situatën që gjenden sot, e kanë të pamundur të formojnë një shtet që përfshin tërë popullin shqiptar në Jugosllavi. Pakicat në Jugosllavi janë të kurdisura të vazhdojnë të jetojnë në republikat e Jugosllavisë. Prandaj, një marrëveshje e unionit e ngulitur në të drejtën ndërkombëtare e krijon bazën për sigurinë e të drejtave të minoriteteve.

Si shembull për këtë mund t’i referohemi Kushtetutës së re të Republikës së Kosovës e miratuar nga Parlamenti i Kosovës më 15.09.90, e cila nuk njihet nga forcat okupuese serbe: “Kosova është republikë demokratike e përbërë nga shqiptarët (90 %), serbët dhe pakicat e tjera kombëtare (10 %) si bartës të sovranitetit të Republikës”. Duhet ripërsëritur se përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës nuk kanë qenë kurrë të drejtuara për ta shkatërruar Jugosllavinë, por gjithnjë kanë qenë përpjekje për pavarësinë dhe barazinë e shqiptarëve në raport me republikat e tjera. Këto përpjekje u kanë kushtuar shqiptarëve shumë, në veçanti në 10 vjetët e fundit. Disa qindra janë vrarë gjatë demonstratave dhe protestave, qindra të tjerë janë plagosur dhe mijëra të tjerë janë burgosur dhe internuar për veprimtari politike. Përafërsisht 100 000 shqiptarë janë përjashtuar nga vendet e tyre të punës (nga sistemi gjyqësor, administrata, shëndetësia, policia, posta, universiteti, shkollat etj.) për shkak të bindjeve të tyre politike. Tani në këto vende të punës, në vend të shqiptarëve, janë kyçur kolonialistët serbë, të cilët marrin paga të dyfishuara krahasuar me pagat që kishin shqiptarët në këto vende të punës. Rrjedhimisht, Kosova është një “Territor Autonom” i okupuar nga një fuqi koloniale me emrin “Shteti i Serbisë”. Republikat e tjera në Jugosllavi e kanë ekskluduar Kosovën dhe shqiptarët në përpjekjet për një zgjidhje të konfliktit në Kosovë. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë qëndrim të republikave të tjera jugosllave (të populluara kryesisht me banorë me origjinë sllave) që nënkupton se nuk dëshirojnë t’i pranojnë shqiptarët të jenë të barabartë me popujt e tjerë në një Jugosllavi të re, duke i lënë kështu shqiptarët të mbesin një koloni e Serbisë. Mbas një përpjekje nga ana e Perëndimit, shqiptarët filluan të shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Këshilli i Evropës i ka dënuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi serb në Kosovë. Të njëjtën gjë e ka bërë Kongresi Amerikan, gjithashtu edhe partitë politike dhe organizatat për të drejtat e njeriut. Shqiptarët me udhëheqjen e tyre demokratike dhe “Gandin e shqiptarëve”, Dr. Ibrahim Rugovën, kanë krijuar simpati në vijën e tyre politike kundër regjimit shtypës serb.

Pavarësisht provokimeve dhe represioneve nga ana serbe, asnjë serb në Kosovë nuk është dëmtuar, plagosur ose vrarë nga shqiptarët. Kjo tregon se me çfarë lloj konflikti kemi të bëjmë: një luftë e pastër çlirimtare me mjete demokratike kundër një pushtuesi kolonialist. Shpresat e shqiptarëve për ndihmë nga Perëndimi kanë filluar të zbehen. BE-ja i ka ftuar të gjitha republikat jugosllave në negociatat në Hagë, por ka harruar ta ftojë edhe republikën e shtatë, Republikën e Kosovës. Pse? A duhet Kosova të sakrifikohet për interesat serbe dhe kroate? A do ta përsëritë Evropa, Londrën dhe marrëveshjen e Versajës për Jugosllavinë, e përsëri t’i sakrifikojë shqiptarët për Serbinë?

Ky neglizhim ndaj shqiptarëve në Jugosllavi tregon se BE-ja po e përgatit një marrëveshje të re për Jugosllavinë, që nuk merr parasysh interesat e shqiptarëve. Në Londër dhe Versajë ka qenë më e lehtë për të bërë këtë. Por tani situata është krejtësisht ndryshe në Evropë, ku demokracia dhe liria janë fjalët më të dashura të kombeve të shtypura dhe do të jetë e vështirë për çdo shtet tjetër dhe për BE-në për të luajtur me fatin popujve të shtypur. Në veçanti kur është fjala për shqiptarët, kjo është një lojë e rrezikshme. S’duhet të harrohet se shqiptarët në Jugosllavi janë populli i tretë për nga madhësia demografike (3 milionë) sa e gjithë popullsia në Shqipëri. Nëse vazhdohet të shpërfillen shqiptarët, ata do të detyrohen për atë që ne të gjithë duhet të përpiqemi ta parandalojmë, për një konflikt të armatosur me pushtetin kolonial serb. Një situatë e tillë mund të çojë edhe në ndërhyrjen nga Shqipëria për t’i ndaluar krimet e luftës ndaj shqiptarëve në Kosovë (çfarë teknologjie ushtarake ka Serbia tregohet edhe nëpërmes eksportit të armëve të Serbisë në Irak). Është e qartë se nuk dëshirojmë të ndodhë një zhvillim i tillë në Ballkan. Prandaj është shumë e rëndësishme për të gjitha palët në tryezën e bisedimeve të mos i harrojnë shqiptarët të cilët kanë vullnet për bashkëpunim dhe duan të marrin pjesë në negociata.

Në cilësinë e përgjegjësit të GKKNH-së, Nufri Lekës, nga viti 1988, i jepej mundësia që si delegatit nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit (KNH) të takoj nëpër konferenca ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, personalitete me influencë politike, ku e shfrytëzonte rastin në maksimum edhe gjatë bisedave joformale, duke i informuar më hollësisht për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi dhe duke dhënë argumente për kërkesën me mjete paqësore “Kosova Republikë” si zgjidhje kompromisi dhe si zgjidhje që stabilizon politikisht Ballkanin. Përveç tjerash, në kuadër të kësaj veprimtarie, në cilësinë e përgjegjësit të GBKNH-së, Nufriu u ftua të marrë pjesë edhe në mbledhjen themeluese të Asamblesë Qytetare të Helsinkit në Pragë, prej datës 18 deri më 21 tetor 1990, e cila mbledhje ishte e sponsoruar nga një ndër iniciuesit e saj, Vaclav Havel, i cili, gjithashtu sikurse disidenti tjetër çek Jarosllav Shabata, në mënyrë implicite ishin për krijimin e strukturave të reja panevropiane, që nënkuptonte një riorganizim panevropian, duke filluar nëpërmes Asamblesë Qytetare të Helsinkit. Edhe GKKNH e përkrahte këtë ide, ngaqë shpresohej se Kosova do të mund të faktorizohej politikisht nëpërmes konceptit të të drejtave të njeriut, duke u anëtarësuar në një ristrukturim të ri organizativ panevropian në përpjekjet për t’u dekolonizuar nga Serbia në bazë të parimit për vetëvendosje. Por, ideja e sllovenit Tomazh Mastnak u mbështet më shumë, që Asambleja Qytetare e Helsinkit të mbetet një organizatë e asociacioneve të ndryshme joqeveritare të qytetarëve. Në kuadër të kësaj mbledhje, më 20 tetor u mbajt një tribunë e veçantë për Kosovën, Irlandën veriore dhe Transilvaninë, ku Nufriu i bëri një kritikë qasjes që dominonte në diskursin e politikës perëndimore që, duke u thirrur në emër të një Evrope të bashkuar dhe të integruar, njëkohësisht ndërkomunikohej e drejta për vetëvendosje për shqiptarët në Jugosllavi. Rrjedhimisht, shpresën për një Evropë të bashkuar dhe të integruar, që parashihte ta përfshinte edhe Ballkanin dhe që nuk merrte parasysh zgjidhjen e çështjes shqiptare në Jugosllavi, në fjalimin e tij në këtë tribunë, Nufriu e cilësoi si: një eufori utopike që vetëm zëvendëson euforinë utopike të socializmit nga e cila mezi kishim dalë dhe se nuk guxojmë të mashtrohemi prapë, sidomos ne shqiptarët, sepse pa u zgjidhur çështjet e pazgjidhura nacionale në Evropë, në veçanti çështja shqiptare në Jugosllavi, nuk mund të shpresojmë për një Evropë të bashkuar dhe të integruar. I pranishëm ishte edhe delegacioni nga Kosova i kryesuar nga Shkëlzen Maliqi, i cili, në lidhje me këtë mbledhje themeluese të Asamblesë Qytetare të Helsinkit në Pragë (përfshirë edhe një pjese të këtij prononcimi të Nufriut), ka shkruar dhe botuar një shkrim në gazetën “Koha” më 3 nëntor 1990. Në vazhdën e kësaj veprimtarie, Nufriu, përveç tjerash merr pjesë edhe në konferencën në Veronë (Itali) prej 17 deri më 20 shtator 1992 e ashtuquajtur “Forumi për Paqe dhe Pajtim në ish-Jugosllavi” ku, përveç të tjerëve, morën pjesë përfaqësues nga Federata e Helsinkit. Konferenca u udhëhoq nga një komitet prej 13 personash, në krye me Alexander Langer (anëtar i Parlamentit Evropian dhe president i Grupit Greens/EFFA në Parlamentin Evropian) dhe nga znj. Marijana Grandits nga Austria. Konkretisht, konferenca kishte të bënte me propozimet për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në Jugosllavi. Në këtë konferencë në delegacionin nga Norvegjia, Nufriu ishte së bashku me profesorin e filozofisë, Tore Lindholm. Gjatë kësaj konference, në kuadër të delegacionit skandinav, Nufriu pati rastin të marr pjesë në një darkë joformale me Alexander Langer dhe gjatë një bisede me të, duke menduar se është norvegjez dhe, pasi e kuptoj se ishte shqiptar, u bë kurioz të dijë më shumë për Kosovën, dhe përveç tjerash u argumentua se kërkesa “Kosova Republikë nënkupton zgjidhjen më të mirë të problemeve serioze të të drejtave të njeriut në Jugosllavi”.

Në këtë kuadër, vlen të theksohet se pas iniciativës dhe insistimit të vazhdueshëm të Nufriut në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, por edhe sqarimit të perspektivës politike për çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi (të cilët për dallim të popujve tjerë në Jugosllavi ishin përcaktuar për zgjidhje të problemeve politike me mjete paqësore), në mbledhjen vjetore të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, mbajtur në godinën e parlamentit norvegjez më 19.03.1991, sekretari gjeneral i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Bjørn Catto Funnemark, propozon publikisht, dhe unanimisht aprovohet si një nga pikat e “këshillimit” të politikës së jashtme norvegjeze: “Kosova Republikë është zgjidhja më e mirë e problemeve serioze e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”. Ky amendamentim nga ana e një organizate gjysmështetërore ishte shumë i rëndësishëm për kohën, mbase rasti i parë kur bëhen propozime për zgjidhje politike, dhe një forcim i ndikimit lobist dhe i diplomacisë joformale të Kosovës në Norvegji, në përgjithësi në Skandinavi, dhe në kuadër të Procesit Civil të Helsinkit (Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit).

Fatkeqësisht, pas shumë pritjeve, çështja e Kosovës u shpërfill dhe nuk u kyç për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, përkatësisht në kuadër të konferencës së Dejtonit. Megjithëkëtë, Lëvizja Paqësore e Kosovës (para Konferencës së Dejtonit) si faktor i brendshëm dhe gjenocidi në Bosnjë si faktor i jashtëm (që preku thellë ndërgjegjen e shteteve perëndimore), e patën ndikimin e vet, që t’i japin legjitimitet ndërkombëtar luftës së mëvonshme të UÇK-së, në kuptimin se shqiptarët e Kosovës në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare kishin provuar me vite ta zgjidhin problemin e Kosovës pa luftë, por ishin refuzuar nga Millosheviqi dhe se shtetet perëndimore nuk mund të toleronin të ndodhte në Kosovë e njëjta përmasë gjenocidiale që kishte ndodhur në Bosnjë.

Pas Konferencës së Dejtonit (dhe çlirimit të Kroacisë me forcat e veta, në vitin 1995), përkundër numrit relativisht të vogël të pjesëtarëve të UÇK-së, u shtuan aksionet e armatosura të UÇK-së. Në këtë vazhdë edhe UÇK-ja pësoi goditje të njëpasnjëshme, veçanërisht në vitin 1997, ku u vranë: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Luan Haradinaj, Adrian Krasniqi, paraprakisht ishte plagosur në një aksion bashkëpunëtori i tyre Qerim Kelmendi, e gjithashtu paraprakisht gjatë arrestimeve ishte arrestuar edhe Nait Hasani. Në këtë vazhdë, pavarësisht prej vështirësive të mëdha, përpjekjet e UÇK-së, vazhduan duke rezultuar edhe me shfaqjen publike të UÇK-së. Përkatësisht më 28 nëntor 1997, në Llaushë të Drenicës, gjatë varrimit të mësuesit Halit Gecaj, i vrarë nga forcat e policisë serbe, në praninë e qindra njerëzve, tre komandantë të UÇK-së (Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj) dolën haptas para të pranishmëve. Megjithëkëtë, ende vazhdohej të dyshohej edhe në qarqet ndërkombëtare për ekzistencën e UÇK-së, dhe rrjedhimisht kishte rëndësi jetike që ekzistenca e UÇK-së mos të vihej në pikëpyetje dhe mbështetja për UÇK-në të inkurajohet edhe në kuadër të diasporës shqiptare. Në këtë vazhdë, rezultoi edhe deklarata e parë në diasporë në emër të UÇK-së, dhënë një medieje shtetërore të huaj. Përkatësisht Nufri Lekaj, në cilësinë e bashkëpunëtorit të afërt dhe me miratimin Sektorit të Rëndësisë së Veçantë të LPK-së / Shtabit Qendror të UÇK-së (pa dijeninë dhe miratimin e përgjithshëm të organizatës – LPK-së), bëri një deklaratë publike (më 09.12.1997) për radiotelevizionin shtetëror norvegjez në përkrahje të UÇK-së, me qëllim të imponimit të mendimit në kuadër të diskursit mediatik ndërkombëtar, se UÇK-ja ekziston si mjet i fundit për imponimin e çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, gjithashtu, për t’i inkurajuar bashkëkombësit shqiptarë në diasporë për rëndësinë e përkrahjes së UÇK-së. Kjo deklaratë u emitua në mediat skandinave dhe më gjerë, duke përfshirë mediat shqiptare (gazetën “Bujku, “Rilindja” etj.)., me titullin: “Mjetet skandinave të informimit rreth ekzistimit dhe aksioneve të UÇK-së”. Në këtë vazhdë, Nufri Lekaj e inicioi me bashkëpunëtorët rikonsolidimin e Bashkësisë Shqiptare në Norvegji (BShN), që si rast unik në diasporën shqiptare, arriti t’i unifikojë/përfshijë brenda vetes të gjitha subjektet politike dhe kulturore shqiptare në Norvegji, pa dallim bindjesh politike dhe fetare, me një qëllim: në përkrahje logjistike, politike dhe diplomatike të UÇK-së. BShN, e organizoi edhe demonstratën e parë në diasporën shqiptare në përkrahje të drejtpërdrejtë të UÇK-së. Kjo u bë edhe simbolikisht, ngase 10 djem veshën uniformën ushtarake me emblemën e UÇK-së dhe parakalonin në fillim të rreshtit të demonstratës që kishte disa mijëra demonstrues, duke bartur banderolat “Rroftë UÇK-ja” dhe flamujt kombëtarë shqiptarë. Mund të thuhet se ishte demonstrata më e madhe në qytetin e Oslos organizuar nga ndonjë organizatë jonorvegjeze. Kështututje (gjatë periudhës së luftës në Kosovë) Nufriu mori përgjegjësinë dhe detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së për Skandinavinë, i emëruar nga përfaqësuesi i përgjithshëm politik i UÇK-së, Adem Demaçi, dhe të anëtarit të Grupit Diplomatik të UÇK-së. Përfaqësimi i UÇK-së në Skandinavi, e veçanërisht në Norvegji, është konsideruar i rëndësishëm, meqë në atë kohë Norvegjia udhëhiqte OSBE-në nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme, Knut Vollebæk. OSBE ishte vazhdimësi e Procesit të Helsinkit, përkatësisht Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – KSBE, si një arenë e konferencave ndërkombëtare, të bazuara në Deklaratën e Helsinkit, pasi që shërbeu rreth 20 vjet si arenë konferencash, u institucionalizua në vitin 1995 në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE.

Si rezultat i bashkëpunimit në kuadër të Bashkësisë Shqiptare në Norvegji (BShN-së), u bashkuan edhe Fondet për Norvegji (Fondi 3% dhe Fondi VTh). Rrjedhimisht, në muajin mars 1998, BSHN dërgoi ndihmën e parë financiare të një vlere të konsiderueshme shikuar gjerat në rrafshin e kohës. Dërgesën e realizuan Isa Thaqi dhe Kadri Mehaj duke i dorëzuar shumën prej rreth 700.000 Marka gjermane, Kryetarit të Fondit Qendror të Fondit VTh në Zvicër, tashmë Heroit të Kombit, Gjeneral Jashar Salihut, i cili sipas kujtesës se dëshmitarëve me lot në sy u tha: “O sa na ndihmon kjo ndihmë se kemi djemtë pa bukë e pa plumba”. Këto 700.000 Marka gjermane (të vlerësuara në forcën blerëse të sotme 2 milion Euro) në bazë të gjitha të dhënave rezulton se ishin parat e para të dërguara në këtë shumë për luftën tonë çlirimtare. Më vonë janë mbledhur shuma edhe më të mëdha nga shtete të tjera duke e përfshirë Norvegjinë, por është fjala për hapin e parë dhe periudhën kohore 97/98.

Për më tepër, gjatë luftës në Kosovë, Bashkësia Shqiptare në Norvegji (BSHN) inicioi vendosjen e Spitalit Ushtarak Fushor NorHosp nga Norvegjia në zonën kufitare Shqipëri–Kosovë, në Krumë. Kjo u realizua në bashkëpunim me stafin mjekësor të organizatës së njohur humanitare norvegjeze, Norwegian Aid Committee (NORWAC), dhe me sponsorizim nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme. Konkretisht, sektori i shëndetësisë i BSHN-së, dhe kryetari i NORWAC, Profesor Dr Erik Fosse, kishin aplikuar për financim nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme. Fosse drejtonte grupin e kirurgëve në këtë spital, i shoqëruar nga anestezisti, Profesor Dr Petter Andres Steen, dhe infermierja e sallës operatore, Kjersti Fiveland. Koordinatorja e ekipit të mjekëve ishte patologia Kristin Refsdal, e cila lëvizte me karrocë invalidi. NORWAC kishte vetëm një të punësuar me pagesë, ndërsa të tjerët ishin idealistë që punonin kryesisht në shërbimet shëndetësore norvegjeze. Këta norvegjezë dhe kolegët e tyre në stafin mjekësor të NorHosp mbetën të heshtur, pa kërkuar lavdi dhe meritokraci, por si humanistë të vërtetë ndihmuan shumë Kosovën.

Jetët e shumë civilëve dhe ushtarëve të UÇK-së u shpëtuan në këtë spital ushtarak fushor. Ky spital kishte një rëndësi të dyfishtë për ushtarët e UÇK-së, pasi ata kishin frikë nga plagosjet e rënda ose vdekja si rezultat i trajtimit të gabuar mjekësor ose mungesës së trajtimit. Si rrjedhojë, ky spital norvegjez u siguroi ushtarëve të UÇK-së siguri dhe trajtim të duhur. Koordinator i përgjithshëm i këtij spitali ishte BSHN, dhe përfaqësues të BSHN-së ishin gjithmonë të pranishëm aty. Vlen të përmendet se Norvegjia ishte i vetmi vend perëndimor që ndihmoi Kosovën në këtë mënyrë. Fosse citohet në një artikull që u botua në gazetën e Universitetit të Oslos, “Uniforum”: «Norvegjia është i vetmi vend që ka pranuar kërkesën e përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës në mërgim për ndihmë për të ndërtuar një spital fushor». Së bashku me sektorin e shëndetësisë të BSHN-së dhe NORWAC – un, aplikoi në Ministrinë e Jashtme Norvegjeze për fondet për projektin në Krumë. Fosse nuk sheh asgjë problematike që një organizatë ndihme të zgjedhë anë në një konflikt, siç ka bërë NORWAC në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës dhe guerilëve të UÇK-së; përkundrazi. «Nëse norvegjezët do të përjetonin luftë në Norvegji dhe do të duhej të arratiseshin në Suedi, ne do ta merrnim seriozisht nëse organizata ndihme nga Pakistani, Turqia ose Afganistani do të ngrinin kampe refugjatësh dhe qendra ndihme pa na pyetur se çfarë na nevojitej. Ata do të duhej të lidhen me përfaqësuesit politikë dhe të hartojnë një plan së bashku», thotë Fosse.

Shih si ilustrim në aneks të këtij shkrimi. Fillimisht është shkrimi i sipërcekur/sipërcituar i gazetës zyrtare APEL, të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Më tutje është shkrimi i Shkelzen Maliqit (më 3 nëntor 1990) në lidhje me mbledhjen themeluese të Asamblesë Qytetare të Helsinkit në Pragë. Dhe kopja e gazetës zyrtare periodike Appel e Komitetit Norvegjez të Helsinkit, në lidhje me Konkluzat e Konferencës së Veronës e vitit 1992. Duke e përfshirë shkrimin/lajmërimin e Nufriut në gazetën Shkëndija në prill 1991, se në mbledhjen vjetore të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, mbajtur në godinën e parlamentit norvegjez më 19.03.1991, sekretari gjeneral i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, propozon publikisht, dhe unanimisht aprovohet si një nga pikat e “këshillimit” të politikës së jashtme norvegjeze: “Kosova Republikë është zgjidhja më e mirë e problemeve serioze e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”. Më tutje në aneks janë, dy faksimilet e fragmenteve të gazetave “Bujku” dhe “Rilindja” në lidhje me deklaratën e sipërcekur në mbështetje të UÇK-së. Dhe një foto nga demonstrimi i parë i hapur në mbështetje të UÇK-së në diasporë më 07.03.1998, organizuar nga Bashkësia Shqiptare në Norvegji (BShN). Faksimilja tjetër në radhë është fragmenti nga gazeta e Universitetit të Oslos “Uniforum”, përkatësisht intervista e mjekëve dhe infermierëve kryesorë norvegjezë të Spitalit Fushor, në mbështetje të UÇK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter goditi të…