
Vështrim mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi (VIII)
Fatmir Lekaj, politolog
Historik i shkurtër i themelimit të Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-së)
Themelimi i GKKNH-së, në kuadër të një organizate – Komitetit Norvegjez të Helsinkit (pothuajse organizatë gjysmështetërore dhe këshillëdhënëse për Ministrinë e Punëve të Jashtme Norvegjeze – MPJN), nuk ka qenë aspak projekt i lehtë, sidomos duke e marrë parasysh lidhjen e fortë të miqësisë në mes të shtetit norvegjez dhe ish-Jugosllavisë. Përkatësisht propaganda serbo-jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore kishte arritur gradualisht të ketë ndikim të madh në Norvegji, duke e shtrirë këtë ndikim propagandistik edhe në shtetet e tjera nordike. Fillimisht propaganda serbo-jugosllave e kishte arritur suksesin, duke e përdorur si mjet propagandistik historinë e të burgosurve jugosllavë të luftës në Norvegji (gjatë Luftës së Dytë Botërore) në kuptimin se vetëm serbët kanë qenë anti-nazifashistë të devotshëm: nga njëra anë duke i bashkëlidhur nocionet serb-partizan-antinazifashist-jugosllav, nga ana tjetër duke aluduar se popujt e tjerë në Jugosllavi, sidomos shqiptarët dhe kroatët, kanë qenë më shumë bashkëpunëtorë të nazifashistëve sesa kundërshtarë të nazifashistëve. Në bazë të kësaj propagande Serbia e stimulonte miqësinë me Norvegjinë edhe për arsyen se Norvegjia pas Luftës së Dytë Botërore rezultoi si shteti nordik më proaktiv në politikën e jashtme (krahasuar me shtetet e tjera nordike) dhe me shumë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për shkak të kësaj lidhjeje në mes të Norvegjisë dhe Jugosllavisë, kolegët norvegjezë në kuadër të Grupit për Kosovën të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-së), Berit Backer, Kristoffer Gjøtterud etj., e propozuan Nufri Lekën si përgjegjës të GKKNH-së, meqë edhe kishte krijuar profil në mediat norvegjeze si shembull i dëshmuar i viktimës së torturës nga regjimi jugosllav, si ish-i burgosur dhe i përndjekur politik. Rrjedhimisht, në këtë mënyrë kolegët norvegjezë të GKKNH-së nuk mund të akuzoheshin drejtpërdrejt nga diplomacia jugosllave si anti-jugosllavë (dhe të vënin në siklet të madh marrëdhëniet shtetërore norvegjeze-jugosllave), ndërsa përkrahjen e tyre për GKKNH-n e legjitimonin bazuar në njërin ndër parimet e rëndësishme të Deklaratës së Helsinkit, përkatësisht parimin për respektimin e të drejtave të njeriut ngaqë edhe Jugosllavia, si një ndër shtetet nënshkruese, obligohej moralisht dhe politikisht ta respektonte Deklaratën e Helsinkit (1975).
Në vijim në aneks si orientim më konkret janë të paraqitura/radhitura disa nga faksimilet/artikujt e gazetave norvegjeze dhe serbe për periudhën e viteve 1987-1989. Përkatësisht pesë faksimile/ artikuj që përshkruajnë organizimin e demonstratave në Oslo dhe në qendrat e tjera skandinave me kërkesën Kosova Republikë, dhe paraqitjet e njërit ndër përfaqësuesit e LPK-së në emigracion, Nufri Lekës në mediat norvegjeze etj., i cili, më 29 shtator 1987, dha një deklaratë në shtypin norvegjez, që e sfidoi shumë miqësinë në mes të shtetit norvegjez dhe Jugosllavisë, sepse nëpërmjet kësaj deklarate u informua opinioni norvegjez për përdorimin e torturës ndaj të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi për përndjekjet politike ndaj shqiptarëve, për kërkesën Kosova Republikë dhe për një rezyme historike të popullit shqiptar si popull me prejardhje ilire. Ambasada Jugosllave në Norvegji, si reagim ndaj kësaj deklarate, duke e përdorur si mjet miqësinë jugosllave-norvegjeze të formuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndikoi që organet shtetërore norvegjeze ta nënvlerësojnë në shtypin norvegjez vërtetësinë e kësaj deklarate. Në veçanti këtë nënvlerësim e bëri zëvendësministrja e Jashtme e Norvegjisë në atë kohë, Helga Hernes, e cila, në emër të Ministrisë së Jashtme norvegjeze që udhëhiqej nga Thorvald Stoltenberg (i cili prej vitit 1961 deri në vitin 1964 ka qenë sekretar i parë i Ambasadës Norvegjeze në Beograd), deklaroi se nuk ndodh përdorimi i torturës dhe shkelja e të drejtave nga pushteti jugosllav në Kosovë.
Qëllimi kryesor i Ambasadës Jugosllave, ishte që shteti norvegjez ta dëbonte Nufri Lekën. Kjo do t’u mundësonte autoriteteve jugosllave ta burgosnin sërish. Megjithëkëtë, Nufriu insistoi edhe më shumë, nëpërmjet mediave norvegjeze, për ndërkombëtarizimin e dhunës nga regjimi serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos duke e marrë përkrahjen publike nga Amnesty në shtypin norvegjez dhe nga avokati Arild Farstadvoll, u arrit nga njëra anë një fillesë për dobësimin e ndikimit të propagandës së Ambasadës Jugosllave në Norvegji, nga ana tjetër ky aktivitet në medie i bëri presion edhe Ministrisë së Jashtme norvegjeze ta rivlerësojë vërtetësinë e deklaratave të Nufriut në mediat norvegjeze në lidhje me shkeljet e të drejtave të shqiptarëve nga regjimi serbo-jugosllav në Kosovë.
Rrjedhimisht, ministri i Jashtëm i Norvegjisë, në atë kohë Thorvald Stoltenberg, e korrigjoi zëvendësministren e tij, Helga Hernes, në deklaratën e tij publike në shtypin norvegjez ku, përveç të tjerash, thuhet: Ministri i Jashtëm Thorvald Stoltenberg në gazetën “VG”ka korrigjuar deklaratat e zëvendësministres së Jashtme Helga Hernes në lidhje me rrethanat në krahinën e Kosovës në Jugosllavi. Precizon: natyrisht nuk mund ta përjashtojmë mundësinë se ndodh persekutimi politik në Jugosllavi. Unë e pranoj me kënaqësi se ne kemi një marrëdhënie shumë të veçantë me Jugosllavinë dhe ne e përdorim pikërisht këtë marrëdhënie të mirë në bisedat tona me jugosllavët. Kështu që, është e mundur për t’u shprehur me saktësi dhe drejtpërdrejt miqve. Rrethanat në Kosovë janë shumë të komplikuara. Neve na kanë ardhur të dhëna për raste të veçanta, për persona të arrestuar me emër dhe mbiemër. Por, as Norvegjia e as ndonjë nga shtetet e tjera nordike nuk kanë mundur ta vërtetojnë këtë.
E me një rast, Nufriu u kërcënua hapur nga Ambasada Jugosllave duke i thënë “mos luaj me zjarr”. Kjo ndodhi pas një përplasjeje në debat në një emision të radiotelevizionit norvegjez në mes të Nufriut dhe përfaqësuesit të Ambasadës Jugosllave. Ky kërcënim në njëfarë mënyre u përsërit edhe nëpërmjet gazetës serbe “NIN” më 23.04.1989 ku, përveç të tjerash, shkruan: Separatistët shqiptarë gëzojnë një dozë përkrahje nga redaksitë norvegjeze…, por është dëgjuar edhe pala tjetër. Demonstratat e janarit (numër 4) nuk kishin aq bujë te gazetarët norvegjezë… u bënë me rastin e “përvjetorit të vrasjes së tre intelektualëve të njohur shqiptarë më 17 janar 1982 në Shtutgard nga ana e policisë jugosllave, duke i bindur kalimtarët sikur Gjermania të ishte bërë terren gjahu privat për shtetin e RSFJ-së. Demonstratat e pesta në vendin mik ishin masive… kanë tërhequr vëmendjen me forcën dhe masivitetin. Ka vazhduar prezantimi në televizion dhe radio. Kush prezanton të vërtetën dhe falsifikimin. Kësaj radhe është dëgjuar edhe pala tjetër. Programi i dytë i radios ka emituar fjalën e arsyeshme të sekretarit të parë të ambasadës, Milorad Djuroviq. Menjëherë me replikën e tij paraqitet refugjati politik Nufri Lekaj, i cili, duke mos menduar se po luan me bumerang, i është drejtuar me “kundërargument”, duke ofenduar publikisht diplomatin jugosllav me: gënjen, gënjen, gënjen. Menjëherë ndaj kësaj kanë reaguar disa qytetarë jugosllavë me përkatësi jugosllave…
Këtyre personave që gazeta serbe “NIN” iu referohet si qytetarë jugosllav me përkatësi jugosllave që kanë reaguar kundër Përfaqësuesit të LPK-së në Oslo, në mesin e tyre kishte persona të lidhur me kryekriminelin e nëntokës serbe në Stokholm të Suedisë, i ashtuquajturi “Jokso”, i cili ishte mik i ngushtë i Arkanit, madje një nga bashkëpunëtorët e tyre i ashtuquajturi “Čenta” (sipas dëshmitarëve) e kishte vizituar Oslon që në vitin 1987, kur sapo kishte marrë hov organizimi i demonstratave etj. në Oslo, me kërkesën Kosova Republikë e, gjithashtu, (sipas dëshmitarëve që i kishin identifikuar) në vjeshtën e vitit 1987, dy inspektorë të lartë shqipfolës të UDB-së në Pejë, kishin vizituar Norvegjinë “për të mbledhur informacion”. Dihet tanimë botërisht se kriminelët e nëntokës serbe kanë punuar ngushtë me shërbimin sekret serbojugosllav (UDB-në) kundër veprimtarisë së emigracionit politik shqiptar dhe kroat, njëherësh edhe njerëz të caktuar të redaksive të gazetave serbe kanë qenë të sinkronizuar me këtë veprimtari të UDB-së. Për më tepër që në vitin 1987, konkretisht me datën 24.11.1987, në gazetën serbe “Ilustrovana Politika”, përveç të tjerash, shkruan: Kanë organizuar demonstrata antijugosllave në Norvegji, por edhe në Suedi… Ne jemi të interesuar të dimë se a ka ndër ta edhe të tillë që kanë mbajtur dënime për ngjarjet kundërrevolucionare të vitit 1981. Pasi që dy nga bashkëfamiljarët e Përfaqësuesit të LPK-së në Oslo, me ndihmën e një kroati identifikuan nga kishin ardhur kërcënimet në kuadër të çerdhes së këtyre “qytetarëve jugosllavë me përkatësi jugosllave” në Norvegji, që disa prej tyre mbanin lidhje me nëntokën serbe të Stokholmit në Suedi, u shpartallua kjo çerdhe dhe u shkurtua fuqia e saj kërcënuese.
Fillimisht, GKKNH u quajt Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (i themeluar në vitin 1988), por me insistimin e Berit Backerit e vazhdoi veprimtarinë me emrin Grupi për Ballkanin në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), në mënyrë që informacioni dhe veprimtaria e këtij Grupi të mos paragjykoheshin krejtësisht si veprimtari dhe informacione subjektive për Kosovën, por të jenë sa më të depërtueshme, sa më bindëse dhe sa më të pranueshme për kancelaritë e shteteve perëndimore, njëherësh vlen të theksohet se Grupi për Ballkanin nga viti 1990 arriti të ketë edhe status zyrtar në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit dhe Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit.
Vlen të theksohet, se në kuadër të konsolidimit të veprimtarisë së GKKNH-së, me sugjerim të Berit Backerit, Nufri Lekaj ka udhëtuar në Londër në vitin 1988, ku përveçse është takuar me disa personalitete të kulturës dhe politikës angleze, është takuar edhe me Ihsan Toptanin, nga i cili ka marr këshilla të vyeshme. Përveç të tjerash, sugjerimet e Ihsan Toptanit kanë qenë që organizatat e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për arritjen e lirisë dhe barazisë së shqiptarëve në Jugosllavi, të mos merren me çështjet ideologjike, por të profilohen vetëm si organizata për të drejtën kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, përkatësisht të mos merren me Enver Hoxhën dhe sistemin politik në Shqipëri. E, në fakt, Enver Hoxha dhe sistemi politik në Shqipëri nuk ishte qëllimi parësor i LPK-së, madje edhe formalisht u hoq dorë nga kjo, pas përmbysjes së sistemit në Shqipëri. Dhe ky ishte tregues i qartë se LPK-ja, në esencë, kishte si qëllim parësor çështjen kombëtare mbi çdo ideologji, ashtu siç ishte shprehur një ndër themeluesit emblematik të LPK-së, Jusuf Gërvalla, në një intervistë të realizuar para demonstratave të vitit 1981, përkatësisht në vitin 1980, e publikuar më 20 janar 1982 në gazetën gjermane “Tagische Zeitung”, në njërën nga pyetjet e gazetarit të kësaj gazete, se a do ta kërkonit bashkimin me Shqipërinë, pavarësisht se në Shqipëri mbretëron sistemi radikal komunist, radikal demokratik ose një sistem i së drejtës? Jusuf Gërvalla përgjigjet: Pavarësisht nga çfarëdo sistemi!
Ihsan Toptani, Anton Logoreci, Sami Repishti, Hysen Tërpeza, Tahir Kerrnaja dhe ca shembuj tjerë të izoluar, ishin shembuj të rrallë në kuadër të emigracionit politik shqiptar nga gjenerata e vjetër (pas Luftës së Dytë Botërore), të cilët nuk ishin të preokupuar vetëm me veprimtarinë kundër Enver Hoxhës, por në një mënyrë ose tjetër preokupoheshin dhe angazhoheshin për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejtë çlirimit.
Më konkretisht, organizimi i takimit me Ihsan Toptanin ishte në vazhdimësinë e krijimit të kontakteve, respektivisht informimit dhe njohjes së realitetit të situatës së shqiptarëve në Jugosllavi, por dhe njohjes së Ihsan Toptanit me eksponentë të LPK-së, që si organizatë shihej me rezerva nga qarqe të caktuara për shkak të vijës së majtë ideologjike. Si personalitet, Ihsan Toptani, përveçse në të kaluarën e kishte dëshmuar përkushtimin e tij për të ndërmjetësuar mes palëve për të gjetur kompromis për qëllimet kombëtare (në cilësinë e organizatorit për mbarëvajtjen e Konferencës së Mukjes në vitin 1943), në këtë vazhdë, pasi emigroi në Mbretërinë e Bashkuar, është konsideruar në vazhdimësi si personaliteti shqiptar më kredibil edhe për shkak të neutralitetit të tij rreth përplasjeve ideologjike të emigracionit shqiptar nga Shqipëria. Rrjedhimisht, Ihsan Toptani ishte informues kredibil për autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me çështjen shqiptare në përgjithësi. Në këtë kuadër Berit Backeri jorastësisht konsideronte se informacioni për eksponentët e emigracionit politik nga Kosova (të cilët kryesisht ishin rreshtuar në grupime organizative të majta), nuk perceptohej në mënyrë të duhur nga diplomacia perëndimore, për shkak se shpërndahej një dezinformim nga ana e diplomacisë jugosllave në kuptimin se shqiptarët në Jugosllavi jo vetëm se dëshirojnë ta shkatërrojnë shtetin jugosllav, por dëshirojnë ta ndryshojnë edhe rendin shoqëror, duke aluduar se ata janë fanatikë dhe ekstremistë majtistë etj. Prandaj, Berit Backer insistonte se informacioni i drejtpërdrejtë nga një ndër drejtuesit e LPK-së në emigracion do të shërbejë për një perceptim më të duhur, dhe se Ihsan Toptani e të tjerët ishin njerëz të duhur të cilët do mund ta shpinin më tutje këtë informacion dhe perceptim të duhur, sidomos duke e marrë parasysh faktin se në kontekstin e kohës, Mbretëria e Bashkuar konsiderohej shteti më kredibil për të ndarë informacionin me vendet mike perëndimore, njëherësh konsiderohej se Mbretëria e Bashkuar kishte informacionin më të saktë për zhvillimet historiko-politike të shqiptarëve. Në fakt, Berit Backer kishte krijuar shpejt bindjen e duhur për LPK-në, duke u njohur dhe diskutuar me eksponentë të LPK-së (Nufri Lekën, Ibrahim Kelmendin, Xhavit Halitin etj.), të cilët ajo i konsideronte si të pangarkuar ideologjikisht dhe, thjesht, si patriot shqiptarë të cilët, për shkak se konsideronin se shqiptarët në Jugosllavi duhet gjithmonë të jenë luajalë ndaj shtetit amë Shqipërisë, ishin rreshtuar në një organizatë të majtë në dukje, por jo në esencë, dhe se nuk ishin rob të asaj të majte ideologjike që në shtetet lindore kishte degraduar në totalitarizëm dhe autoritarizëm, dhe se si qëllim kryesor kishin lirinë dhe barazinë e shqiptarëve me popujt e tjerë në Jugosllavi.
Rrjedhimisht, themelimi dhe ngritja e GBKNH-së ishte rezultat i bashkëpunimit në mes të Berit Backerit, Nufri Lekës dhe Kristoffer Gjøtterudit, por edhe i mbështetjes nga LPK-ja si organizatë, nëpërmes Ibrahim Kelmendit (bashkëthemelues i LPK-së, në vitin 1982, së bashku me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallën etj.), dhe nëpërmes Xhavit Halitit (bashkëpërgjegjës për ngritjen e strukturave të rezistencës së armatosur në Kosovë – UÇK-së, nga mesi i viteve ’80, së bashku me Xhavit Hazirin, Ahmet Haxhiun etj.). Në bazë të një nevoje dhe kërkese nga Berit Backer, aktiviteti i GKKNH-së nuk u formalizua si pjesë e LPK-së por u mbajt në fshehtësi për një pjesë të madhe të organizatës si dhe vet Komitetin Norvegjez të Helsinkit. Rrjedhimisht, përfaqësuesi i LPK-së, Nufri Lekaj, i cili gjatë kësaj kohe ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së (Dega jashtë vendit), mund të ishte formalisht përgjegjës i GKKNH-së, në cilësinë e viktimës së torturës nga regjimi jugosllav, si ish-i burgosur dhe i përndjekur politik, por nuk mund të ishte formalisht përgjegjës i GKKNH-së, në cilësinë e “njeriut të LPK-së”. Megjithëkëtë, në realitet, struktura e LPK-së ishte aktive në mbështetje të GKKNH-së, edhe pse kjo mbështetje nuk ishte e formalizuar, dhe GKKNH funksiononte kryesisht si një sektor i lobizmit dhe i diplomacisë jo-formale i LPK-së për Kosovën. Në fakt, duhet të kihet parasysh se gjatë kësaj periudhe, përveçse veprimtaria e LPK-së në Kosovë (Dega brenda vendit) ishte veprimtari tërësisht klandestine, edhe veprimtaria e LPK-së (Dega jashtë vendit) ishte veprimtari gjysmë klandestine.
Konkludim
Pavarësisht prej përpjekjeve të Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-së), dhe përpjekjeve të LPK-së në përgjithësi, duke përfshirë përpjekjet e disa strukturave të tjera të ish-emigracionit politik shqiptar (po ashtu të themeluara para shembjes së murit të Berlinit), që nga Organizata Rinia Shqiptare-Kosovare në Botën e Lirë, në Nju-Jork, Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare, Klubi Kombëtar “Jusuf Gërvalla” në Nju-Jork, Komiteti i Kosovës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Belgjikë, Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror në Gjenevë, Shoqata “Migjeni” në Slloveni, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe, për më tepër, duke i përfshirë përpjekjet (pas shembjes së murit të Berlinit), të Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Prishtinë, të Komitetit Kosovar të Helsinkit, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Qeverisë së Kosovës në Egzil, të degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Diasporë, të Komitetit të Kosovës në Paris, të Këshillit Shqiptaro – Amerikan etj. dhe, veçanërisht, pavarësisht prej përpjekjeve me ndikim të veçantë të presidentit me përgjegjësi të madhe politike dhe misionarit vizionar të paqes, Ibrahim Rugovës, nuk u arrit që nëpërmes këtyre përpjekjeve (që, në fakt, e ndërkombëtarizuan deri në maksimum çështjen e Kosovës) të imponohet çështja e Kosovës për zgjidhje në kuadër të Konferencës së Dejtonit. Megjithatë, të gjitha këto përpjekje nuk shkuan huq, por e patën ndikimin e vet, që t’i japin legjitimitet ndërkombëtar luftës së mëvonshme të UÇK-së, në kuptimin se shqiptarët e Kosovës, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, kishin provuar me vite ta zgjidhin problemin e Kosovës pa luftë, por ishin refuzuar nga Millosheviqi dhe se shtetet perëndimore nuk mund të toleronin të ndodhte në Kosovë e njëjta përmasë gjenocidiale që kishte ndodhur në Bosnjë, veçanërisht duke e marrë parasysh edhe faktorin gjeopolitik ngaqë një konflikt i armatosur në Kosovë (për dallim të Bosnjës) e kishte potencialin e zgjerimit të luftës përtej kufijve të Jugosllavisë.
Në këtë vazhdë, në gjithë gamën e zhvillimit të ngjarjeve, Grupi Diplomatik i UÇK-së e pati një rol shumë të rëndësishëm. Ngase edhe pas krimit monstruoz të regjimit të Milosheviqit në sulmin ndaj familjes Jashari, duke e përfshirë sulmin të njëjtin muaj më 24 mars 1998 ndaj familjes Haradinaj, institucionet politike ndërkombëtare ende vazhdonin të kenë një qasje refuzuese dhe paragjykuese ndaj UÇK-së. Kështu që, konsolidimi i Grupit Diplomatik të UÇK-së që përbëhej kryesisht nga veprimtarë të mirëshkolluar në universitete prestigjioze perëndimore dhe që përfaqësonin UÇK-në në pothuajse të gjitha shtetet perëndimore e pati një rol vendimtar për arritjet e para diplomatike të UÇK-së. Në këtë mënyrë, UÇK arriti të shënoj një etapë të re në vazhdën e (dhe si kulminacion) i kryengritjeve të armatosura dhe përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës prej vitit 1912. Sepse, tanimë UÇK duke qenë e inkurajuar nga altruizmi patriotik, heroizmi dhe sakrifica sublime e familjes Jashari etj., përveçse arrinte të bënte një përballje titanike ushtarake, edhe pse ishte tërësisht asimetrike në raport me forcat e armatosura të regjimit të Milosheviqit (sikurse Davidi kundër Goliatit), gjithashtu për të parën herë përfaqësimi politiko-diplomatik i një kryengritje të armatosur të shqiptarëve të Kosovës (UÇK-së) arrinte suksese të njëpasnjëshme diplomatike. Ky sukses diplomatik u arrit si rezultat i veprimtarisë së Grupit Diplomatik të UÇK-së, nëpërmes takimeve dhe komunikimeve të suksesshme fillestare në emër të UÇK-së, përfshirë interesimin e madh të gazetarëve të huaj që i mundësuan Grupit Diplomatik të UÇK-së, mbajtjen e konferencave dhe paraqitjen në debatet televizive dhe në mediat e shkruara në shtetet perëndimore. Krahas Grupit Diplomatik të UÇK-së, një rrol të rëndësishëm e kanë pasur edhe Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, Dega jashtë vendit (duke përfshirë kontributin edhe të disa personaliteteve në kuadër të diasporës shqiptare pa dallim bindjesh politike). Në fakt e gjithë kjo veprimtari ishte edhe kulminacion i përpjekjeve të vazhdueshme dhe të përgjithshme të ish-emigracionit politik shqiptar (dhe të diasporës shqiptare në përgjithësi) drejt çlirimit përfundimtar të Kosovës. Për më tepër, kjo ishte e një rëndësie të veçantë, sepse shqiptarët e Kosovës prej vitit 1912, në disa raste kishin korrur suksese gjatë betejave ushtarake, por tani si UÇK për të parën herë korrnin suksese gjatë betejave të njëpasnjëshme diplomatike, duke i përforcuar dhe siguruar binarët drejtë imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, që rezultoi me organizimin e Konferencës së Rambujesë.
Udhëheqja politiko-ushtarake e Kosovës, u sfidua shumë nga dokumenti i propozuar për negociata në Konferencën e Rambujesë ngaqë në pikënisje, ky dokument garantonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federative Jugosllave (RFJ-së) de facto të Serbisë, mbi Kosovën, dhe parashihte një autonomi për Kosovën që nuk ishte në nivel as me autonominë që kishte Kosova në bazë të Kushtetutës të vitit 1974. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçi, sa e kishte privilegjin po aq e kishte të vështirë pozitën e kryesuesit të delegacionit. Për më tepër, ishte nën hijen, në kuptimin e presionit psikologjik, të dy personaliteteve më me ndikim politik në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Kjo gjendje, në fakt, e ndihmoi Hashim Thaçin, ta gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Brenda kështjellës e kishte simbolin e rezistencës paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovën, i cili, me personalitetin e tij si misionar i paqes e rriste presionin psikologjik pro nënshkrimit gjithsesi të një marrëveshjeje si rrugë drejt paqes. Jashtë kështjellës e kishte simbolin e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, njëherësh prijës emblematik politik i UÇK-së, Adem Demaçin, i cili (edhe pse e kishte refuzuar që në fillim dokumentin e propozuar për negociata), me ndikimin që kishte, e rriste presionin psikologjik në kuptimin që të mos pranohet ndonjë zgjidhje pa asnjë perspektivë politike për Kosovën, dhe kështu tërthorazi ndikonte për forcimin e pozicionit negociues të delegacionit shqiptar të Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Në këtë vazhdë, pasi që u premtua se zgjidhja finale për Kosovën do të bazohet në vullnetin e popullit (edhe pse shprehja “vullneti i popullit” nuk ishte e konkretizuar), delegacioni i shqiptarëve të Kosovës, i kryesuar nga Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova, në të cilin kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Rexhep Qosja dhe Veton Surroi (bashkërisht me delegatët e tjerë), e pranoi propozimin për Marrëveshjen e Rambujesë dhe e nënshkroi më 18 mars 1999 në Paris të Francës, e gjithë kjo në kombinim me refuzimin e Milosheviqit të kësaj marrëveshje, rezultoi me intervenimin ajror të NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës. Milosheviqi e refuzoi marrëveshjen e Rambujesë sepse nuk pranoi, siç parashihte kjo marrëveshje, stacionimin e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO dhe se kjo marrëveshje pas tre vjetësh parashihte një lloj referendumi për Kosovën. Gjithashtu Milosheviqi duke qenë i vetëdijshëm se në botë njihej si agresor, respektivisht si njeriu që qëndronte prapa të gjitha krimeve dhe agresioneve në Bosnje e Kroaci (për të cilat e priste burgu) tani përnjëherë dëshironte të shihej në pozitën e viktimës. Dhe, që bota ta njihte si dikë që ishte viktimë e agresionit të forcës më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit.
Rrjedhimisht mund të konkludohet se parakusht kryesorë dhe i domosdoshëm për zbërthimin e nyjës gordiane drejt ndërhyrjes e NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës, ishte në kuptim komplementar UÇK-ja dhe Lëvizja Paqësore e Kosovës, që arritën më shumë dhe më pak në kuptim komplementar që çështjen e Kosovës (që kishte mbetur çështje e pazgjidhur prej vitit 1912) ta imponojnë për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, dhe me sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës, shërbyen si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe rolin vendimtar të intervenimit ushtarak ajror të NATO-s, në krye me ShBA-në (përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s). Njëherësh, vlen të potencohet se si aspekti i sigurisë ashtu edhe ai humanitar (për intervenimin ushtarak ajror të NATO-s), duhet parë si vazhdimësi e Procesit të Helsinkit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Përkatësisht si vazhdimësi e konsolidimit më të fortë të politikave të sigurisë/paqes në Evropë përmes NATO-s dhe njëkohësisht si vazhdimësi e forcimit të qëndrimit se parimi i të drejtave të njeriut peshon më shumë se sa parimi i mosndërhyrjes në shtete, në rastet kur regjimet shtetërore shkelin rëndë të drejtat themelore të qytetarëve të vet dhe rrjedhimisht krijojnë kriza të rënda humanitare.
PS.
Si ilustrim në vijim në aneks janë të paraqitura pesë faksimile të gazetave të cituara (të sipërcekura), në periudhën 1987-1989. Gjithashtu edhe dy faksimile tjera. Njëra faksimile është lista e emrave dhe adresave të Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH-së), i themeluar në vitin 1988, më pastaj i quajtur Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH). Në këtë dokument janë të listuar emrat dhe adresat e kryesisë së Grupit për Kosovën, bashkërisht me disa nga anëtarët e udhëheqjes së bordit dhe kryesisë së Komitetit Norvegjez të Helsinkit (KNH-së), të cilët bashkërisht e mbështetën veprimtarinë e GBKNH-së për Kosovën. Faksimilja tjetër është një dokument nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit, që dëshmon se Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit nga viti 1990 arriti të ketë edhe status zyrtar në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, i riemëruar si Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), me përgjegjësin e Grupit, Nufri Lekën, dhe koordinatoren e Grupit, Berit Backerin. Njëherësh kjo faksimile/dokument dëshmon se edhe projekti Aksioni Norvegji – Shqipëri (ANSh) kishte status zyrtar si pjesë integrale e Komitetit Norvegjez të Helsinkit, me përgjegjësen e këtij projekti, Berit Backerin, dhe koordinatorin e këtij projekti, Nufri Lekën.
Pas vitit 2008, autori i këtij shkrimi, i ka shkruar dy herë kërkesa Hashim Thaçit, duke i shpjeguar rëndësinë dhe obligimin që kemi ndaj popullit norvegjez dhe veçanërisht ndaj Berit Backerit, në mënyrë që nga shteti i Kosovës t’i bëhet një nderim i dinjitetshëm Berit Backerit. Pas shumë zvarritjeve dhe pas intervenimit të Adem Demaçit për këto zvarritje, më 14 maj 2018 Hashim Thaçi e dekoroi me Medaljen Presidenciale të Kosovës, Berit Backerin. Autori i këtij shkrimi i ka shkruar dy herë edhe instancave përkatëse të shtetit shqiptar duke u shpjeguar rëndësinë dhe obligimin që kemi ndaj popullit norvegjez dhe veçanërisht ndaj Berit Backerit, në mënyrë që t’i bëhet një nderim i dinjitetshëm Berit Backerit nga shteti shqiptar. Por fatkeqësisht ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap nga shteti shqiptar në këtë drejtim.
Adem Demaçi, gjatë të gjitha vizitave të tij pas vitit 1993 në Norvegji, e vizitoi rregullisht varrin e Berit Backerit. Në vijim në aneks në foton një dhe dy, Adem Demaçi në një nga vizitat pranë varrit të Berit Backerit (gjatë njërës nga vizitat e tij në Norvegji), i shoqëruar nga Nufri Lekaj. Më tutje është foto e Medaljes Presidenciale të Kosovës për Berit Backerin. Dhe në foton e tretë janë disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e Berit Backerit, mbledhur me rastin e dekorimit të Backerit me Medaljen Presidenciale të Kosovës: në foto, ulur nga e djathta në të majtë: Adem Demaçi, Ali Aliu, Zekë Sinanaj. Në këmbë nga e djathta: Xhelali (shoqëruesi i Adem Demaçit), Nufri Lekaj, Ann Christine Eek, Fatmir Zymberaj, Gazmend Pula, Shkëlzen Maliqi dhe Shkëlzen Kukleci.