Vetëm dëshmorët e kombit bëhen pjesë e kujtesës sonë historike

22 mars 2023 | 09:44

Prof. dr. Emin Kabashi

(Afrim Hysenaj, “Bekimi, luftëtari i bekuar”, “Armagedoni”, Prishtinë, 2022)

Autori i monografisë, “Bekimi, luftëtari i bekuar”, Afrim Hysenaj, tërësinë e tekstit e ka ndërtuar mbi kujtesën e bashkëluftëtarëve të Bekimit, mbi jetën e kaluar në familje, por edhe nga kujtesa e motrës, Besës, e cila thuajse e ka rritur të vëllanë.

Pasi autori i monografisë ka zgjedhur këtë formë të mbarështimit të lëndës së tij për jetën, luftën dhe rënien e dëshmorit të kombit, Bekim Hysenaj, mund të thuhet se e tërë kronika e ngjarjeve historike është ndërtuar mbi rrëfimin e të tjerëve.

Prandaj, vetëm herë pas here hetohet dora e autorit në rrëfimin e bëmave, në përshkrimin e fazave të ndryshme të jetës, duke filluar nga fëmijëria e hershme e deri te veshja e uniformës së ushtarit të lirisë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përkushtimin e madh ndaj dashurisë së jetës së tij, vajzës me të cilën ka krijuar familje dhe kanë lindur një vajzë, deri edhe rrëfimin e momenteve të rënies dhe të kalimit të tij në amshim, në duart e bashkëluftëtarëve të tij.

Në ngjarjet që mbushin faqet e kësaj monografie, ka momente të rënda, siç është akti i rënies së dëshmorit të kombit, ka momente të lumtura, siç është njohja me Elfeten, vajzën nga Prishtina, me të cilën ishte dashuruar, por ka edhe momente të rrëfimit të aksioneve ushtarake, ku jeta e njeriut është në zgrip, e falë shkathtësisë së ushtarit të lirisë, Bekim Hysenajt, ajo, jeta vazhdon tutje, thuajse në atë rast, plumbat e armikut, nuk kishin punë me të.

Tërësia e rrëfimit të ngjarjeve është dhënë përmes episodeve që kanë treguar bashkëluftëtarët e tij.

Secila nga këto episode janë autentike, të natyrshme me gjuhën e rrëfimit, janë, në një mënyrë ose në një tjetër, bërthama të ngjarjeve të jetës në luftë, kur ndonjëherë nuk mungonte vetëm armatimi i duhur, por edhe buka, kur ndonjëherë nuk mungonte vetëm mundësia për t’i mbrojtur shokët e istikameve, por edhe pamundësia për t’i tërhequr të rënit në logun e bete¬jave. Për këtë arsye, ngjarjet në monografinë e Afrim Hysenajt, Bekimi, luftëtar i bekuar, janë të drejtpërdrejta, thënë nga kujtesa e atyre që i ka pasur shokë luftimesh, apo udhëtimesh për të siguruar armë, shokë të isti¬kameve, apo bashkëluftëtarë në sulmet për jetë a vdekje.

Falë kësaj logjike të rrëfimit të ngjarjeve nga bashkëluftëtarët e heroit të Kosovës, Bekim Hysenajt, ato kanë dalë përjetime të natyrshme, janë tre¬guar pa ngarkesën e zakonshme kur humbim të afërmit, hiç ndonjë episod, si ato kur rrëfen motra, Besa, jo vetëm për rënien e tij, për edhe për jetën e tij në përgjithësi.

Duke lexuar shtjellimin e ngjarjeve në monografinë e Afrim Hysenajt, lexuesi e lë anash gjuhën që kanë përdorur rrëfimtarët, sepse autori ka ruajtur me kujdes të folmen lokale të tyre, ngase me rëndësi është brumi i atyre rrëfimeve, me rëndësi është emocioni dhe saktësia e përshkrimit të ngjarjeve që ka ruajtur kujtesa e bashkëluftëtarëve, apo e familjarëve të dëshmorit të kombit, Bekim Hysenajt.

Një strukturë e këtillë e ndërtimit të strukturës së rrëfimit të ngjarjeve në këtë monografi, përveç të tjerash, i ka dhënë dorë autorit që të ruajë aspekte të ndryshme të ngjarjeve, qoftë në logun e luftimeve, qoftë në jetën famil¬jare, por edhe që të mundësojë krijimin e atmosferës së ngjarjeve të luftës, që mendoj, është vlera themelore e kësaj monografie.

Në këtë mënyrë, monografia për luftën për liri dhe çlirim kombëtar, si dhe rënia e dëshmorit të kombit, Bekim Hysenaj, bëhet pjesë e kujtesës sonë historike, ngaqë më askush, asnjë pushtet, nuk ka fuqi që ta ndalojë edukimin e brezave duke mësuar për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. dr. Nusret Pllana (Afrim Hysenaj, Bekimi, luftëtari i bekuar,…