
Vetëm disa detaje ndajnë Jasharin nga transferimi në Milan
Agjenti i Ardon Jasharit ka arritur marrëveshje personale me Milanin për një kontratë pesëvjeçare, me një pagë prej 2.8 milionë euro neto në sezon. Tani drejtori sportiv Igli Tare është në bisedime me Club Brugge për të gjetur marrëveshjen përfundimtare me klubin belg, i njohur për qëndrimin e tij të fortë në negociata, ashtu siç ndodhi me transferimin e Charles De Ketelaere në verën e vitit 2022.
Milani ka përmirësuar ofertën dhe ka propozuar 33 milionë euro plus 5 milionë euro bonuse, shumë që është shumë pranë kërkesës së Brugge, që llogaritet në rreth 35 milionë euro plus bonuse.
Klubi belg megjithatë nuk ka lëshuar ende dhe nuk duket i gatshëm për ulje të menjëhershme. Borussia Dortmund është përfshirë në garë, por kjo nuk shqetëson Milanin, që ka siguruar pëlqimin personal të lojtarit. Brugge shpresonte të nxiste një ankand për Jasharin, por duket se kjo nuk do të ndodhë. Tare ka synimin që ta mbyllë sa më shpejt marrëveshjen pa e zvarritur më tej.
Nëse marrëveshja dështon, Milani ka gati një alternativë: Javi Guerra i Valencias, mesfushor që vlerësohet rreth 25 milionë euro. Ndërkohë, Club Brugge ka nisur të kërkojë zëvendësues për Jasharin dhe një nga emrat në listë është Aleksandar Stankoviq i Interit, i lindur në vitin 2005 dhe i sapokthyer nga huazimi në Luzern.