
Vetëm edhe një javë kohë për respektim të aktgjykimit të Kushtetueses
Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja.
Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet, ndërsa afatit të caktuar me aktgjykim të Kushtetueses, i kanë mbetur edhe një javë kohë. Njohës së proceseve juridike e politike po paralajmërojnë një krizë të re.
Ndërkohë që ky aktgjykim, nuk ka paraprë se si duhet të veprohet tutje, në rast se deputetët sërish dështojnë të konstituojnë Kuvendin edhe pas këtij afati, avokati Valdet Hoxha thotë se mund të krijohet krizë e re.
Ndërkohë që analistja politike, Magbule Shkodra, duke iu referuar vizitës së fundit të zyrtarit të lartë amerikan thotë se ndërkombëtaret mund të ndikojnë që partitë t’i japin fund krizës politike.
Shkodra: Ndërkombëtarët po kërkojnë formim të institucioneve
“Po shpresoj që ai ka sjellë edhe një mesazh tjetër dhe nuk ka qenë vetëm një takim kurtuazie, dhe besoj se duhet të jetë i lidhur me çështje të rëndësisë së sigurisë strategjike për rajonin. Po shpresoj se iu ka bërë të ditur sa e rëndësishme është të lëvizet nga këto pozicione ku ka mbetur Kosova”, ka theksuar Magbule Shkodra – Analiste.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia me më së shumti vota, ka të drejtën e propozimit të kryekuvendarit, mirëpo e propozuara e tyre, Albulena Haxhiu, në gjashtë raste në votim të hapur nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post.
Më pas është kryesuesi i seancës, Avni Dehari ndërroi formën e votimit, në atë të votimit të fshehtë, por që u kundërshtua nga partitë e tjera. Të njëjtat nuk po votojnë për formimin e komisionit për votim të fshehtë, pasi sipas tyre ai është antikushtetues.