Vetëm perspektiva ekonomike evropeizon

04 maj 2018 | 10:38

Shkruan: Agron Hoti

Shikuar historiatin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, na jep të kuptojmë se kontinenti ka kaluar nëpër dinamika pothuajse krejtësisht të ndryshme politike, ekonomike e sociale. Kishim dhe kemi një Evropë me vende si Holanda, Belgjika, Gjermania, apo Austria që kanë zhvillim dhe nevoja krejtësisht të ndryshme nga Evropa mediterane. Kishte një perde të hekurt që qartazi ndante prosperitetin demokratik perëndimor dhe regresin komunist lindor.

Kishim dhe kemi një Evropë Lindore, e cila, edhe pse prosperuese në zhvillim ekonomik, është duke u përballur me ndikim të theksuar rus e kinez, ndërkohë që kemi një Evropë Jugore që ka një rritje jo shumë prosperuese ekonomike. Deri më tani është dëshmuar se politikat që i sjellin përfitime një pjese të Evropës mund të mos i sjellin pjesës tjetër ose e kundërta. Si rezultat i këtij trendi është tepër e vështirë, nëse e pamundshme, të ketë unifikim të politikave mes vendeve anëtare të BE-së dhe institucioneve të BE-së.

Logjikisht, në qoftë se vendet eksportuese të BE-së synojnë, në fakt synojnë, sepse çdo shtet ka këtë synim – rritjen e mëtejme të eksportit të tyre brenda tregut evropian, kjo sigurisht se do t’i dëmtojë ekonomitë joeksportuese apo më pak eksportuese duke pamundësuar zhvillimin e aftësive konkurruese karshi vendeve të zhvilluara. Forcimi i primatit politik brenda BE-së përmes zhvillimit ekonomik ka rritur shqetësimin mes vendeve anëtare për rritje ndikimi dhe dominance të dikujt-dikujt, njëkohësisht zbehje roli të dikujt tjetër.

Ky fenomen e ka përcjellë BE-në që nga fillet e tij e deri më sot, herë më shumë e herë më pak. Nuk thuhet rastësisht Evropa e “shpejtësive të ndryshme”. Dhe tani kemi arritur në pikën ekstreme ku Britania e Madhe del prej BE-së duke dhënë mesazhin më goditës të mundshëm ndaj projektit të synuar evropian dhe të ëndërruar prej brezash.

Britania e Madhe asnjëherë nuk kishte arritur të vendosej, së paku kështu reflektonte në qendër të vendimmarrjes institucionale të BE-së. Dhe duke qenë e tillë, asnjëherë nuk qe bërë anëtare e Shengenit dhe Eurozonës.
Ndërkohë që perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor është proklamuar dhe konfirmuar nga BE-ja në mënyrë konstante që nga Samiti i Zagrebit në vitin 2000 e deri më sot. Kjo perspektivë kishte dhe ka si synim kryesor kompletimin e projektit evropian duke ngërthyer në vete të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Përpjekjet për orientimin dhe përafrimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së janë reflektuar edhe në Strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor të publikuar në shkurt 2018. Megjithatë, planet e BE-së për zgjerim dhe dalja e Britanisë së Madhe shkojnë ndesh mes asaj që synohet dhe asaj që nuk dëshirohet.

Edhe vizitat e shpeshtuara të krerëve të BE-së në rajon dhe Kosovë (Tusk, Juncker, Hahn, Mogerini etj.) kanë pasur për qëllim konfirmimin dhe materializimin për së afërmi të perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor. Sigurisht se kjo ndërmarrje e krerëve të BE-së duhet të jetë më e shpeshtë duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat është duke u përballur rajoni, p. sh., ngecjet në reforma e zhvillimin ekonomik si dhe progresin e kufizuar në integrimin rajonal në pothuaj të gjitha dimensionet e tij.

Në qoftë se i referohemi tekstit të Strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor, atëherë shumë gjëra përsëritën nga dokumentet e mëhershme të BE-së që kishin të bënin me këtë rajon, përfshirë dhe Kosovën, që i bie se në shumë aspekte rajoni ka ngecur së zhvilluari mjaftueshëm dhe kjo është brengosëse. Janë pesë prioritete kryesore që kryesisht kanë të bëjnë me përmirësimin e qeverisjes, zhvillimin ekonomik, plotësimin e standardeve të BE-së dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe këto prioritete përsëriten në vazhdimësi. Vetë fakti që prioritetet përsëriten konfirmon ngecjen zhvillimore të rajonit.

Edhe buxheti i BE-së do të jetë në refleksion të këtyre prioriteteve, por që forma e buxhetit nuk do të jetë investive, por vetëm zhvilluese institucionale. Sigurisht se të gjitha këto prioritete qëndrojnë dhe vendet duhet të punojnë në plotësimin e tyre, ose së paku ta japin indikacionin se janë në drejtim të mirë, por ajo çfarë urgjentisht i duhet rajonit është zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik, i cili duhet të ndodhë krahas zhvillimit të sektorëve të tjerë, sepse ishte zhvillimi i hovshëm ekonomik i shoqëruar me vullnet politik ai që hapi rrugën e projektit evropian.

Pra, dimensioni i zhvillimit ekonomik të rajonit nuk është trajtuar sa duhet në Strategjinë për Ballkanin Perëndimor. E Ballkani Perëndimor dhe Ballkani në tërësi edhe sot mbetet rajoni më i pazhvilluar në Evropë në pothuaj të gjitha drejtimet. Shikuar nga aspekti historik ky rajon së bashku me Evropën Lindore nuk patën arritur ta kapin periudhën e industrializimit të shekullit 18 dhe 19. Të vetmen periudhë industriale Ballkani e kishte përjetuar pak para dhe gjatë periudhës së komunizmit, pra gjatë shekullit 20.

Pas rënies së komunizmit Ballkani pothuajse u deindustrializua i tëri, e me këtë humbën edhe tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Në aspektin e zhvillimit ekonomik, edhe pse ka ca progres, sidomos në projekte infrastrukturore, rajoni nuk ka mundur ta marrë veten si rezultat i së kaluarës, mungesës së investimeve në të tashmen dhe projeksioneve premtuese për të ardhmen. Si rezultat i kësaj i tërë rajoni i Ballkanit vazhdimisht përballej dhe përballet me qeverisje jostabile, zhvillim të ulët ekonomik dhe ngecje në reforma si rezultat i të cilave rajoni përballet me shkallën më të lartë të emigracionit në Evropë. Të gjitha këto “ushqejnë” praktika korruptive anë e përtej qeverisjeve të rajonit, të publikuara nëpër raporte të ndryshme ndërkombëtare.

Shikuar në retrospektivë, të gjitha iniciativave të BE-së, përfshirë Strategjinë e fundit për Ballkanin Perëndimor, pothuajse gjithmonë u ka munguar dimensioni i mirëfilltë i zhvillimit ekonomik të rajonit. Gjithmonë përqendrimi ka qenë në zhvillim institucional e shumë pak me përjashtim të numrit të kufizuar të projekteve infrastrukturore në zhvillim ekonomik, ajo çfarë më së shumti i nevojitet rajonit të dërmuar nga komunizmi dhe konfliktet.

E ndërkohë Evropa e kishte shembullin se si duhet ndihmuar vendet e dala nga lufta. Ishte Plani Marshall i ShBA-së ai që hapi shpresën për Evropën e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore. Pra, BE-ja do të duhej të nxirrte vetë mësime nga Plani Marshall, sepse ishte pikërisht ky plan që nxiti projektin evropian, frytet e të cilit po i gëzojnë sot qytetarët evropianë. Pas Luftës së Dytë Botërore askush nuk pyeste për forcim të rendit dhe ligjit, por për riaktivizim të potencialit ekonomik të Evropës perëndimore si shpresa e vetme për të krijuar paqe dhe prosperitet në Evropë.

Plani Marshall u iniciua sepse në Evropën Perëndimore të asaj kohe shumica e qymyrgurit vinte nga minierat gjermane, të cilat, të shkatërruara nga bombardimet, nuk mund të riaktivizoheshin pa ndihmën e kapitalit të jashtëm. Papunësia ishte masive dhe industria kishte ngecur jo vetëm në Gjermani, por në tërë Evropën. Pa funksionalizimin e këtyre minierave, fillimi i zhvillimit ekonomik të vendeve të shkatërruara nga lufta as që mund të paramendohej. Ndërkohë, një rajon i pazhvilluar ekonomikisht rrezikonte Evropën të rrëshqiste drejt komunizmit duke sfiduar kështu ShBA-në dhe Perëndimin në përgjithësi si kundërshtarin e pakompromis ndaj komunizmit.

Prandaj, Plani amerikan Marshall, që mbështeti 16 vende të Evropës Perëndimore me 13 miliardë dollarë të asaj kohe (ekuivalenti i 100 miliardëve dollarë sot), u përqendrua në pikat më delikate të ekonomisë. Minierat e qymyrgurit ishin të parat që përfituan. Pa qymyrgurin për të vënë në punë fabrikat, ekonomia evropiane nuk do të mund ta merrte veten. Dhe efektet pozitive të Planit Marshall dihen: prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Evropës Perëndimore u rrit mbi 30 % në katër vjetët e Planit Marshall, duke nxitur një rritje ekonomike afatgjatë si dhe duke siguruar kornizën e asaj që më vonë u bë Bashkimi Evropian.

Sigurisht se nuk mund të tërhiqen paralele mes gjendjes në të cilën ishte Evropa pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjendjes në të cilën gjendej Ballkani pas rënies së komunizmit dhe konflikteve pasuese. Por, ngjashmëri patjetër që ka, sepse Ballkani Perëndimor është përballur me konflikte për 10 vjet rresht dhe kjo bëri që ekonomitë e rajonit të kolapsonin. Tensionet e vazhdueshme politike dhe socio-ekonomike, që janë duke e përcjellë Ballkanin Perëndimor sot, kanë krijuar një gjendje të atillë sa shkalla e emigracionit drejt vendeve të BE-së është ndër më të lartat në Evropë. Me një fjalë, rajonit i ka munguar ndonjë mbështetje financiare e theksuar nga ana e BE-së, e cila do të mund t’i kontribuonte zhvillimit ekonomik të rajonit.

Në qoftë se i referohemi buxhetit të BE-së, shohim se mbi 75 % të tij menaxhohet në partneritet me autoritetet nacionale dhe rajonale përmes sistemit të “bashkëmenaxhimit”. Tashmë BE-ja ka pesë fonde të mëdha: Fondi Strukturor & Investimeve, Fondi Evropian për Zhvillim Rajonal, Fondi Koheziv, Fondi Evropian Agro-Kulturor për Zhvillim Rural dhe Fondi Evropian për Ujëra dhe Peshkatari. Përpos këtyre fondeve, BE-ja ka një sërë fondesh të tjera, ndër të cilët vlen të përmendet Fondi Evropian për Investime Strategjike. Ky fond pritet që deri në vitin 2020 të investojë nëpër vende të ndryshme të BE-së deri në 500 miliardë euro për të nxitur zhvillim ekonomik gjithandej BE-së, rritje të konkurrencës, rritje të kapaciteteve prodhuese, përmirësim të infrastrukturës dhe krijim të vendeve të reja të punës. Më konkretisht, ky fond do të përdoret për ndërtimin e infrastrukturës së ujërave, gazit, telekomunikimeve, shpërndarje të energjisë elektrike dhe infrastrukturë të transportit. Por, ky fond nuk do ta mbulojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shikuar nga perspektiva e Ballkanit Perëndimor, shihet se ky rajon ka nevojë pikërisht për projektet e lartpërmendura, sepse janë pikërisht këto fusha që rajoni ka nevojë për mbështetje nga buxheti i BE-së. Mungesa e infrastrukturës së gjithëmbarshme në rajon kërkon aq shumë fonde sa vendet e rajonit nuk kanë mundësi të investojnë paralelisht në infrastrukturë, zhvillim ekonomik dhe zhvillim institucional. Kapacitetet e fondeve të IPA-s (Instrumenti i Para-Anëtarësimit) janë kryesisht të përqendruara në zhvillim institucional të vendeve përfituese të Ballkanit Perëndimor e shumë pak në nxitje të zhvillimit ekonomik.

Në anën tjetër, vakuumin e ngecjes në zhvillim ekonomik të rajonit janë duke tentuar ta shfrytëzojnë me përpikëri aktorë si Rusia, Kina dhe Turqia. Për dallim prej BE-së, këto tri vende nuk pyesin shumë për plotësim të kritereve të ndryshme si kushte paraprake për investim. Këto vetëm investojnë aty ku u jepet mundësia. E kjo mund ta vendosë rajonin në binarë të gabuar, pasojat e të cilit do të ishin të pariparueshme për Evropën, sepse këto iniciativa minojnë kompletimin e projektit të synuar evropian.

Shikuar historinë e Ballkanit Perëndimor, atëherë lehtë është të kuptohet që ky rajon asnjëherë nuk ka mundur t’i shmanget konkurrencës së fuqive të mëdha të manifestuara gjithandej dhe jo gjithmonë në interes të rajonit. Edhe sot rajoni i ekspozohet konkurrencës dhe përplasjes së aktorëve evropianë dhe joevropianë. Në qoftë se u lëshojmë një sy zhvillimeve në ardhje Evropë e gjetiu, është fare lehtë e kuptueshme që kjo dinamikë pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Prandaj, rajonit i duhet sa më shpejt të jetë e mundur një Fond Zhvillimor Rajonal, i cili do të nxiste zhvillim ekonomik, lehtësime për qasje në financa për biznese, hapje të vendeve të punës, përmirësim të infrastrukturës dhe në përgjithësi rritje të perspektivës afatgjatë për qytetarët e rajonit. Të gjitha këto do të ndikonin në uljen e shkallës së emigracionit, i cili ka filluar ta gërryejë nga brenda tërë rajonin.

Ndërkohë, zhvillimi ekonomik i rajonit do të hapte horizonte të reja drejt BE-së sepse rajoni do të integrohej më lehtë nëpër mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë; sa më shumë që integrohet rajoni, aq më të mëdha do të jenë detyrimet; sa më shumë detyrime ndërkombëtare, aq më e vogël do të ishte shkalla e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përndryshe, në qoftë se vazhdohet me avazin e vjetër, perspektiva e rajonit do të jetë tepër e ngadaltë dhe jotrenduale.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 20-vjetorin e rënies të Ilir Konushevcit, kryeministri Ramush Haradinaj…