“Vetëm t’i ndihmoj popullit tim” – Shemsi Bahtiri në gjykatë, me mision humanitar përmes heroinës

06 qershor 2025 | 23:04

Shemsi Bahtiri, aktivist i zëshëm i Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktualisht i pandehur për drejtimin e një rrjeti të trafikut të heroinës, e mbrojti veten me fjalë të padëgjuara më parë, e të çuditshme të thuhen nga vetë ai. “Unë këto nuk i bëra për ligj, vetëm t’i ndihmoj popullit tim”.

Shemsi Bahtiri, aktivist i hershëm i Lëvizjes Vetëvendosje, u paraqit në Gjykatë për t’u përballur me akuzat për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe shpëlarje parash.

Pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi të, Bahtiri nuk u dorëzua pa lënë një gjurmë retorike të pashlyeshme.

Në bazë të asaj që raportoi RTV Dukagjini, Bahtiri ka deklaruar se pajtohet me ato qe i tha i mbrojturi i tij dhe ka shtuar “se sa për ligj nuk e bëjë asnjërën nga keto, vetëm ti ndihmojë popullit të tij”.

Papritur, nga një i pandehur për krim të organizuar, Bahtiri u ngriti vetën në piedestalin e një misionari të heshtur.


Por ironia nuk përfundoi aty.

Avokati i tij, Fanol Krasniqi, reagoi ndaj kërkesës për caktim të paraburgimit duke e krahasuar rastin me një vepër letrare klasike.

Ai e ka kundërshtuar kërkesën e tillë për caktimin e paraburgmit, sepse sipas tij është e paqartë dhe se nuk janë ofruar prova të mjaftueshme që lidhen drejtpërdrejt me veprimet e Shemsi Bahtirit.

Ai argumenton se kërkesa ngjan me romanin “Kafka”, ku i pandehuri arrestohet pa e ditur arsyen e vërtetë.

Sipas tij, PSRK nuk ka ofruar informacione të detajuara për të treguar lidhjen e Shemsi Bahtirit me krimin  e organizuar.

“Shpreh shqetësimin se PSRK ka përdorur termin “krim i organizuar” pa specifikuar se kujt i ka shërbyer Shemsi Bahtiri ose cilës organizatë i përkiste, duke i lënë pa përgjigje disa pyetje të rëndësishme që lidhen me rolin e tij”, citohet të ketë thënë Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka treguar për aktivitetin kriminal të 22 të arrestuarit në aksionin “Qielli i thyer” të martën, ku bënë pjesë edhe Shemsi Bahtiri, i cili si anëtar i VV-së kishte fotografi të përbashkëta me Albin Kurtin dhe zyrtarë të lartë të kësaj partie.

Në dosjen e prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregohet se ky grup kriminal trafikonte drogën nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia në rajonin e Gjilanit, Prizrenit dhe Pejës.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të lartpërmendurit nga fillimi i 2019-ës deri më 3 qershor 2025 duke qenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar që merret me trafikimin e lëndëve narkotike si kokaina, heroina e marihuan, nga Shtetet e Amerikës së Jugut, Iranit dhe Turqisë për në Kosovë, kanë kryer vepra penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, me qëllim të përfitimeve financiare për vete”.

Kush është Shemsi Bahtiri?

Shemsi Bahtiri, i arrestuar në aksionin e madh kundër drogës të martën, kishte lidhje me Albin Kurtin e Xhelal Sveçlën. Këto lidhje ai dyshohet se i ka mbajtur edhe me udhëheqësit e VV-së në Tiranë.

Njëri prej tyre, në zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri, ani pse i ndihmuar nga VV-ja kishte dështuar keq të bëhej deputet dhe nuk kishte siguruar vota aq sa pretendonte partia e Kurtit që mendonte ta shtrinte ndikimin në Shqipërinë e Edi Ramës.

Bosi i dyshuar i drogës që u kap të martën në aksionin e madh policor, Shemsi Bahtiri, lidhjet e tij me politikën pretendohet se i kishte forcuar edhe në Shqipëri.

Bahtiri doli të jetë i afërt me Vetëvendosjen, posaçërisht me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të punëve të brendshme, Xhelal Sveçla.

Por afërsia e tij i ka kaluar kufijtë. Ai është fotografuar edhe me udhëheqësit e Vetëvendosjes në Shqipëri, Bojken Abazi dhe Arbër Zaimin, dy udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosjes në Shqipëri.

Në fotot që ka siguruar Paparaci, Shemsi Bahtiri shihet me të dy aktivistët e Vetëvendosjes në Shqipëri. Fotot janë shkrepur në kohën e pandemisë pasi në të dyja, Bahtiri shihet me maskë në fytyrë.

Bojken Abazi ka shërbyer si Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë, ndërkaq autoritetet e Kosovës e kishin dëbuar në vitin 2016, me arsyetimin se kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë në vitin 2021, Abazi dështoi shumë keq në garën për deputet. Kandidoi si i pavarur në qarkun e Tiranës, por me mbështetje të Vetëvendosjes, e cila nuk ishe e mjaftueshme sepse siguroi vetëm 2 mijë e 993 vota.

Aventura e Abazit me Vetëvendosjen përfundoi në vitin 2022 kur dha dorëheqje nga drejtimi i kësaj partie që pretendonte të kishte ndikim edhe në Shqipëri.

Ndërkaq, Arbër Zaimi është këshilltar pa vendim i Kurtit dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai aktualisht jeton në Francë, por prej vitit 2009 ka qenë aktivist i VV-së.

Aksioni i Prokurorisë Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me aksionin policor “Qielli i Thyer” që u zhvillua mëngjesin e hershëm të së martës më 03.06.2025.

Pas një hetimi disamujor, Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një operacion të madh kundër krimit të organizuar, që ka çuar në arrestimin e 22 personave nën dyshimin për përfshirje në trafikim ndërkombëtar me narkotikë dhe pastrim parash.

Operacioni, i koduar “Qielli i Thyer”, është zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, ndërsa në të kanë marrë pjesë rreth 600 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që kanë realizuar bastisje në 47 lokacione të ndryshme.

Sipas komunikatës së përbashkët të PSRK-së dhe Policisë së Kosovës, aksioni është zhvilluar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

“Angazhimi dhe puna e koordinuar ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar” – thuhet në komunikatë.

Prokuroria tha se personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Sipas PSRK-së, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.

Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar sasi të mëdha të pasurisë dhe dëshmive materiale, përfshirë lëndë narkotike:

  • 29 vetura
  • 134,900 euro para të gatshme
  • 20,040 franga zvicerane
  • 490 dollarë
  • 13,000 euro para të falsifikuara
  • 9 orë dore luksoze
  • 36 armë të llojeve të ndryshme
  • 1,569 fishekë dhe 1,292 copë municion
  • një prese për paketim heroine dhe kokaine
  • laptopë, telefona, USB dhe dokumente

Po ashtu, sipas Prokurorisë, janë ngrirë 400 mijë euro në llogari bankare dhe janë vënë nën ndalim të gjitha paluajtshmëritë që u përkasin të dyshuarve.

Operacioni është zhvilluar me mbështetje nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, ndërsa Prokurori i PSRK-së ka qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave për kontroll.

“Ky është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që merren me trafikim ndërkombëtar, pastrim parash dhe forma të tjera të kriminalitetit” – thuhet në komunikatë.

Kush janë 22 të arrestuarit?

Paparaci ka siguruar emrat e të gjithë të arrestuarve në aksionin e madh anti-drogë në 47 lokacione nëpër Kosovë.

Në Pejë janë arrestuar Rexhep Nikqi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Rifat Vuçetaj, Roland Beqiri, Kurbin Dezdari dhe Kenan Brovina.

Ndërkaq në Prishtinë janë arrestuar: Ragip Bislimi, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kahraman Aksoy dhe Ylli Musliu.

Në Viti është arrestuar Armend Ismajli, ndërsa në Suharekë Elez Elezi. Në Podujevë është arrestuar Avni Rekaliu.

Në këtë aksion është arrestuar edhe Safet Ljaiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një valë e fuqishme të nxehti pritet të godasë Italinë…