Veteranët e UÇK-së jashtë Këshillit Shtetëror për 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, krijojnë një paralel
Me rastin e shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria e Kosovës të premten ka miratuar themelimin e Këshillit Shtetëror për këtë përvjetor. Në këtë Këshill nuk janë përfshirë kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.
Si rrjedhojë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, së bashku me kategoritë tjera, ka themeluar këshillin organizues për organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve përkujtimore dhe ceremoniale në kuadër të kësaj ngjarjeje historike.
Sipas OVL-së, edhe në rast se do të kishin marrë ftesë nga Qeveria e Kosovës, nuk do të merrnin pjesë për shkak të, siç thonë, fyerjeve dhe moskujdesit ndaj tyre për gjashtë vite me radhë.
Nënkryetari i OVLUÇK-së, Gazmend Syla tha për KosovaPress, se ishin të obliguar të krijonin këtë këshill në mënyrë që të mos mbesin jashtë organizimeve.
“Meqenëse ne nuk u përfshimë në këshillin shtetëror që e krijoi Qeveria e Republikës së Kosovës, në njëfarë forme u obliguam si shoqata të dala nga lufta, që të kemi kujdes të veçantë në këto ditë historike. Prandaj e kemi menduar që të edhe ne të krijojmë një këshill, në këtë rast me disa personalitete, domethënë që kanë kontribuar, në fakt janë edhe themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj luftëtarë të UÇK-së. Sigurisht që emrat e tyre janë më shumë ndoshta për simbolikën e tyre, për aktivitetin e tyre që e kanë pasur për çlirim të vendit”, tha Syla.
Ai u shpreh se organizimet do të ishte e rëndësishme të bëheshin së bashku me institucionet, ani pse është e papranueshme për ta që të marrin pjesë në një vend ku anëtare është Mimoza Kusari-Lila që kishte kërkuar largimin e veteranëve nga rritja e pagës minimale apo fyerjeve tjera nga pjesëtarë të Qeverisë, përfshi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Syla tha se të njëjtit duhet të kuptojnë se në karriget ku ata ulën sot, është ndërtuar mbi sakrificat e çlirimtarëve. Ai kërkon një reflektim nga ana e institucioneve shtetërore. “Do të ishte tepër e rëndësishme që këto organizime të bëhen së bashku, edhe shoqatat e dala nga lufta, edhe qeveria, po qoftë edhe presidenca. Fatkeqësisht po bëhen gjashtë vite që ne nuk kemi fare komunikim me institucionet tona”, tha Syla.
Nënkryetari i OVL-së përmendi edhe agjendën e tyre për 5,6 dhe 7 mars, e cila pritet të propozohet këtë javë në mbledhjen e këshillit.
Në Këshillin Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në krye do të jetë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bashkëkryesues ministri i Familjes dhe Mbrojtës së Vlerave të Luftës, Andin Hoti, kurse anëtar kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
Ndërsa, në Këshillin Organizues të kategorive të dala nga lufta, do të përbehet nga kryetari i OVLUÇK-së Hysni Gucati, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Ali Ahmeti, Shefket Musliu, Sokol Poga, Agim Çeku, Lahi Brahimaj, Shukri Buja, Ahmet Isufi, Rahman Rama, Nuredin Lushtaku, Abdyl Mushkolaj, Latif Gashi dhe Rrustem Berisha.
Epopeja e UÇK-së shënohet më 5, 6 dhe 7 mars, në ditët kur u vranë nga forcat serbe familja Jashari në Prekaz.



