Veteranët në marshin e UÇK-së kërkojnë nga Specialja lirimin e strategëve të lirisë: Lufta jonë ishte e drejtë

11 qershor 2026 | 13:41

Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të veshur me uniforma të UÇK-së, kanë marshuar nëpër sheshet e kryeqytetit, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ata kanë theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se ish-drejtuesit e saj po përballen padrejtësisht me procesin gjyqësor në Hagë. Sipas tyre, shpresa mbetet që ata të kthehen sa më shpejt në Kosovë.

Veterani invalid i luftës së UÇK-së, Asllan Doshi, i njohur si “zëvendës komandant Togu”, ka thënë se marshi dhe përkujtimi i luftës çlirimtare janë shprehje respekti për veteranët, invalidët dhe të gjithë ata që kontribuuan në çlirimin e vendit.

“Marshimet dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare, unë mendoj se është luftë e drejtë dhe respekt për luftën, për veteranët, invalidët dhe për çlirimin. Ne besojmë se lirimi duhet të jetë i menjëhershëm, sepse është dënim dhe gjykim i padrejtë i luftës sonë çlirimtare”, ka thënë ai.

Edhe veterani tjetër i UÇK-së, Hajzer Bistrica, ka thënë se ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga ditët e para deri në çlirimin e vendit.

Ai ka thënë se ndihet krenar që është dëshmitar i gjallë i sakrificës së luftës dhe se emocionet e kësaj dite janë të papërshkrueshme.

“Kam shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës qysh prej ditëve të para deri në ditën e çlirimit. Jam pjesëmarrës që kam bartur armatimin prej Shqipërisë për Kosovë për t’u ndihmuar ushtarëve që nuk kanë pasur mundësi ta marrin këtë rrugë. Jemi krenarë për atë periudhë dhe për mundësinë që kemi ndihmuar ushtarët tanë. Jam krenar që sot jam dëshmitar i gjallë i asaj sakrifice. Është një emocion i papërshkrueshëm për këta breza që sot po e gëzojnë lirinë dhe po flasin shqip”, ka thënë ai.

Duke folur për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Bistrica ka thënë se ata nuk do të duhej të përballeshin me këtë proces dhe se pret kthimin e tyre sa më shpejt në Kosovë.

“Ata në radhë të parë nuk do të duhej të merreshin atje. Me propagandë të armikut, ata sot janë në Hagë. Presim që sa më shpejt të kthehen në mesin tonë. Ata janë kupola e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Komandanti i Zonës së Pestë Operative Llap-Gollak, Islam Kelmendi, ka thënë se uniforma e UÇK-së mbetet simbol i shenjtë për luftëtarët dhe se çdo paraqitje me të zgjon emocione të kohës së luftës.

“Uniforma jonë, e cila është prezantuar më 28 nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës, edhe sot zgjon të njëjtat emocione. Është diçka e shenjtë për ne. Na ka munguar për një kohë rreshtimi, sot e kemi dhe e bëjmë me krenari. Është e vështirë të mbahet uniforma, por krenaria është mbi gjithçka. Amaneti i shokëve është që të shkojmë deri në fund, deri te ushtari i fundit”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se veteranët e UÇK-së iu bashkuan marshit në shenjë përkujtimi të sakrificës së dëshmorëve dhe familjeve që kontribuuan për lirinë e vendit.

“I falënderoj veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që iu bashkuan marshit të sotëm. Kemi bërë një marsh në shenjë përkujtimi të sakrificës së madhe të UÇK-së, dëshmorëve dhe familjeve që kontribuuan për lirinë. Urime 11 Qershori, Dita e Çlirimit të kryeqytetit! Lavdi dëshmorëve dhe familjeve të tyre”, ka thënë Rama. /Ekonomia Online.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vazhduar kritikat ndaj kryeministrit…