
Veterani i UÇK-së me kancer: Qeveria m’i ndali paratë, fëmijët më qesin çdo ditë në internet për t’i blerë barnat
Në protestën e sotme të Kuvendi i Kosovës ishte edhe një veteran i UÇK-së me kancer. Ai ka thënë se sipas vendimit të mjekëve, atij i takojnë 100 euro në muaj, por ka thënë se këtë të drejtë po ia mohon qeveria Kurti.
Në lidhjen direkte në “T7”, ky veteran i UÇK-së ka prezantuar vendimin e mjekut, ndërsa ka thënë se terapia për sëmundjen e rëndë i kushton 1 mijë euro në javë.
“Unë jam me sëmundje të rëndë të kancerit. Mjekët ma kanë lëshuar vendimin. Kah 100 euro në muaj që më takojnë… dhe tash qeveria nuk po i lëshon paret. Qe ku e keni vendimin. Vendimin unë ia kam çuar edhe këtyre deputetëve me e-mail”, ka thënë ai.
Veterani i UÇK-së ka thënë se detyrohet që mjetet t’i kërkojë përmes internetit për t’u trajtuar.
“Unë jam në kancer që afër një vit. E kam terapinë 1 mijë euro në muaj. Mua më duhet me e qitë veten për çdo ditë në internet. Ndoshta më kemi pa. Më kanë pa krejt bota. Duhet fëmija me e qitë në internet për me i ble barnat”, ka thënë ai.
Sipas veteranit të UÇK-së, atij po i mohohet mundësia t’i marrë këto para me arsyetimin se e merr pagesën mujore prej 170 eurosh.
“Këta nuk i lëshojnë paret se thonë nuk keni të drejtë me e gëzuar të drejtën e dyte. A këta deputetë që janë me kancer, punëtorët që punojnë në shtet kah 1000 – 2000 euro rrogën, e kanë këtë të drejtë”.
“Këtë nuk guxon kurrkush në botë me e ndalë. Vetëm këtu të ne ndalet. Se kur ta lëshon ty mjeku vendimin që duhet me i gëzuar këto 100 euro për sëmundje të rëndë… Sëmundja dmth është vdekjeprurëse. Që ke jetë sot për nesër. Mundesh me jetuar një ditë, dy ditë, tri ditë… eventualisht shtatë ditë.. Qe vendimi”, ka thënë veterani i UÇK-së.
Tani, ai ka thënë se s’i ka mbetur rrugë tjetër, veçse t’iu drejtohet gjykatave të huaja.
“Mua tash më duhet me i bë letrat në gjuhë të tjera, anglisht, frëngjisht dhe me e lypë të drejtën time. Deri tash 1 000 euro jam minus. Këta më kanë shti barnat me i ble se më kanë thënë këto para janë tuat dhe të takojnë 3 vjet, sa shkruan vendimi. Tash na nuk kemi të drejtë kurrgjë hiç. 170 euro i marrim, këto t’i marrin ujë, rrymë, mbeturina.. Ku po mbesin fëmija për një muaj? Ku po mbetet familja?”, ka thënë ai.
Video: KËTU
Video: KËTU