Vetëvendosja po i bën presion gjykatës që vendimin ta nxjerrë në favor të saj

28 maj 2020 | 16:47

Protesta e organizuar sot nga Lëvizja Vetëvendosje, para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, po vlerësohet vendim i paprecedent dhe kundrejt institucioneve që i udhëheq vetë kjo parti. Po ashtu, kjo protestë po shihet si tendencë për të bërë presion mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatarin e presidentit Thaçi. Kështu ka deklaruar drejtori i Organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, i cili ka deklaruar se ky presion po bëhet për të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të Lëvizjes Vetëvendosje. “Kjo protestë, mbi të gjitha, ka edhe tendenca te bërja e presionit te Gjykata Kushtetuese, pasi ende po protestohet pa dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në një mënyrë po bëhet presion që vendimi me qenë në favor të kërkesës së VV-së”, ka thënë Demhasaj.

Ai thotë se kjo protestë do të kishte kuptim sikur ta kishim një vendim të Gjykatës Kushtetuese që do të ishte në kundërshtim me atë çfarë ka kërkuar LV-ja. “Po të kishim pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të ishte në kundërshtim nga ajo çfarë ka kërkuar LV-ja, ndoshta do të kishte kuptim. Megjithatëë as në këtë aspekt nuk e shoh të arsyeshme pasi Gjykata Kushtetuese është mekanizmi i vetëm që interpreton normat kushtetuese dhe vendimet e saj janë të apelueshme e të obligueshme për t’u zbatuar nga gjitha institucionet”, ka thënë Demhasaj.

Njohësi i çështjeve politike ka bërë me dije se kjo protestë kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është rrëshqitje e demokracisë. Ai ka folur edhe për deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se nuk ka kohë të marrë pjesë në protestë. Demhasaj ka thënë se kjo është e pakuptimtë, pasi partia e tij po proteston para institucioneve të udhëhequra nga vetë LV-ja dhe ky rast, sipas tij, është i paprecedent. “Nëse kemi parti apo institucione që dalin e protestojnë kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe japin sinjale që nuk i pranojnë këto vendime, kjo është rrëshqitje e demokracisë në Kosovë çfarë e kemi deri më tani”, ka thënë ai për EkonomiaOnline.

Sipas tij, partia e cila është në pushtet nuk ka kuptim të protestojë para institucioneve që i udhëheq vetë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar Milazim Krasniqi në dy fjali, publikuar në “Facebook”,…