Vetëvendosje me aksion simbolik për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve

01 maj 11:55

Lëvizja Vetëvendosje (LV) në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ka organizuar sot një aksion simbolik për papunësinë në Kosovë dhe gjendjen e mjerueshme të punëtorëve.

Me këtë rast, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Bala, ka thënë se sot kur duhet të flasim për të drejtat dhe gjendjen e punëtorëve nuk mund të mos flasim për varfërinë.

“Ende Kosova vazhdon të jetë vend i varfër. Mbretëron papunësia dhe pabarazia ekonomike sepse qeveritarët e kanë për synim pasurimin e vet dhe jo zhvillimin ekonomik. Një vend me gjendje të tilla dihet se nuk ka kushte për punëtorët, sepse të drejtat e punëtorëve janë të lidhura ngushtë me papunësinë. Sa më shumë të papunë aq më i pasigurt punësimi edhe për ata që janë në punë, sepse mund të zëvendësohen lehtë e shpejt. Ai që s’ka rrogë fare, lehtë e pranon rrogën e keqe, e ndonjëherë i mbyll sytë e veshët edhe përballë abuzimit nga shefi. Prandaj, ne nuk jemi këtu për t’u treguar atyre që punojnë sa të shtypur janë. Gjithë gratë e burrat që punojnë, e dinë, ata sot me vetëdije e pranojnë një farë shtypje e abuzimi, vetëm e vetëm që ta kenë të paktën një vend pune”, ka deklaruar Bala.

Sipas saj, papunësia e madhe paraqet rrezik që të punësuarit ta humbin punën e që shpesh herë është burim i vetëm i të hyrave për familje.

“Qeveria duhet ta shohë me prioritet punësimin dhe barazinë, edhe pse ne e dimë se nga ky lloj pushtetarësh që është i lidhur ngushtë me oligarkët dhe me neoliberalizmin, zhvillim ekonomik nuk ka për të pasur”, është shprehur Bala.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pak punëtorë janë parë duke protestuar sot në sheshet kryesore…