Vetëvendosje: Ambasadorët e Quntit janë ftuar me dakordimin e Kurtit dhe Mustafës

28 janar 2020 | 15:31

Drejtuesi i Sekretariatit për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Erzen Vraniqi, ka thënë se Albin Kurti dhe Isa Mustafa mbrëmë janë pajtuar që të ketë një takim me ambasadorët e Quintit dhe me shefen e BE-së në Kosovë.

Ai ka thënë se një gjë e tillë është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e dy palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm.

“Si drejtues i Sekretariatit për Media dhe Komunikim dëshiroj të sqaroj opinionin se: Në fund të takimit të mbrëmshëm ndërmjet LVV dhe LDK, kishte dakordim që sot ose nesër të ftohen në takim edhe ambasadorët e Quintit si dhe shefja e Misionit të BE-së në Kosovë. Kjo është konfirmuar edhe në komunikimin me tekst që ka pasur kryetari i LVV Kurti me kryetarin e LDK Mustafa mbrëmë në ora 19:30. Kjo është bërë me qëllim të heqjes së çfarëdo dyshimi tek ambasadorët mbi pajtimin e dy palëve për pjesëmarrjen e ambasadorëve në takimin e sotëm. Ata nuk janë menduar asnjëherë si ndërmjetësues por vetëm si ndihmues eventualë për çfarë vetë e kanë shprehur gatishmërinë”, ka shkruar Vraniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Mbrëmë, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se këtë takim e ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Lirisë është përforcuar me Blazho Igumanoviq, i cili…