Vetëvendosje: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se subjekti i saj politik do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit që është bërë sot (e premte) nga presidentja Vjosa Osmani.
“Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhte sot një akt i tillë sot në mëngjes”, ka thënë Nagavci në një konferencë për medie.
Nagavci po ashtu ka thënë se kanë bërë gjithçka për të shmangur edhe një palë zgjedhje të reja.
“Duhet ta themi një gjë, ne kemi qenë të vetëdijshëm se ka shumë palë dhe grupe interesi, të cilave u ka penguar mbështetja e madhe qytetare për LV-në dhe për kryeministrin Kurti. Gjithsesi, ne kemi bërë gjithçka që ka qenë në dorën tonë për të shmangur edhe një palë zgjedhje”, ka thënë Nagavci.



