
Vetëvendosje e LDK bëhen bashkë në Vushtrri, Idrizi i PDK-së: S’më frikëson një koalicion i tillë
Lëvizja Vetëvendosje që garon në balotazh me Partinë Demokratike të Kosovës në Vushtrri, ka nënshkruar koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kryeministri në detyrë përshëndeti këtë koalicion, derisa kryetari aktual i Komunës thotë se nuk e frikëson një koalicion i tillë.
Njëri doli i dyti e tjetri i treti në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kandidati për kryetar komune të Vushtrrisë, Sylejman Meholli nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Xhafer Tahiri i Lidhjes Demokratike të Kosovës i bashkuan forcat për garën e balotazhit më 9 nëntor.
Të hënën në praninë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ata nënshkruan koalicionin mes tyre.
Kurti këtë e cilësoi si një koalicion qeverisës për të mirën e qytetarëve të kësaj komune.
Por këtë veprim Tahiri duket se e mori krye në vete, pasi që LDK e kundërshtoi.
“Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Por a e frikëson një koalicion kryetarin aktual dhe kandidatin e PDK-së për katër vitet e ardhshme?
Sipas tij, ky është më shumë koalicion për interesa personale të Tahirit. Tëvë1