Vetëvendosje i quan kërcënuese grafitet që kujtojnë vrasjen e Astrit Deharit

11 janar 2019 | 12:41

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me grafitet kërcënuese të shfaqura këto ditë në Prishtinë që kujtojnë vrasjen e aktivistit Astrit Dehari në burgun e Prizrenit.

Aliu ka thënë se nuk mund ta imagjinojmë se si ndihet familja e Astritit kur ta shohë këtë grafit dhe këtë formë bizare të rikujtimit të vdekjes së tij.

“Disa ditë pas kësaj ngjarje që tronditi të gjithë, jo vetëm neve në Lëvizje po gjithë shqiptarët kudo që gjenden, në një emision të jashtëzakonshëm, Baton Haxhiu në ‘Klan Kosova’ prezanton një video, e cila thotë ai, dëshmon që meqë askush nuk ka hyrë në dhomën ku ka qenë Astriti, i bie që ai e ka mbytur veten. Por, dikush u përkujdes të na e kujtojë edhe njëherë, që Astritin na e kanë vrarë në burg. Grafiti në objektin e teatrit, paraqet shishen me të cilën është vrarë Astriti në burg. Në shishe shkruan: ‘I’m not a gun’. Pra, unë nuk jam armë/revole. Ne as nuk mund ta imagjinojmë se si ndihet familja e Astritit kur ta shohë këtë grafit, këtë formë bizare të rikujtimit të vdekjes. Ky grafit në këtë kohë dëshmon 2 gjëra: dëshmon pranimin e vrasjes së Astritit dhe njëkohësisht ky mund të jetë kërcënim për vrasjet e tjera që i kanë në mendje. Por kur vjen ky kërcënim? Pse bash tash?”, ka thënë Aliu.

Aliu ka theksuar se pushteti aktual ka provuar ta dobësojë Vetëvendosjen në shumë forma. “Ky grafit dëshmon që ajo ka qenë pikërisht arma e vrasjes, sepse për çfarë arsye tjetër do të cekej që kjo nuk është armë. Ky grafit thotë se përdorimi i asaj shisheje do të vazhdojë sepse nuk është armë! Ky grafit paralajmëron vrasje të reja, ndaj atyre që po ua prishim planet të cilët e kanë mbajtur të ngufatur këtë vend politikisht dhe ekonomikisht. Kujtojmë se vrasjen e Astritit në burg e kishte paralajmëruar Kryeparlamentari Kadri Veseli nga foltorja e Kuvendit. ‘Rujuni se po vrani vetën’ pati thënë Kadri Veseli. Po ashtu, duhet kujtuar se disa muaj më vonë prej vrasjes së Astritit edhe vdekja e Naser Makollit, dëshmitarit kryesor u konsiderua si e natyrshme”, është shprehur Aliu

Ai ka thënë se tash kur ky grafit është bërë në qendër të qytetit, saktësisht mbrapa Teatrit Kombëtar, Policia e Kosovës e ka në dorë ta gjejë lidhjen dhe të arrijë te vrasësit e Astrit Deharit.

“Shkrimi i atyre grafiteve duhet të hetohet menjëherë, me urgjencë. Po ashtu policia e prokuroria duhet të veprojnë menjëherë pas këtyre kërcënimeve. Populli i Kosovës ua njeh atyre të gjitha krimet, por asnjë kërcënim nuk e ka ndaluar e as zmbrapsur Lëvizjen Vetëvendosje e as nuk ndodhë as tash”, ka deklaruar Aliu.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përkujtuar në…